Putin nuk do të flasë me Zelenskin.
Donald Trump ka pasur një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin të mërkurën në mëngjes, raportoi vetë presidenti amerikan në një postim në Truth Social, duke nisur kështu zyrtarisht fillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në fakt, deklarata e Trump se do të informojë Zelenskin, tregon se SHBA-të kanë pranuar që Putin nuk ka për të diskutuar asgjë me ukrainasin.
“Sapo pata një telefonatë jashtëzakonisht produktive me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Ne diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të ndryshme”, shkruan ndër të tjera presidenti amerikan.
“Ne të dy reflektuam mbi Historinë e Madhe të Kombeve tona dhe për faktin që luftuam me kaq sukses së bashku në Luftën e Dytë Botërore”, shtoi Trump, duke vënë në dukje se “ne kujtojmë se Rusia humbi dhjetëra miliona njerëz dhe ne, në mënyrë të ngjashme, humbëm po kaq shumë!”
Trump shtoi në postimin e tij se “secili nga ne foli për pikat e forta të kombeve tona përkatësisht dhe përfitimin e madh që do të kemi një ditë nga bashkëpunimi”.
Megjithatë, presidenti amerikan sqaroi se “por së pari, siç ramë dakord të dy, duam të ndalojmë miliona vdekje që po ndodhin në luftën Rusi-Ukrainë. Presidenti Putin madje përdori sloganin shumë të fuqishëm të fushatës, “LOGJIKË E PËRBASHKËT. Ne të dy besojmë shumë në të”, tha Trump. “Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitë shteti tek njëri-tjetri.”
“Ne gjithashtu ramë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë negociatat menjëherë dhe do të fillojmë duke thirrur Presidentin Zelenski të Ukrainës për ta informuar atë për bisedën tonë. I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, drejtorit të CIA-s John Ratcliffe, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz dhe ambasadorit dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, të udhëheqin negociatat, të cilat besoj fuqimisht se do të jenë të suksesshme.“
Në fakt, Donald Trump përsëriti besimin e tij se “miliona njerëz vdiqën në një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse do të isha President, por ndodhi, ndaj duhet të marrë fund. Nuk duhet humbur më jetë!” – tha ai.
“Dua të falenderoj Presidentin Putin për kohën dhe mundin e tij në lidhje me këtë telefonatë dhe për lirimin dje të Marc Fogel, një njeriu të mrekullueshëm të cilin personalisht e përshëndeta mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë. Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një rezultat të suksesshëm, shpresojmë së shpejti!” – përfundoi Trump në postimin e tij.

Komunikimi mes dy liderëve u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, sipas RIA Novosti. Diskutimi zgjati gati një orë e gjysmë.
Siç theksoi Kremlini, Trump mbrojti një fund të shpejtë të armiqësive dhe një zgjidhje paqësore të luftës. Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për të adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe ra dakord me Trump se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes bisedimeve të paqes. Në të njëjtën kohë, siç theksoi Peskov, presidenti rus e ftoi presidentin amerikan të vizitojë Moskën.
Më herët, në një deklaratë bombë nga vetë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustev Umerov, ai kishte deklaruar se vendi ishte i gatshëm të fillonte negociatat me Rusinë, për t’i dhënë fund luftës.
Për herë të parë, regjimi i Zelenskit po bën deklarata të qarta për fillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës (të mos harrojmë se i ka ndaluar ligjërisht negociatat e vetë presidentit) në të njëjtën kohë që edhe SHBA-të thanë për herë të parë se territoret i janë humbur përgjithmonë Ukrainës.
Vëmë re se Rusia përmes Putinit pranon vetëm negociata me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, pasi nuk e konsideron Zelenskin president legjitim të vendit.
Ukraine is ready for negotiations to end the war.
— Sprinter Observer (@SprinterObserve) February 12, 2025
/Ukrainian Defense Minister Rustem Umerov/ pic.twitter.com/QVyAS7BvQT
Ajo që duket se po ndodh është se negociatat do të përfundojnë dhe më pas, me zgjedhjet në Ukrainë, vendi do të dëbojë regjimin e Zelenskit.
SHBA-të e bënë të qartë përmes Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, se “Ukraina duhet të veprojë ndryshe në negociatat e ardhshme të paqes, pasi kthimi në kufijtë e para 2014-ës është tashmë një objektiv jorealist”!
Me fjalë të tjera, ai pranoi se Krimea, Donbass (Donetsk dhe Lugansk) dhe të paktën pjesët aktuale të Kherson dhe Zaporizhia do të mbeten ruse, në çdo rast.
Moska kishte thënë të njëjtën gjë pak më parë, duke hedhur poshtë retorikën e Zelenskit për “shkëmbimin e Kurskut me territoret e pushtuara ruse”.
Pyetja është se çfarë do të ndodhë me pjesën veriore të Khersonit, ku ndodhet kryeqyteti homonim i rajonit ukrainas të dikurshëm (tani i përfshirë në Rusi) dhe me pjesën veriore të Zaporizhia në veri të Dnieper.
Odessa rusishtfolëse duket se tani për tani do të qëndrojë në Ukrainë.
Në çdo rast, kjo është baza e negociatave.