Ky vendim i jep fund politikës aktuale të parandalimit, e cila ka qenë në fuqi për më shumë se 30 vite.
Grupi i këshilltarëve të posaçëm të Sekretarit të Shëndetësisë të SHBA-ve, Robert F. Kennedy Jr., i cili njihet për skepticizmin e tij në lidhje me vaksinat, vendosi sot të heqë rekomandimin që prindërit të vaksinojnë të gjithë të porsalindurit kundër hepatitit B, pavarësisht mendimit të kundërt të shumë mjekëve.
Ky vendim, i cili pritet të ndiqet nga autoritetet federale të SHBA-ve, i jep fund politikës aktuale të parandalimit, e cila ka qenë në fuqi për më shumë se 30 vite.
Propozimi u miratua me tetë vota pro dhe tre kundër.
Sipas udhëzimeve të reja, doza e parë e vaksinës së hepatitit B (nga një total prej tre dozash) rekomandohet për foshnjat brenda pak orësh nga lindja, vetëm nëse nëna rezulton pozitive me virusin.
Nëse nëna rezulton negative, komiteti tani rekomandon që prindërit të flasin me një profesionist shëndetësor për të vendosur “nëse do ta vaksinojnë fëmijën e tyre” dhe kur.
“Ky udhëzim i papërgjegjshëm dhe qëllimisht mashtrues do të çojë në një rritje të infeksioneve të hepatitit B tek foshnjat dhe fëmijët”, tha Susan Kressley, presidente e Akademisë Amerikane të Pediatrisë.
Tre anëtarë të komitetit votuan kundër propozimit, duke thënë se nuk kishte prova për të justifikuar ndryshimin si të dobishëm për fëmijët. “Ne kemi një detyrim moral të mos bëjmë dëm. Duke ndryshuar rekomandimin, ne po bëjmë dëm”, tha Dr.Cody Meisner, një nga të paktët anëtarë të komitetit që nuk ishin dakord.
Hepatiti B është një sëmundje virale e mëlçisë që mund të transmetohet përmes kontaktit seksual ose gjakut. Pacientët janë në rrezik në rritje për të vdekur nga cirroza ose kanceri i mëlçisë.
Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit (ACIP), i kritikuar nga shumë ekspertë, sepse anëtarët e tij nuk kanë përvojë ose kanë shprehur skepticizëm në lidhje me vaksinat, kishte ndryshuar tashmë rekomandimet për vaksinat kundër Covid-19 dhe fruthit në shtator, pavarësisht mendimit të kundërt të shumë shkencëtarëve.
Kennedy shkarkoi 17 ekspertët e pavarur që morën pjesë në Komitet në korrik dhe i zëvendësoi ata me një grup që përgjithësisht mbështet pikëpamjet e tij. Midis anëtarëve të rinj, nuk ka imunolog.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjitha foshnjat të marrin vaksinën kundër hepatitit B menjëherë pas lindjes, e ndjekur nga dy ose tre doza shtesë, me një interval prej të paktën katër javësh. Ajo vlerëson se 95% e të porsalindurve të infektuar me virusin do të zhvillojnë hepatit kronik.


