Presidenti amerikan lë të hapur mundësinë e ndryshimeve në praninë ushtarake amerikane në Europë.
Donald Trump la të hapur mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, duke shkaktuar një raund të ri diskutimesh mbi marrëdhëniet Uashington-Berlin.
Presidenti amerikan tha se çështja është duke u shqyrtuar dhe se vendimi përkatës pritet të merret në të ardhmen e afërt, pa dhënë një afat kohor apo detaje specifike.

Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të shtuara diplomatike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, për shkak të deklaratave dhe mosmarrëveshjeve që lidhen me politikën e jashtme dhe qëndrimin ndaj konflikteve ndërkombëtare.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump theksoi se “Shtetet e Bashkuara po studiojnë dhe po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të trupave në Gjermani” dhe shtoi se vendimi përfundimtar do të shpallet së shpejti.
Çështja e pranisë ushtarake amerikane në Europë ka qenë prej kohësh një pikë debati politik, ndërsa çdo ndryshim mund të ndikojë në ekuilibrin në NATO dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sfondi i tensionit midis dy udhëheqësve lidhet me deklaratat e fundit të Friedrich Merz mbi qëndrimin e SHBA-ve në konfliktet ndërkombëtare, të cilat shkaktuan reagime në Uashington dhe çuan në një shkëmbim fjalësh të ashpra në nivel politik. Por edhe lidhur me përçartjet e Merz pas atentatit ndaj presidentit amerikan.


