Tukididi-Histori _ Libri 3 / Kapitulli 82
Për sa u bënë, bëhen dhe do të bëhen…
1. Në këto ekstreme arriti lufta civile dhe tërhoqi vëmendje të madhe, sepse ishte lufta e parë që bëhej. Më vonë mund të thotë ndokush se Helenizmi u trondit dhe u përfshi në konflikte civile. Demokratët thërrisnin Athinjotët për ndihmë dhe Oligarkët thërrisnin Spartianët. Përsa kohë mbizotëronte paqja nuk kishin as pretekst, por as predispozicion për të kërkuar ndihmë. Por me luftën, secila prej strukturave kundërshtare politike mund të gjente mundësinë për ndërhyrje të jashtme për të shkatërruar kudërshtarin dhe për të ndryshuar sistemin.
2. Përplasjet civile sillnin fatkeqësi të panumërta, fatkeqësi që ndodhin dhe do të ndodhin gjithmonë, përsa kohë që natyra e njeriut nuk ndryshon… Në kohë paqeje dhe kur shtetet dhe bota është në mirëqënie, njerëzit janë të qetë, sepse nuk gjenden nën trysni nevojash të panumërta. Por, kur vjen lufta që sjell tek njerëzit privime nga e përditshmja, atëherë lufta bëhet “dhaskal” i dhunës dhe acaron frymët e turmës, në vartësi të situatave që krijon.
3. Lufta civile pra, u trasmentua nga shteti në shtet. Dhe shtetet që kishin mbetur të fundit, duke mësuar se çfarë kishte ndodhur tek shtetet e tjerë, përpiqeshin të bëheshin edhe më të shkathët, duke përdorur mjete dhe forma të dyshimta, dinakërisht të padëgjuara.
4. Udhëheqësit për të justifikuar veprimet e tyre ndryshonin akoma edhe rëndësinë e fjalëve. Guximi paralog u konsiderua burrëri dhe përkushtim ndaj partisë (strukturës politike), hezitimi personal u konsiderua burracakëri e fshehur pas pretekstesh dhe urtësia u konsiderua maska e paburrërisë. Zhurma u konsiderua virtyt burrëror, kurse tendenca për të kqyrur kujdesshëm të gjitha anët e çështjes në diskutim, u konsiderua pretekst për shmangie.
5. Kush gërthiste bëhej i dëgjuar, ndërsa kush sillte kundërshti bëhej i dyshimtë. Kush shpikte ndonjë mashtrim që rezultonte i sukseshëm, e konsideronin të madh, dhe kush dyshonte i pari, apo zbulonte planet e kundërshtarit, e konsideronin edhe më të madh. Ndërkohë që kush ishte parashikues dhe nxirrte të pavlefshme format dhe mjetet e mësipërme, konsiderohej se shkatërronte partinë dhe se ishte i terrorizuar nga struktura politike kundërshtare. Me një fjalë, kush arrinte të bënte të keqe më përpara se tjetri, vlente për t’u lavdëruar, si edhe ai që shtinte të keqen në mendjen e kujtdo që nuk e kish menduar.
6. Edhe farefisnia u konsiderua lidhje jo aq e fortë sa ishte vetë solidariteti partiak, sepse homoideantët ishin të gatshëm të ndërmerrnin çdo gjë, pa ngurim, dhe kjo ndodhte sepse partitë nuk u formuan, as u formëzuan për të synuar interesa të përbashkët me mjete legale, por përkundrazi, u formuan për të kënaqur lakminë e tyre mes paligjshmërisë. Solidariteti mes tyre bazohej më shumë në bashkëfajësinë e tyre, sesa në betimet dhe përbetimet bërë ndaj Perëndive.
7. Propozimet e arsyeshme të kundërshtarëve i pranonin me motive djallëzore dhe jo me sinqeritet, për t’u mbrojtur nga çdo e keqe e mundshme e momentin, kur të tjerët ishin më të fuqishëm. Dhe preferonin të hakmerreshin në një moment të dytë ndaj një të keqeje, më shumë sesa të përpiqeshin për të shmangur të keqen. Kur bënin betime për një pajtim, i mbanin aq sa të mos kishin fuqinë për t’i shkelur, duke mos patur ndihmë nga askund. Por sa shfaqej mundësia, ata ishin të parët që rigjenin kurajon. Nëse shikonin se kundërshtarët ishin të pambrojtur, i godisnin dhe merrnin një gëzim të shumëfishtë duke i dëmtuar, teksa ua kishin hedhur, i kishin mashtruar. Një gëzim shumë më i madh se gëzimi që mund të merrnin po t’i godisnin hapur. Ata konsideronin këtë formë reagimi jo vetëm më të sigurtë, por ishte edhe si një çmim në betejë dinakërie dhe tinzarie. Përgjithësisht është më e thjeshtë të duken të zgjuar keqbërësit, sesa të konsiderohen të ndershëm ata që nuk mashtrojnë. Shumica preferon të bëjë të keqe, për t’u quajtur të zgjuar, sesa të jenë të mirë dhe t’i quajnë budallenj.
8. Shkaku i të gjitha këtyre është një lloj miqësie që i ka rrënjët tek lakmia dhe ambicia që shtynte fraksionet për të luftuar egërsisht. Udhëheqësit e partive, në shtete të ndryshme, promovonin sllogane të bukur. Barazi për shtetasit nga një anë, urtësi të administratës aristokratike nga ana tjetër. Shtireshin sikur i shërbenin shtetit, ndërkohë që realisht dëshironin të përmbushnin interesa personale dhe luftonin me çdo formë për të mposhtur, apo për të fituar mbi kundërshtarët e tyre. Kjo i çonte drejt gjërash edhe më të tmerrshme, duke synuar hakmarrjen ndaj kundërshtarëve, jo deri në kufijtë që lejon drejtësia, apo interesi i qeverisjes, por duke kryer akte nga më të egrat, me kriter të vetëm indulgjencën e partive të tyre. Gjykonin në kundërshtim me ligjin kundërshtarët e tyre, ose u rrëmbenin dhunshëm pushtetin, të gatshëm për të mbjellë urrejtjen. Asnjë nga dy strukturat nuk kishte asnjë stepje morale dhe vlerësonte së tepërmi të gjithë ata që ia arrinin të fshihnin pas fjalësh të bukura, akte të tmerrshme. Shtetasit e ndershëm dhe modestë gjenin vdekjen nga njëra apo nga struktura tjetër, ose sepse nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në lojë, apo të bëheshin palë, por edhe/ose sepse idea se mund të jetonin edhe pa këto struktura, shkaktonte kundër tyre zili.
(Përktheu: Mariela Stefanllari)
Për kreun e opozitës po e mbyll këtë përkthim me dy pyetje që ka bërë/ngritur Tukididi:
1. Si mund ta lartësojë apo ta helmojë politika një shoqëri?
2. Cila është masa matëse për një lider të madh ose për një demokraci të madhe?