Bota është e rrezikshme jo për shkak të atyre që bëjnë të keqen, por për shkak të atyre që i shikojnë keqbërësit dhe nuk bëjnë asgjë. Pra, bota është e rrezikshme sepse jeton edhe ti mendjedyllosur dhe gojëvulosur, që të imponohen mes së keqes, që të frikësojnë dhe të fusin në panik dhe ti hesht. Dhe si të mos mjaftojë kjo, ti u bindesh si skllavi pronarit, si bagëtia çobanit. I mirë të jesh vallë ti? E në qofsh i tillë, m’u kujtua një i meçur që thotë se: “E vetmja që nevojitet për triumfin e së keqes, është që disa njerëz të mirë të mos bëjnë asgjë”.
Maskë në shkollë, maskë në zyrë, maskë në punishte, maskë në dyqan, maskë në bankë, maskë në postë, maskë, maskë, maskë…, maskë edhe në rrugë. Nuk do të marrësh ajër, oksigjen që këtej e tutje do të thithësh me doza të kufizuara. Qeverisë dhe klaneve, ti u duhesh me maskë, ti klloun, ti karagjoz që bindesh dhe hesht. Ti “i miri” mjerani njeri, që pafundësisht i hap udhë të keqes dhe u bën temena afendëve të saj, ti je rrezik për botën, duhesh karantinuar, duhesh izoluar, ti je vetë virusi.
Nuk e ka fajin mavia, bluja, e kuqja e pangjyra politike, që mes arbitrazhesh sot, po të vendosin një paftë, një arne në gojë, asnjë faj. Nuk mund ta ketë fajin e keqja! Kurrë! Fajin e ka “i miri” që pas maskësh nuk gërthet, por hesht! Sepse e keqja është produkt i aftësisë së njeriut për të bërë abstrakte, atë që është konkrete. Dhe ne kemi konkrete shifra që janë qesharake, për ta konsideruar globin në gjendje pandemie. Nga Covid-19 kanë vdekur 0,00001% e popullsisë.
Jemi përpara një loje globale, përpara një pandemie të planifikuar, por jo në detaj, sepse skenari lë për të dëshiruar, dhe pjesa më e madhe e kuptojnë që ky teatër paralogu luhet për shkaqe politike dhe ekonomike, por kurrsesi nuk po ngrihen njerëzit, si një dhe unikë, në emër të lirisë minimalisht, por edhe në emër të mençurisë, sepse mençuria dhe dija ekzistojnë që të mund edhe të ndajmë të keqen nga e mira, mashtrimin nga e vërteta, përkujdesjen nga tentativa për vrasje.
Ty me maskë po të them se, bota është më e pasur kur ka një djall mes saj, por me kusht që t’ja kemi gjithmonë këmbën në grykë. Në të kundërt, as maska nuk të shpëton, veçse kasa dhe lopata.
***
Kush më ndalon të dal nga banesë ime? Ligji? Kurrsesi! Po në qofsha i pastrehë?
Kush më detyron të vendos maskë? Urdhëri? Kurrsesi! As për profilaksi nuk më urdhëron dot kush, sepse unë jam zot i vetes dhe risqet për jetën dhe veten time i marr unë dhe sjell vetë përgjegjësi për to. Me jetën time bëj si të dua unë dhe për të vendos vetëm unë.
Kush më ndalon të punoj dhe të marr një asistencë urie Covid-iane? Shteti? Kush është shteti? Shteti jam unë, ti, ai, ne! Ne jemi shteti dhe pushteti, kurse ata që i kemi vendosur në krye me vallaha shumicë vote, janë thjesht hajdutë që na kanë hyrë në shtëpi. Nuk mund t’i bindet i zoti i shtëpisë, hajdutit, shtetarëve domethënë.
Ç’na qënka ky ligj që del mbi njeriun? A ka gjë në këtë botë që mund të dalë mbi njeriun dhe jetën, duke i cënuar ata, shkruar prej vetë njeriut? Kurrsesi!
***
Atë që pandemia e frigon, le të qëndrojë në shtëpi! Ai që ajrin e shikon të mbarsur me viruse le të mbajë maskë! Ai që nuk dëshiron të më afrohet, le të mbajë distancë!
Nuk mund të na imponohet as Ramë e as Bashë, asnjë mbi dhe, me masa dhe maska, por e keqja qëndron se disa bashkështetasit tanë, janë pasvanë dhe vallaha të bindur ndaj institucioneve, që as nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh, ose ndoshta heshtazi pranojnë orkestrimin dhe pasojnë ritmin.
Gjysma e së keqes që i bëhet botës, vjen nga njerëz që duan të ndihen si të veçantë, si të ditur, ndoshta nuk e kanë tendencën për të bërë të keqe, por nuk i shqetëson e keqja dhe nuk merren me të. Këtu qëndron fataliteti.
Ti njeriu i ri, me maskë, i globalizmit, ramaizmit, bashaizmit, ose hiqe maskën dhe mos hesht, ose futu në shtëpi dhe më mos dil, sepse do dal unë në rrugë! Dhe unë nuk jam vetë, jemi me miliona në glob, jemi më shumë se ti, njeriu me maskë i së keqes.
Do të punoj unë për ty, do ta shijoj të përditshmen unë për ty, do të thith unë ajër edhe për ty. Në u shërofsh ndonjë ditë, e nëse virusi largohet për të tjera milete, e në qofsh gjallë, do të jetojmë sërish në të njëjtat rrugë, në të njëjtin qytet, unë si qytetar i denjë dhe ti si njeri i rrezikshëm, sehirxhi i së keqes.
Çdo i shenjtë, ka të shkuar! Çdo mëkatar, ka të ardhme!
#Shpërndaje #JoMaskës #JoIzolimit