Lëvizje që do të destabilizojë tregun, kështu e cilësoi zv.Kryetari i Qeverisë Ruse vendimin e Bashkimit Europian për të vendosur çmim tavan për naftën dhe karburantet.
Rusia do të ndalë furnizimin me naftë dhe produkte të saj në vendet që vendosin të kufizojnë çmimin e naftës, bëri të ditur Aleksander Novak, ditën e enjte, në të njëjtën kohë kur Bashkimi Europian diskutonte për çështjen e çmimit tavan për naftën.
“Nëse vendosin kufi në çmim, atëherë nuk do i furnizojmë me naftë ato kompani, apo ato vende, teksa nuk do të punojmë në kushte të mungesës së konkurrencës”, tha ai, sipas agjensisë TASS.
Novak e karakterizoi këtë vendim të mundshëm të BE-së si “paranojë” në kufizimin e çmimit të naftës ruse. “Bëhet fjalë për ndërhyrje në mekanizmat e tregut në një industri kaq të rëndësishme siç është ajo e naftës, e cila është më e rëndësishmja përsa i përket garantimit të sigurisë energjitike në të gjithë botën. Të tilla përpjekje e çojnë situatën vetëm drejt destabilizimit të industrisë së karburanteve dhe të tregut të naftës”, shtoi, duke theksuar se fillimisht këtë do ta paguajnë konsumatorët europianë dhe amerikanë që edhe tani po paguajnë çmime të larta për energjinë.
“Ky vendim do të shkatërrojë plotësisht tregun”, theksoi Novak.