Është normale, që kur ke organizuar një 21 të dhunshme, që tjetri e bëri të përgjakshme, të të vijë një 12 e përgjakshme, për shkak se ti e bën të dhunshme.
Më 21 janar, për shkak të ‘bllokut’, socialistët ushtruan dhunë, demokrati Basha i gjakosi. Me poseduesin e bllokut socialistët u përqafuan pas 26 muajve dhe i solli në pushtet, kurse me atë që i gjakosi, marrëveshja ishte e hatashme, afatgjatë dhe dorëlëshuar, kundrejt shpërblimit normalisht, fituan edhe për të tretën herë nga ai që i gjakosi dhe vrau dikur.
Socialistët e 21 janarit, që u ndanë tani edhe nga poseduesi i bllokut, por edhe nga ish kryeministri që i shtriu në bulevard, me dorën “holandeze”, kanë për aleat vetëm veten dhe kanë përballë dy përbindësha që sot nuk kanë çfarë të humbasin, por kanë shumë se çfarë të fitojnë.
Përveç tyre, populli demokrat dhe pl-ist (ish lsi-st) nuk ka se çfarë të humbasë gjithashtu dhe do të derdhet në rrugë e sheshe “liri a vdekje”.
Dhe kini parasysh që Berisha dhe Meta e njohin Ramën më mirë edhe se vetë familjarët e tij. Rama nuk është personazhi trim politik, gangster dhe kokëkrisur që mund ta shkrepë, Rama është formati i kamuflimit, kulisës, dredhisë, përdredhjes, kthinës, shpinës dhe të tjera sjellje si këto, të makiavelistëve manipulativë.
Ndërkohë që tani ka përballë dy kokëkrisur që nuk i ndal më asgjë, as Amerikë dhe as ndonjë vend në BE.
Në një situatë globale ku gjithçka është në fije të perit për t’u përshkallëzuar lufta edhe përtej territoreve të tanishme, askush nuk do të merret me socialistët dhe Ramën, askush! Gjithashtu, sa më shumë e trumpetojnë socialistët e PSsë faktin që Berisha është me rusët, humbasin terren. Shumica e shqiptarëve janë prorrusë, socialistët të gjithë pa përjashtim janë prorusë. Nëse vazhdohet dhe i thuhet popullit shqiptar që këta i financon dhe i mbështet Putin, po i rikuperojnë figurën Berishës dhe po e bëjnë hero. Jo vetëm kaq, por nëse janë edhe të bindur që i mbron Putin, atëherë njerëzit në mendjen e tyre e kanë tani mëse të bindur që Berisha e rrëzon Ramën, plus faktit që ka edhe Metën, një filorus i deklaruar me zë dhe figurë.
Kur dëgjojmë se Putin ka ndikuar për të bërë president amerikanin Trump, si nuk e sjellkërka edhe Berishën në Pushtet, me një të rënë të lapsit.
Nejse, PSja është lodhur nga pushteti dhe po bën gabime njëpasnjë taktike dhe politike, ka humbur balancat dhe ekuilibrat, është në delirin e madhështisë dhe ka humbur kontaktin me realitetin, ndaj dhe rrezikon të bjerë, por aq më keq rrezikon ta rrëzojnë me trazira.
Rama bëri dy gabime fatale, nxjerrjen e Berishës persona non grata, sepse e rikthehu në skenën politike, edhe më të ashpër se dikur, e bëri sërish faktor, vrau kësisoj Bashën dhe bahsallëkun kashtë, domethënë mbeti pa bastunin që e mbante në hapat e fundit të finishit për çdo fitore eklektorale. Veliajt për shembull, në 2023 i duhej patjetër akoma Basha, duhet të jeni të bindur për këtë. Tani nuk e ka dhe e humbi, sepse u ngut Rama për të bërë Berishën non grata.
Mos ndoshta bëjnë lojë amerikanët me Ramën? Mos ja bëjnë si Papadopoulos në Greqi, gjatë Juntës, ata e sollën, ata e mbajtën për vite, në fund e… Na lejohet, apo jo, ta mendojmë edhe këtë, ta parashtrojmë si tezë të mundshme.
Dhe gabimi fatalist më pas, që nuk e bën asnjë i pashkollë në skërkat e Mokrës, apo në Bathore, ishte ligji i famshëm i hapjes së dosjeve, që në shënjestër vendosi Metën. Rama me dorën e tij e ribëri edhe këtë person faktor, e rigjeneroi dhe e rikuperoi, për të ristartuar politikisht dhe partiakisht, si dhe i bëri njerëzit të thonë: është shumë i dobët, nuk u morr me korrupsionin e Metës, por me dosjet, sepse nëse do i tregonte një akt korruptiv Metës, ky do i tregonte dy akte korruptive Ramës dhe për rrjedhojë do të shthurej puloveri.
Po mbrojnë veten Berisha dhe Meta? Sigurisht! Por militantëve të partive të tyre u intereson kjo më shumë se kurrë, sepse edhe atyre u intereson vetja e tyre. Shumatorja e interesave vetjakë, krijojnë një Goliath interesash që nuk ka barrierë që i ndal. Populli është turmë, si pirg me shkarpa, duhet vetëm një shkrepse dhe gjithçka duhet analizuar me “logjikën e turmave”.
Sigurisht, të jeni të bindur, që nëse kjo protestë do të jetë e rrëmujshme dhe e dhunshme, patjetër që dyshja Berisha – Meta e kanë padyshim një aleat, apo edhe disa, përtej kufijve. Dhe nëse e kanë, Rama nuk do ta ketë të lehtë. Unë personalisht mendoj se protesta e 12 nëntorit do të jetë përplasje, këtë mund ta lexosh lehtësisht në fjalët, veprimet dhe në vetë mimikën e fytyrës të të dyve.
Po bëj një pyetje supozuese: Po sikur Berisha të jetë në dijeni edhe të gjithçkaje që ka hakeruar Irani në Shqipëri? E keni menduar ndonjëherë këtë? Unë shumë herë. Më duket sikur i ka hakeruar vetë Berisha. Personalisht e kam deri diku bindje që lidhjet e nëndheshme me Iranin i ka, aq sa i ka. E pra, e keni menduar se çfarë i ndodh shtetit shqiptar?
Më e pakta, nuk do të kemi tatime dhe sigurime shoqërore, thyhet sistemi, përsa i përket bazës së të dhënave, agjensi dhe struktura të tëra mund të kalojnë në kaos, mund të gjendemi në një shtet pa memorje institucionale elektronike, për të paktën 16 vitet e fundit.
Më 12 nëntor shumë shqiptarë do të shkojnë në protestë dhe do të jetë betejë. Ndaj vonuan besoj, sepse u organizuan.
Do të japë dorëheqjen Rama apo do të ngrehë shtetin më këmbë për t’u përballur me dhunën dhe përplasjen? Udhëheqësit e mençur, kur shikojnë agresivitet në turmë dhe përplasje, bëjnë një hap prapa dhe i drejtohen kompromisit për hir të humanizmit.
Ata, populli opozitar, e dinë ku është e tashmja, ata e dinë ku i çon e tashmja, dhe nëse në një moment dëgjojnë thirrjen “mos prit” dhe kur të mos kenë asgjë për të humbur, nuk do të presin. Dhe më duket se ka shumë nga ata që nuk kanë asgjë për të humbur. Dhe kur ka mes tyre edhe flakëhedhës, vetëflijohen. Kjo është turma e vuajtur, në thelb e rrezikshme.