“Jam e interesuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë”, tha kryeministrja italiane duke i dërguar kështu mesazhe të qarta dhe direkte Turqisë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni komentoi çështjen e migracionit dhe refugjatëve në Mesdhe, duke goditur Turqinë sërish.
Konkretisht, ajo iu referua bashkëpunimit të vendit të saj me Greqinë, ndërsa shprehu dëshirën që së shpejti të takohet me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Njëkohësisht ajo u pyet nga APE-MPE nëse konfirmon deklaratën e ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, se ishujt grekë të Egjeut i përkasin sovranitetit grek dhe nëse mendon të forcojë bashkëpunimin me Greqinë, duke filluar me emigracionin dhe luftën kundër çdo “lufte hibride”.
“Jam e interesuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë. Konfirmoj këtë deklaratë të Tajanit dhe konfirmoj gjithashtu se jam shumë e interesuar të punoj dhe të forcoj marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, por edhe me vendet mesdhetare në përgjithësi. Do të shikoni që ne do të promovojmë praninë e Italisë në frontin jugor.
Interesimi ynë është i madh, ende nuk kam mundur ta takoj kryeministrin grek, por spontanisht u gjendëm duke promovuar së bashku nisma të ndryshme”, është përgjigjur Meloni.
“Shpresoj ta takoj së shpejti dhe mendoj se edhe përsa i përket migracionit, duke konfirmuar sërish deklaratat e Tajanit, Greqia së bashku me Italinë, Maltën dhe Qipron (domethënë vendet që janë më të ekspozuara) janë ata që sigurisht e njohin objektin më të mirë dhe mund të punojmë në mënyrën më efikase për një zgjidhje”, shtoi kryeministrja italiane.
“Një zgjidhje në interesin e të gjithëve, sepse po flasim për kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe prandaj është një çështje që mendoj se duhet të jetë me interes dhe me të vërtetë është me interes për të gjithë. Por me siguri ne që jemi më të ekspozuarit kemi më shumë interes dhe njohuri për të bërë një propozim efikas. Është pikërisht kjo, që ne po bëjmë”, përfundoi ajo.