Të paktën 7 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në ishullin Iskia, mes tyre një i porsalindur dhe dy fëmijë. 5 persona të zhdukur.
Dy milionë euro akordoi qeveria italiane, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Qeveria italiane shpalli të dielën gjendje të jashtëzakonshme në ishullin dendësisht të populluar Iskia, i cili është rreth 30km nga Napoli (në jug) dhe u godit dy ditë më parë nga një rrëshqitje e tmerrshme dheu, shkaktuar nga shirat e dendur.
“Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Casamiciola është rritur në shtatë të vdekur, ndërsa të zhdukurit janë pesë”, tha prefekti i Napolit, Claudio Paloba, mbrëmjen e djeshme.
Viktimat e fatkeqësisë përfshijnë një të porsalindur dhe dy fëmijë.
Gjendje e jashtëzakonshme shpesh shpallet në Itali pas tërmeteve, shpërthimeve vullkanike ose reshjeve të dendura. Masa lejon proçedura të përshpejtuara për mobilizimin e fondeve dhe mjeteve, përfshirë ato të Mbrojtjes Civile, për të kryer ndërhyrje urgjente, apo për të krijuar struktura akomoduese. Këtë pikërisht bëri kryeministrja Meloni për të ndihmuar banorët e tragjedisë dhe gjithë ishullin.
Casamichiola, një qytet i vogël me 8.000 banorë në dimër, i njohur për burimet e tij të nxehta, në ishullin luksoz të Iskia, pranë Kapri, u godit në vitin 2017 nga një tërmet që mori dy jetë.
U shkatërrua pothuajse plotësisht, i njëjti qytet, nga një tërmet shumë më i fortë në fund të shekullit të 19-të.
Në terren, më shumë se 200 anëtarë të Mbrojtjes Civile dhe forcave të zbatimit të ligjit po kërkojnë të zhdukurit, ndërsa qindra vullnetarë, deri në gju në baltë, u përpoqën të pastronin rrugët.
Bagazhet dhe mbetjet e makinave dhe autobusëve të shtypur nga rrëshqitja e dhunshme e baltës dhe shkëmbinjve ishin pak a shumë kudo, ndërsa makineritë e ndërtimit përpiqeshin të krijonin akses në shtëpi, automjete, dyqane.
Urbanizimi shkatërrues
“Është një situatë që na lëndon të gjithëve, njerëzit u varrosën nën mal. Ky është një ishull dhe edhe nëse nuk e njohim të gjithë njëri-tjetrin, është pothuajse sikur e njohim njëri-tjetrin”, tha Salvatore Lorini, 45 vjeç, i cili ka lindur dhe jeton në Iskia.
“Mali u rrëzua, u shkatërruan dyqanet, automjetet, hotelet, e njëjta gjë ndodhi përsëri nëntë vjet më parë. Tani po pastroj dyqanin e vjehrrës”, shtoi ai.
Rrëshqitja e së shtunës u shkaktua nga mungesa e punimeve për kontrollin dhe parandalimin e përmbytjeve, “sepse natyra është natyrë, tërmeti kishte ndodhur, por një parandalim i vogël mund të kishte shpëtuar jetë”, sipas z.Lorini, i cili do të donte të shihte një sistem paralajmërimi, ndoshta deri për evakuim të banorëve në raste kushtet ekstreme të motit.
“Duhet të jem i sinqertë, nëse do të mundja, do të largohesha nga Casamiciola, tani e kam të vështirë të jetoj këtu. Edhe pse duhet të them se shtëpia ime i ka përballuar tërmetit, përmbytjeve”, tha Maria Lacono, duke shtuar se “shkatërrimi i thyen zemrën”.
“Jam pranë popullatës së ishullit Iskia që është prekur nga përmbytjet. Lutem për viktimat, për ata që vuajnë, për të gjithë ata që janë përfshirë në operacionet e shpëtimit”, tha nga ana e tij Papa Françesku.
Për Tommaso Moramarco, drejtor i Institutit të Kërkimeve dhe Mbrojtjes Hidrogjeologjike, i cili foli për agjencinë e lajmeve AGI, “në Iskia, urbanizimi ka shkatërruar të gjithë zonën”.
“Kur ishulli hyri në periudhën e turizmit masiv, zgjerimi i infrastrukturës u zhvillua në një progresion gjeometrik, duke mbytur të gjithë elementët e tij natyrorë dhe duke mbuluar gjithçka me çimento”, theksoi gjeologu Mario Tocchi në faqet e gazetës La Stampa, duke kujtuar se në Iskia janë ngritur dhjetëra mijëra ndërtesa arbitrare.
“Njerëzit duhet të kuptojnë se nuk mund të jetojnë në disa zona dhe se ndërtesat e ngritura në zona të rrezikshme duhet të prishen” i tha dje televizionit publik RAI guvernatori i Campania, Vincenzo de Luca.