Dyshja e “ekuilibristëve” pelivanë Rama – Meta, në balanca absurde.

Nuk e kanë aspak frikën se bazamenti (populli), mund të lëvizë, aspak! Masa poshtë tyre është e patutshme,  e palëvizshme, e patundshme, e ngurtë.

Monologu i pelivanit “M”: “Tjetërkush është ai që lëviz, është ai përballë, i barazvlefshmi mbi bazament,  i lëvizshmi, ai fatalisti që nëse bën përpara, unë bie i pari, nëse bën prapa, më lë mua të shikoj dy rënie (të tijën dhe timen). Sa do të doja tani të lëkundej bazamenti (populli), që fatalisti që më qëndron ballazi, të mos jetë gjysma e domosdoshme e balancës sime. Por gjëra që nuk ndodhin këto. Po sikur te hidhem? Jo, sepse fiton ai. Do të thonë më pas, se u hodha i pari. Por sikur të hidhet ai? Mos, sërish do të thonë, e hodhi. Sërish fiton ai. Këta poshtë duhet të lëvizin (por e thamë, nuk ndodh)!”

Miqtë e mi, këta dy pelivanët, e dinë shumë mirë, aq mirë sa e dimë të gjithë ne, se ai bazamenti i ngulur në tokë, nuk lëviz, ky popull jemi ne.

Fituam një ndeshje futbolli dhe solidaritet i paparë, turma nëpër rrugë, aheng, sepse sfera hyri në rrjetë, topi çau bllokun dhe loja u bë simbol i të ngulurve nacionalistë. Absurd, fenomene paraloge. Festa e futbollit me seanca disaditore nga shqiptarë, por nga ata “të vërtetët” vallaha, me gjak e zemër për Shqipni, ardhmëri, nacionalizmë dhe protagonizmë, nën dirigjim dhe regji, por jo nga shqiptarë si ne,  që tek sheshi nuk dolëm, ‘like’ në FB nuk bëmë, statuse nuk shkruam, qeleshe nuk blemë, tymuese nuk ndezëm, zërin nuk e çorrëm dhe si njerëz “kot” që jemi, nuk ndoqëm ndoshta edhe ndeshjen.

Kam një pyetje të gjatë, për këta shqiptarët e zellshëm, pjesë e atij bazamentit të pelivanëve: “Ku jeni ju dhe nuk dilni tek sheshi kur përmbyten shqiptarë, kur nuk rriten pagat, kur nuk rriten pensionet, kur rriten pagesat e studentëve, kur kërcet tritoli, kur shëmbën banesa, kur pritet energjia, kur rritet çmimi i petrolit, kur dhunohemi nga gjykatat, kur cënohemi nga tatimet, kur shqiptarë si ju jetojnë në varfëri ekstreme, kur jeta jonë është e pasigurt, kur shteti kundërmon korrupsion dhe shthurrje dhe kur atdheu ynë është një plehërishte e madhe?! Ku jeni ju?!”

Ua kam thënë dikur, po ua përsëris, nacionalizma juaj e ka një fytyrë, është kjo e Shqipërisë ku jetojmë. Hidhni sytë rreth e qark dhe vëreni kujdesshëm, më pas mendohuni, se ndoshta ndonjëri zgjohet nga errësira e prapambetjes dhe mosguximit, por kujdes, mos u shkundi edhe shumë, sepse keni pelivanët mbi kokë, ata të duhurit, të merituar për ju dhe nacionalizmën tuaj.

Këta pelivanët kanë një të përbashkët, janë të duhurit për ata poshtë që mbathën kokën me qeleshe. Por, këta pelivanët nuk janë të përputhshëm dhe as në sinkron mes tyre. Është çështje hapi mesa kuptoni. Pelivanë hesapi.

Mirë që ka dhe ca si ne, që bëjnë sehir nga larg (sehir në dukje), por  mbajnë edhe ndonjë shënim për kohët që vijnë.

Ekuilibër absurd, qeverisje paraloge. Nuk ka më interes as fundi, e dimë të gjithë ne “sehirxhinjtë” (se ata të bazamentit, ndeshjen e futbollit e kanë vitin tjetër)!

Kush bën një hap përpara, vdesin të dy. Kush bën një hap prapa, vdesin sërish të dy.

O bazament, po tundu o “tutkun”!

Por nuk tundet, kot e kemi!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Marine le Pen kërkon referendum për të dalë nga BE

Next Story

Marine le Pen kalon e 2-ta në raundin e 2-të

Latest from Opinione