Atje ku Shitet Dija Duhet të Bjerë Gongu – Mësimi ‘Online’ në Universitetin e Korçës, Eksperiencë “Portokalli”!

“Atje ku hapet një shkollë, mbyllet një burg”, thotë Hygo. Por në Korçë, ndodhi e kundërta. Hapën një Universitet që prodhon kontigjente për në burg, prodhon pedagogë që marrin lekë për të dhënë pesën kaluese, studentë që blejnë dijen dhe sekserë që mufaten tavolinave. Për rrjedhojë në Korçë nuk kanë hapur një shkollë në tipin që ka parasysh Hygo!

Studentët që shkojnë tashmë në Universitetin e Korçës, me përjashtime të pakta, janë studentë që vijnë me nota dhe mesatare shumë të ulët nga shkolla e mesme. Përse duhet të mbarojnë këta studentë arsimin universitar kur mund të mbarojnë një shkollë profesionale post-mature, ku do të mund të marrin një zanat?! Jo vetëm kaq, studentët bërnut të shkollave të mesme, kontigjent i universitetit, pasi mbarojnë nivelin Bachelor me mesatare 5,5 apo 6, dekanët dhe shefat i kalojnë për të ndjekur Master Shkencor. Si mund të ndjekë nivelin Master Shkencor një student me 5 kaluese nga niveli i parë? Ku tjetër në botë ndodh kjo? Askund!

Në këtë Universitet për të mbajtur disa Degë “gjallë”, hapur domethënë, mjaftuan edhe pak studentë të regjistruar sivjet, sa gishtat e një dore, të cilët i joshnin pedagogë për të shkuar, që këta të vazhdonin të merrnin pagën dhe të shijonin tezarjen. Kujt i shërben kjo degë e hapur me 5 studentë? Korçës sigurisht që jo!

***

Ka në këtë Universitet pedagogë të përsosur, qytetarë të nderuar, intelektualë që mbartin vlerat më të mira morale dhe qytetare, por ka edhe monedhofagë, përtypës, pedagogë që nuk dinë asnjë gjuhë të huaj në nivel akademik (C1), që nuk flasin dot rrjedhshëm asnjë gjuhë të huaj, që nuk mund të lexojnë dhe kuptojnë asnjë gjuhë të huaj, që nuk kanë bërë ndonjë studim shkencor, që artikulojnë keq edhe shqipen tonë të pasur dhe të bukur, por që sidomos në sezonin e provimeve krekosen dhe ngjeshen në monedha, me kartmonedha me aromë studentore, shpesh në valutë.

“Qytet me moshë monedhe, qytet me emër pese”, thotë dikush në qytet, duke i kërkuar ndjesë Linditës së madhe të këngës, që po ja përshtatim pak vargun, për rastin në fjalë. Një universitet që në orën 4 mbyll dyert dhe më nuk lëviz askush nga këta shitësit e dijes, një roje tek porta dhe një godinë fantazmë. Janë vetëm disa pedagogë që konsiderohen “guakë”, të cilët lexojnë dhe studiojnë përtej kësaj ore, kur “fabrika” mbyllet, për të pritur që të gdhihet dita tjetër, që fillon me një kafe të rehatshme në mëngjes dhe më pas “ka Perëndia”.

Ka me qindra denoncime për mitmarrje, ka me mijëra histori që na tregojnë studentët, sa e paguan provimin, kujt sekseri ja dhanë, si ju sillet pedagogia apo pedagogu pas marrjes së monedhave dhe historitë që tregojnë janë për netë dimri me gështenja. Një herë të vetme i la kryeministri të lirë studentët dhe ata shpërthyen në denoncime. Pse? Sepse studentët janë të lodhur me pedagogët e pangopur, që i shikojnë si monedhë. Fatkeqësi kombëtare, krim social, krim dhe vetëm krim. Nuk ka vend për turp, është krim kjo që ndodh me studentët.

Ka prokurori që të investigojë, të hetojë, të marrë në pyetje, të gjurmojë dhe pasi të ketë prova të ndëshkojë, që të pastrojë këtë vatër mitmarjeje, këtë gangrenë sociale me mantel pedagogjie, ku DIJA shitet, ku pedagogia/pedagogu është shitësi dhe studenti blerësi. I pari shet dijen, i dyti ble notën. Kush e ka nxjerrë “mallin” në treg, dijen pra? Shitësi padyshim! Ky duhet ndëshkuar, maksimalisht dhe nuk duhet më të jetë pjesë e mësimdhënies dhe e auditorëve! Kurrë më! Një pedagog që tregëton dijen duhet të konsiderohet kriminel, pa doza hiperbolizmi kjo!

Pata eksperiencën e hidhur, të trishtë, por edhe gajasëse, të dëgjoja mësimin online të një pedagogeje, që vetëm mësim nuk ishte. U lumturova që fëmija im nuk edukohet nga të tillë hibridë të mësimdhënies, për momentin, më pas më erdhi keq, thellësisht keq, për atë student që pret të mbartë dijen nga të tillë individë që përtojnë të bëjnë leksion, që niveli i mësimdhënies është bërnut, që fytyra, fjala jo vetëm nuk frymëzojnë asnjë të ri, por e pezmatojnë dhe ja zvordhitin shkollën e lartë.

Ministrja e Arsimit, një njeri që rastis ta njoh dhe ta vlerësoj, duhet të marrë masa të menjëherëshme, për kontrollin e pedagogëve, të titujve Master dhe Doktoratura të marra prej tyre, duhet të ndalë korrupsionin e shumave monetare që marrin për të kaluar studentë në provime, duhet të kapen sekserët që funksionojnë në rajon si “fshesa me korrent” të parave që japin studentët për një pesë kaluese, duhen kaluar nga provimi i njohjes së gjuhëve të huaja, që në fakt nuk njohin, por që kanë futur nga një çertifikatë në dosjet e fuskosura me kotësira, por duhet kontrolluar edhe forma sesi japin mësim, niveli pedagogjik dhe mësimdhënës i disave, që duket të jetë zero. Këta pedagogë/pedagoge kanë qënë të papërshtatshëm për të dhënë mësim në Universitet, por edhe kanë degraduar tërësisht teksa shtrohen drekave dhe darkave me një “viktimë” në tavolinë, teksa fryjnë xhepa me para të mallkuara prindërish që punojnë ditë e natë, por që detyrohen të paguajnë për një pesë kaluese për fëmijët e tyre, disa pedagogë/pedagoge që nuk bëjnë as mësim, që e shikojnë universitetin si institucionin ku do të fryjnë brinjët derisa të dalin në pension, duhen larguar me shpejtësinë e dritës.

Termin “life learning” këta llojë “dollapësh” të jetës universitare as nuk e njohin, ndonjë buletin akademik nuk lexojnë, kohë e pamjaftueshme mesa duket për shkak të dergjieve tavolinave të sekserëve dhe pagatorëve të provimeve, ndonjë konferencë nuk zhvillojnë, në ndonjë aktivitet nuk i sheh, në ndonjë shkrim në shtyp nuk bëhet fjalë që tua lexosh emrin ndonjëherë, në ndonjë studim as nuk bëhet fjalë që të marrin pjesë. Jetë kërkimore-shkencore nuk kanë. E si mund të jenë këta pedagogë?! Dhe të mendoni që paguhen me taksat tona, me paratë e shtetit!

E pse duhet të mbahet një Universitet parazit në funksion? E përse duhet të mbahen hapur disa degë me 5 studentë? Apo që të parazitojnë të ashtuquajturat “elitat” universitare të qytetit?

E përse duhet të vazhdojmë të prodhojmë, me pesë kaluese, mësuese pafund, që dalin nga universiteti më analfabete, sesa mbërritën atje nga shkolla e mesme? E përse na duhen këta të diplomuar “analfabetë”, që janë plaga edhe më e madhe për shoqërinë shqiptare?

E përse duhet një Universitet që i mëson individit që në embrion të formimit të tij, se gjithçka në jetë mund të blihet dhe të shitet, edhe dija?

E përse duhet një universitet çedukimi, tjetërsimi dhe analfabetizmi aktiv në këtë qytetin tonë, që fatmirësisht ka të rinj të mirë, nga familje qytetare, por që mësojnë sekserizmin në universitin ku duhet të brumosnin personalitetin, përkah dijes që duhet të mbartnin?

Janë disa degë në këtë universitet që shteti vlen të investojë. Janë në këtë universitet pedagogë/pedagoge që e kanë mision mësimdhënien dhe jo thjesht profesion. Por, përkrah këtyre ka hijena dhe monedhofagë, parazitë dhe atentatorë të brezit të ri, që duhen larguar urgjentisht nga vatra e mësimdhënies, edukimit, dijes dhe formimit të një të riu/të reje.

Ministre, bëje sot! Nesër do të jetë tepër vonë, sepse është vonë qysh sot.

Ruani privatsinë e studentëve dhe të informacionit që do t’u japin, bashkëpunoni me organet e hetimit, mblidhni prova dhe ndëshkoini SHITËSIT, PAZARXHINJTË E DIJES! Mos u mjaftoni me një rast, apo dy! I keni me shumicë dhe në drejtim pedagogët arpagonë dhe monedhofagë.

Njerëzit linden të paditur, por jo idiotë. Është pikërisht ky lloj edukimi universitar që i bën idiotë.

Njerëzit linden të paditur, por jo amoralë. Është pikërisht ky lloj mësimdhënësi, që i bën amoralë.

Këta studentë kanë një rini, një dhe të vetme, padyshim që duhet ta jetojnë ndryshe, krejt ndryshe dhe për këtë duhet të ndërhyjë urgjentisht shteti.

Po shitet dija, çfarë prisni të ndodhë më shumë? Ç’lloj rezidentësh do të jetojnë në këtë Republikë në dekadën tjetër?

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Skandal Tjetër: Studimi i "Judicial Watch" Fakton se në 353 Rajone të 29 Shteteve në Amerikë Regjistrat e Votuesve Kanë mbi 100% të Votuesve Legjitimë.

Next Story

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA William Bar, Urdhër për të Filluar Hetimet mbi Manipulimin e Zgjedhjeve - Do të Ndodhë Përmbysja?

Latest from Opinione

“Juda” i Padukshëm!

Mashtruesin politik mund dhe duhet ta nxjerrin zbuluar, mund dhe duhet ta akuzojnë publikisht, skeptikët dhe