Pandemia – Revolucioni i 4-t Teknologjik – Individi & Shoqëria!

Duhet të kemi mësuar diçka nga kjo pandemi, atë se lumturia jonë, janë njerëzit e tjerë. Kur ndahemi prej të tjerëve jemi fatkeqë, e mesa duket këtë e kishim harruar.

Kush është virusi në fakt? Mos jemi vetë ne virusi? Apo mos vallë virusi i ngjan llojit tonë? Mos ndoshta virusi vjen në një epokë kur ne personalisht i kemi tronditur, deri dhe prishur ekuilibrat socialë, politikë dhe ekonomikë?

Po përballemi me një krijesë, me një virus, në mes të një periudhe që kalon nga një krizë e madhe, një krizë që po shtrihet në dekadën e dytë të saj. Ajo që bën çudi është se përballemi me diçka për të cilën nuk jemi të informuar. Dhe kur përpiqemi të informohemi, ne që duam të informohemi, na trajtojnë si disi folklorikë. Por në fakt të vetmet grupime folklorike, deri dhe qesharake, përballë një pandemie dhe krize që vetë krijuan, janë qeveritë, shtetet, që po duket se janë totalisht të paafta të përballen me kriza, apo me një pandemi si kjo, që përveçse/megjithëse armë në duart e tyre, duket të jetë me tytën drejt tyre.

Mbaron një Revolucion i 3-të Teknologjik dhe po kalojmë drejt një Revolucioni të 4-t Teknologjik, që po rrethohet nga fenomene të çuditshme shkencërisht. Flasim për teknologji të reja, për inteligjencë artificiale, për industrializim robotik dhe të tjera si këto. Por, për këto direkt nuk na fliste askush, por as ne nuk interesoheshim për kurrëfarë informacioni, as edhe për kërshëri. Të gjithë merreshim dhe merremi vetëm me politikë logodiareje, apo ato që na interesonin, por që në thelb nuk ishin probleme, as çështje kolektive, sepse ne kemi kohë që na është injektuar individualiteti dhe jemi bërë armiq dhe fobistë kundrejt kolektives/kolegjiales.

Jetojmë në një periudhë tranzitore, mes së cilës po përballemi me shumë probleme, si me papunësinë për shembull, të cilën po përpiqen ta fashitin qeveritë me punësimin nga shtëpia, apo punësimin online. Dhe përballë këtij problemi madhor, papunësisë pra, vjen teknologjia me shitjet dhe blerjet online. Ja imagjinoni sikur të mbyllen të gjitha super marketet, dyqanet dhe të gjithë të funksionojnë me shit-blerje online. Sa mijëra, qindra mijëra, miliona dhe dhjetra milionë njerëz do të mbeteshin pa punë. Direkt, nëse ndodh, do të kemi probleme me vetë sistemin socio-politik, me vetë republikën, me demografinë dhe me sistemin ekonomik.

Duhet të mendojmë se Teknologjitë e Reja na kanë sjellë një periudhë tranzicioni të thellë, shoqëruar me shumë problematika.

Blejmë me kartë bankare tashmë, një pjesë e madhe prej nesh. Disa flasin për kriptomonedhën, por askush nuk e di se çfarë është në thelb ‘bitcoin’, apo të tjera kriptomonedha. Asnjë specialist nuk na flet, por edhe kur na thotë diçka, na thotë vetëm ndonjë gjë pozitive.

Një fenomen që po shfaqet në mënyrë të theksuar janë ulja e numrit të punonjësve nëpër banka. E keni vënë re këtë fenomen? Janë gjithashtu këto banka që emetojnë kriptomonedha, por askush nuk di asgjë, nuk informohet për asgjë dhe prej askujt. Edhe qeveria shqiptare ka kaluar ligj për kriptomonedhat, por sërish të gjithë nuk angazhohen me këto çështje, që gërshetohen me futjen e teknologjive të reja, por që kanë ndikim direkt në ekonomi dhe në jetën e gjithësecilit. Kur dikur, disa flisnin për kriptomonedhën, të tjerët i klasifikonin si konspirativë. Por ja që nuk ishin të tillë, ishin veçse zbulues të së vërtetës së fshehur të qeverive, që nuk duhej të bëhej e njohur në ato momente.

Menjëherë pas kësaj, mund t’i kthehemi pandemisë së ashtuquajtur, që është direkt e lidhur me ndryshim e madh, me këtë tranzicion tronditës që duan të sjellin në glob, për të përmbysur sistemin aktual dhe për të vendosur një rent të ri gjërash. Për shembull, Gjermania votoi në parlamentin e saj, para pak ditësh një seri masash që do të marrë në emër të Coronavirus-it, masa drastike kufizuese. Në emër të virusit po merren masa dhe po ndërhyjnë në ekonomi, në financa, në arsim, në mjedis, në shëndetësi, në tregti. Dhe masat nuk janë të përkohshme, që të mos na gënjejë mendja, janë masa që vijnë për të qëndruar gjatë, nëse do u lejojmë qeverive, oligopersonave të vendosin për ne, pa ne. Pa më të voglin dyshim po shkojmë drejt një vetmie sociale.

Modeli i Teknologjive të Reja, që duhet të penetrojë në mënyrë direkte në të gjithë sektorët e jetës, deri më sot ndihmohej nga kriza, sot iu shtua edhe një tjetër instrument ndihmës, që është pandemia, e cila ndihmon në marrjen e masave, e cila ndihmon në zyrtarizim ligjesh dhe proçedurash, për të konsoludiar dhe kalçifikuar strategjinë globale.

Nëse specialistët dhe shkencëtarët do të flisnin dhe do u shpjegonin njerëzve çfarë po ndodh për mirë apo për keq, njerëzit do të kuptonin. Por, duket se shkenca dhe specialistët e fushave, pasojnë vijën politike dhe nuk po shkundin themelet e këtij tranzicioni, për të nxjerrë në pah të vërtetën. Këtu, pikërisht këtu ngrihet çështja e moralit të shkencës. Sepse po shikojmë specialistë sektorësh, njerëz të shkencës që po kthehen në panikmbjellës. Dhe është momenti që të paktën për pandeminë, shkencëtarët më mirë të thonë “nuk dimë asgjë për coronavirus-in” dhe të bëhen palë me njerëzit, për të vënë qeveritë përpara përgjegjësisë.

Shkencëtarët dhe specialistët sot, nuk po eksperimentojnë virusin, as nuk po merren me të, nuk kanë kohë fizike, sepse mbetën ekraneve të kanaleve mediatike, shkencëtarët sot, po eksperimentojnë për llogari të qeverive me njerëzit dhe shoqërinë në përgjithësi. Të gjitha këto, në kohë të një teknologjie tejet të zhvilluar. Pse? Përgjigjen e kemi brenda vetes gjithësecili, në formën e tij, me një konkluzion thuajse iden.

Shkencëtarët nuk i vrasim kur bëjnë gabim, sepse mes qindra gabimeve del e vërerta. Por, shkencëtarët duhet të izolohen nëse bëhen palë e strategjive politike dhe i shmangen shkencës. Shkenca nuk lidhet me politikën, sepse shkenca është e natyrës ekzakte dhe nuk është lojë politike, duke i rimëshuar moralit të shkencës. Dhe nëse shkenca, mbi fakte, ka opinion qoftë edhe të kundërt me atë të strategjisë së qeverive, duhet ta thotë, ta shpalosë dhe ta bëjë publike.

Shpërthimi i Revolucionit Teknologjik duhet të jetë një armë në duart e shkencëtarëve. Këtë pret çdokush. Por ja që nuk ndodh, sepse mesa duket shkencëtarët janë kthyer në hallka të zinxhirit të ekonomisë së tregut, nëpunës të paguar. Sigurisht jo të gjithë.

Po ju sjell një shembull, atë të Elon Musk, një industrialist inxhinier, shkencëtar në fushën e tij, me një qendër kërkimore-studimore madhështore, CEO i SpaceX, i cili lëshoi në hapësirë para pak kohë 1500 satelitë dhe shpenzoi për këtë afro 12 miliardë dollarë. Dhe ne të gjithë thoshim se këta satelitë Musk i lëshoi për të bërë më të shpejtë komunikimin tonë. Domethënë Elon Musk jep miliarda dollarë që ne të flasim me miqtë me shpejtësi më të madhe në aparaturat tona, apo që të bëjmë më shpejt ‘download’ ndonjë film dhe nuk mendoi kush, për të thënë “çfarë bën ky njeri me këta 1500 satelitë?”.

Por ja që Elon Musk personalisht ka dhënë disa intervista dhe ka folur se këta satelitë do i përdorë për të zhvilluar inteligjencën artificiale, dhe nuk flasim për robotë, por për një inteligjencë artificiale që e shndërron njeriun në strukturë humane të orientuar, të programuar, që do të thotë transformim me injektime elektronike brenda njeriut. E thotë vetë Musk, por këto video nuk i shikon dhe as nuk i dëgjon kush, këto video nuk qarkullojnë gjerësisht në rrjet. Për rrjedhojë ky njeri, do të thoshte dikush në gjuhën popullore, duhet përmbledhur.

Ky njeri ka marrë lejë për 1500 satelitë, kur një shteti, për të dërguar satelitë në hapësirë, i japin, një, apo dy, apo tre lejë me shumë vështirësi. Por askush sërish nuk po ngre pyetjen: “çfarë fshihet prapa kësaj që po bën Musk?”

Avantazhet e Revolucionit të 4-t do të jenë të mëdha, nëse do të mund të parashikojmë disavantazhet që do të hasen dhe që do të rëndojnë, apo cënojnë njerëzit, për t’i minimizuar ato paraprakisht.

Por a është gati shoqëria për këtë? Sigurisht që jo! Shoqëria është shumë larg teknologjisë ende dhe nuk arrin të kuptojë atë që realisht po ndodh me zhvillimin e padukshëm të teknologjive, me një plan strategjik politik të qeverive.

Kompjuterin që kemi sot, harrojeni se do e kemi pas 5 apo 10 vitesh, kompjuteri ekstatik do të jetë në duart e gjithkujt.

Duhet të bëjmë kujdes të veçantë, sepse zhvillimi me ritme tmerrësisht të shpejta i teknologjive do të shtojë papunësinë, do të ulë mirëqënien, ndaj dhe ulja e numrit të popullsisë duket të jetë objektiv primar i qeverive globaliste.

Demokracia që kemi nuk është demokraci, por e fshehim të gjithë. Edhe grekët demokracinë e krijuar teorikisht, sepse edhe atje demokracia ishte personokratrike. Për të mos folur për gjetiu, por ishte Athina ajo që vrau Sokratin, apo që internoi Aristidhin e Drejtë, pikërisht sepse ishte i drejtë.

Kjo Demokraci që kemi nuk është demokraci, por Respublikë, që do të thotë që materia të kthehet në produkte të lira për të gjithë dhe emërtohet si Sistem Social i Interesit Publik. Pra, në një sistem të tillë jetojmë, të interesit publik, interes që drejtohet dhe orientohet nga “të mëdhenjtë”, nga pakica njëshifrore 1% e popullsisë. Mesa më sipër, duket të jetë një sistem që shkon drejt shkatërrimit, apo shpërbërjes, me plan dhe qëllim.

Por ky Revolucion Teknologjik dhe Industrial ka për të ndryshuar strukturën e ekonomisë, këtu duhet të jemi të gjithë të vëmendshëm, sepse duket se po vjen për të patur më shumë disavantazhe për njerëzit, sesa avantazhe, teksa do të ndryshojë modelet e prodhimit, riprodhimit, do të ulë mundësinë e punësimit globalisht, por sigurisht ndihmon sferat e influencës, ndihmon gjeostrategjitë dhe të tjera fusha të “interesit publik” që nuk menaxhohen dhe as orientohen prej njerëzve.

Mes kësaj Pandemie dhe teknologjisë, ku e para shërben si “shkollë edukimi” dhe e dyta si aplikacion i një sistemi, do të bëhemi “kafshë” shtëpiake, apo ndoshta do të zhdukemi edhe si lloj? Domethënë njeriu i pas 20 viteve nuk do të ketë ngjashmëri me këtë të sotmin?

Asnjë shkencëtar dhe specialist nuk na flet për këto. Por të gjithë na thonë “qëndro në shtëpi”, “distancim social”, “vendos maskën, maska shpëton jetën”, teksa deri dje na thonin të kundërtat.

Ndaj dhe theksojmë se zhvillimi i deritanishëm teknologjik, kishte të bënte me kompjutera dhe robotë, me sistemet e informacionit dhe informimit, përpunimit të të dhënave, prodhimit dhe transporteve dhe të tjera. Kurse ky Revolucion Teknologjik që vjen, ka të bëjë, apo po prodhon inteligjencën artificiale, me teknologji të tipeve të tjera, me fenomene të dyshimta, me nevrofiziologji dhe me penetrim në sferën mentale të individit, e pra ky Revolucion bën fjalë për shndërrimin e njeriut në diçka tjetër.

Çfarë kërcënohet mes Teknologjive të Reja? Thellimi i pabarazive që ekzistojnë në nivel global. Nëse horizontet që hapin Teknologjitë e Reja janë pro shumicës, në funksion të zbutjes së pabarazive, atëherë përgjegjësia bie mbi qeveritëtë të cilat duhet të përballen me ritmet e shpejta të zhvillimit të tyre, për të hartuar strategji përshtatjeje të njerëzve. Dhe ky është diskutimi më i madh që duhet të bëjnë drejtuesit e qeverive sot dhe të gjithë ata të mirëpaguarit sejmenë të tyre, arpagonë të të mirave që ofron pushteti, për të krijuar terrenin e përshtatshëm, për të sjellë teknologjinë në shërbim të të gjihtëve, ose për ta lokalizuar atë në sektorë të veçantë, për të mos prekur, apo për të moscënuar strukturën socio-ekonomike dhe as shpërndarjen gjeografike të popullsisë, për të ruajtur ekuilibra dhe raporte.

Por ja që pjesa më e madhe e popullsisë globale nuk e ndjekin dot shpejtësinë e zhvillimit të teknologjive dhe jo më të jenë të aftë të adaptohen me to, apo edhe më e vështirë për t’i përdorur ato.

Por deri më sot, teknologjia e thjeshtë ka hyrë në çdo familje, ka prekur çdokënd, por në nivelin më të ulët të saj, mes telefonit të zgjuar, mes aplikacioneve dhe rrjeteve sociale, që në fakt kanë emrin më të gabuar të mundshëm, pasi e kanë shkëputur tërësisht njeriun dhe e kanë kuadruar atë në një ekran disa inç, e kanë veçuar dhe izoluar, e kanë bërë më shumë lavatriçe informacioni viziv, sesa qëmtues të dijes dhe njohurive. Paralel me këtë situatë të shkaktuar nga teknologjia, vjen një Pandemi, mes një krijese laboratorike, ku i kërkohet njeriut të qëndrojë në shtëpi, të mos socializohet më dhe të mjaftohet me ekranin e vozitjes vizive, apo të angazhimit të paesencë, në thelb humbje kohe, për më të shumtët e njerëzve.

A mos është kjo veç të tjerash, edhe një parapërgatitje e njerëzve për atë që do të pasojë, pranë apo disi më larg në kohë? Dyshoj se po, sepse kam parasysh thënien e lashtë se “të vërtetat e mëdha, tek njerëzit me intelekt i mbulon dyshimi”.

Pandemia dhe Teknologjia pa më të voglin dyshim janë duke na cënuar lirinë, privatsinë, jetën dhe të drejtat. Ndaj dhe ne duhet sot të alarmohemi dhe të organizohemi për të ruajtur identitetin dhe pacënueshmërinë e krijesës më të lartë, njeriut. Për këtë nuk na duhen algoritmet e teknologjisë, as dinakëria e pandemisë, por kurajoja dhe trimëria e shpirtit, frymës, logjikës dhe koshiencës, që na bën të veçantë, të përzgjedhur, të ndryshëm dhe zotër të rruzullit.

Revolucione teknologjike po shikojmë për dekada dhe shekuj, kanë padyshim pozitivitetet, kanë ndikuar dhe ndihmuar thelbësisht jetën në të gjithë sektorët socio-ekonomikë. Pyetja që shtrohet është: Revolucion në mendimin tonë kur do të shohim? Sepse po ngjason që mendimi ynë shpejt a vonë do të jetë një ‘software’, disa algoritme, instaluar brenda nesh, për të përballuar çdo masë kufizuese, çdo masë drastike, për të qënë kafshë “të denja” shtëpiake për sistemin e ri, që forcërisht dëshirojnë të na e imponojnë.

Një vend nuk mbahet me të vdekur të lavdishëm, por me të gjallë humanë, të virtytshëm dhe të guximshëm. Nëse ende ka të tillë, ka shpresë!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

RAPORT: Gjeneri Flynn Raporton se Forcat Speciale Amerikane Sulmuan Fermën e Serverit të CIA-s në Gjermani dhe Konfiskun Serverat - 5 Ushtarë të Vrarë për Servera të Siguruar.

Next Story

Trump i Kërkon Sekretares së Shtetit të Georgia-s të Tregojë Firmat dhe Zarfat në Votën e Postës - Nuk Ka më Thjesht!

Latest from Opinione

Perëndi, Biri!

Perëndia i Përjetshëm, Biri, u mishërua me emrin Jezu Krisht. Nëpërmjet Tij u krijuan të gjitha,