Sipas Bismarkut, politika është arti i së mundshme. Për rrjedhojë, teksa në PD ndodhin të pamundshme dhe të pamundura, do të thotë që kjo që ushtron PD-ja nuk është politikë.
Dhe paralelisht Basha na vërteton vullnetshëm mes kandidatëve në lista thënien e Bonopartit se “në politikë idiotësia nuk është mangësi”.
Hazardi politik në krye të PD, edhe për njëherë tjetër e shiti garën elektorale, duke pozicionuar në listat e qarqeve, të panjohur, të konsumuar, të paditur dhe mbi të gjitha njerëz mes të cilëve nëpërkëmbi sistemin e vlerave në strukturën politike dhe demokracinë e brendshme.
Sot është nata e fillimit të shkrirjes së Partisë Demokratike dhe atrofizimit të saj politik.
230 mijë ishin ata të cilët të revoltuar nga listat e PD-së në vitin 2017, i kthyen shpinën Bashës dhe bashallëkut dhe nuk i dhanë votën.
Listat në qarqe sot, në vitit 2021, as nuk mund të krahasohen më me ato të 2017-ët, regresi është i dukshëm dhe padyshim i qëllimshëm. Të gjithë kandidatë të mbledhur dhe të qëmtuar për të dëmtuar sa më shumë PD-në në të gjitha Qarqet. Lista emërore që fyejnë të djathtët e çdo qarku, që pezmatojnë të revoltuarit me Ramën dhe që stepin çdokënd për t’i dhënë një shtysë “makinerisë” partiake për ta sjellë atë në pushtet qeverisës.
Sërish një garë e shitur!
Sërish një betejë e braktisur!
Sërish një kryetar i papërgjegjshëm!
Sërish një maskaradë elektorale!
Sërish me qindra mijëra të djathtë nuk do të kenë motiv të votojnë, as alternativë!
Një e djathtë pa identitet politik, një e djathtë ku kreu shporri dhe ekzekutoi çdo konservator, të djathtë demokrat të mirëfilltë dhe emëroi “idiotët” e dobishëm, që i duhen për të përmbushur qëllimet mikro dhe makro-politike! Krim!
Fundi i një epoke!
Padyshim që me këto lista, Partia Demokratike nuk e kalon dot pragun e 38-40 deputetëve në rang vendi!