Mandati i parë filloi për Ramën me Bashën përballë, shtator 2013, me shirita “skenë krimi” ndaj bixhozit dhe u mbyll me PD-në në bashkëqeverisje me PS-në dhe me një fitore spektakolare të Ramës në vitin 2017, me Bashën nën sqetull.
Mandati i dytë filloi me Bashën përballë sërish, me Ramën që pati të gjithë tepsinë përpara, të tijën dhe për vehte, pa minj dhe pëllumba galagulë dhe u mbyll me një PD pandemike, të intubuar nga Rama dhe me një fitore triumfale për të dhe partinë e patronazhistëve, që tronditën Bashën dhe Metën, me këtë të parin, sërish nën sqetullën e Ramës.
Mandati i tretë nuk mund të nisë si dy të parët, sepse nëse ndodh kështu, Ramës i zbehet statura pokitike, autoriteti i tij çedon dhe katandis bajat debati parlamentar, duke patur sërish Bashën përballë. Rama duhet të rinovojë mandatin e tij të tretë, jo mes strategjish, por me një opozitë me fasadë dhe kryetar tjetër.
Rama më mirë se kushdo e di mirë që mandati i artë, ku i treti pra, nuk mund të jetë sërish mandati i duetit Rama – Basha, i Berishës në parlament mes përçartjesh, apo i Metës president dhe Monës me çizme. Kurrësesi! Ndryshimi i opozitarëve me të cilët do të duhet të përballet në parlament dhe në skakierën politike, do e rinovojë tërësisht politikisht Ramën, ndaj dhe strategjia dhe plani i tij po punojnë si orë zvicerane.
Dy mandatet e para gjithashtu ishin mandate pa goditje kundrejt kundërshtarëve, pjesë e tepsisë dhe qeverisë, apo e kulisave të marrëveshjeve, sidomos këto me Bashën, një monedhofag i spikatur ky i fundit, që PD-në e ka shndërruar prej 8 vitesh në sipërmarrje private.
Ramës përveçse i duhet dikush tjetër përballë për ta zgërlaqur dhe cfilitur mes fraziologjish të ngarkuara me epitete dhe arrogance të pashoq, në këtë mandat ai po vesh, ende pa filluar, mandetilin e autoritarit, duke marrë koka. “Dhe sa mirë që po bën” – thotë populli, por ende me dyshimin nëse do i shkojë në fund apo jo! Dhe duket se do i shkojë deri në fund dhe veç Berishës, Metës dhe Bashës, do të bëjë një spastrim edhe në radhët e tij, padyshim do të mbetet në histori, por kësaj here, apo gjatë kësaj periudhe duke patur Agronin “piccolino” politik përballë, që populli të bindet përfundimisht që njëshi është Rama dhe tjetër nuk ka. Duket se po ja arrin me sukses.
Mes goditjes së Berishës, goditjen më fatale, Rama ja dha indirekt Bashës, të cilin e përdori dhe tani do e flakë në rrugë për ta ngrënë qentë. Në xhunglën e parlamentit luani nuk do të ketë më përballë gërdallën politike të PD-së, Berishën, as edhe gjirafën me kapistall, Bashën, por më të voglin nga kafshët e pyllit politik, Agronin.
PD-ja është një parti e pjellë nga mëma PPSH, kush i djathtë dyshon që PD-në nuk e menaxhon Rama, nuk i vlerësoj as idealizmin dhe i vë në dukje verbërinë politike.
Sa për Kadillë dhe bandillë që kandidojnë si Donkishotë, i duhen në fakt edhe këta Ramës, sepse marrin vota nga stani i Bashës, që Agroni të fitojë më lehtë, sepse strategjinë e drejtimit të PD-së e ka në dorë vetë pozita, kreu i saj, sepse opozitë që prej vitit 2014, NUK KA. Kush dyshon, ata që dyshonin edhe për fitoren e tretë të Ramës, ndoshta duhet të presin edhe pak ditë për të parë kush do të jetë kreu i ri i PD-së.
“Ky njeri përpiqet t’i ngjajë Diogjenit, por nuk mundet t’i ngjasojë as qenit të tij” (Volteri). Pse vallë e mbylla me këtë frazë? Kë kisha ndërmend vallë? Bashën apo bashallëkun?