Një legjendë e shekullit të 19të thotë se e vërteta dhe gënjeshtra u takuan dikur. Gënjeshtra e përshëndeti të Vërtetën duke i thënë: “sa ditë e bukur sot”. Për t’u siguruar, e Vërteta hodhi një vështrim përreth dhe në qiell, dhe me të vërtetë dita ishte e bukur.
Ecën pak derisa arritën në një pus të madh plot me ujë. Gënjeshtra zhyti dorën në ujë dhe u kthye nga e Vërteta duke i thënë: “Uji është i këndshëm dhe i ngrohtë. Dëshiron të notojmë së bashku”? Sërish e vërteta ishte dyshuese, ndaj e provoi ujin me dorën e saj dhe me të vërtetë uji ishte i ngrohtë. Kështu që, të dyja hynë në ujë dhe notuan për shumë orë, kur befas Gënjeshtra doli nga pusi, veshi rrobat e së Vërtetës dhe u zhduk.
E vërteta e zemëruar doli lakuriq duke vrapuar gjithandej në kërkim të Gënjeshtrës për t’i marrë rrobat. Njerëzit që e shikonin të Vërtetën të zhveshur, kthenin kokën mënjanë nga turpi, të tjerë e shikonin me inat. E gjora e Vërtetë, e turpëruar, iu drejtua pusit dhe u fsheh atje përjetë.
Qysh atëherë, Gënjeshtra qarkullon pa e ngacmuar askush, e veshur me rrobat e së Vërtetës, duke kënaqur dëshirat e botës, një botë që në asnjë mënyrë nuk dëshiron ta shohë të Vërtetën e zhveshur.