Në Prag të Luftës Botërore

Që prej gushtit të këtij viti bota është në pragun e një Lufte Botërore, historia do të regjistrojë një luftë “aroma” e së cilës ishte në nuhatjen e atyre që janë zgjuar, të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për ato që ndodhin prej vitesh tashmë.

Filloi që në vitin 2014 me marrjen e Krimesë, por edhe më thellë ndër vite që në fillimet e globalizimit, që në thelb ishte globalizimi i prodhuesve dhe tregjeve ekonomike, që morën apo donin të kishin në duart e tyre ekonominë globale, gjë që përbën një tjetër shkak për luftë, sepse në thelb nuk ishte një globalizim politik, apo globalizim që bënte fjalë për fatet e popujve dhe sjelljen më pranë mes tyre.

Analistë të shumtë në botë kanë vite që flasin për këtë, por mjetet e propagandës në bombardim desinformimi nuk i sillnin këto analiza në qendër të vëmendjes për popujt. E si mund të ndodhte ndryshe?

Edhe sot, nëse shikojmë Amerikën, që po kryeson përplasjen e forcave perëndimore kundër Rusisë, nuk është marrë asnjë masë as në nivel brenda vendit, as në nivel global, për të shmangur përplasjen me Lindjen. Kur del Gjermania, Franca, Amerika dhe të tjerë dhe të vetmin qëllim që shfaqin, është që të mos fitojë Rusia, ky është direkt një përshkallëzim për Luftë Botërore, por me një tjetër formë dhe ndryshe nga luftërat e tjera ku kishte përplasje paralele në disa fronte, që në fillimet e tyre.

Por duhet të shikojmë me vëmendje faktin se, u bëhet ftesë Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, duke i detyruar këto vende që t’i bëjnë atentat, apo puç kushtetutave të tyre. Pse duhet të jenë në NATO Finlanda dhe Suedia? Dhe flasim për vende me liberalizëm politik, me histori të madhe të liberalizmit ndërpolitik gjithashtu, për vende ku ligji dhe rregulli nuk vihen në diskutim prej askujt dhe për asgjë. Por ja që sot thirren t’i bëjnë atentat kushtetutave të tyre, për t’i vendosur edhe ato përballë Rusisë, si anëtare të NATOs.

Sa luftëra ka bërë Amerika dhe NATO në këto 30 vite? Disa, për të mos thënë shumë luftëra. Sa luftëra ka bërë Rusia? Krahasimi na del negativ për Perëndimin.

Europianët e përgjegjshëm prisnin që në këto momente të gjitha vendet të respektonin Nenin 53 të OKB-së, për të cilin po ngrehin zërin një pjesë nga ne, që bën fjalë se një vend mund të sulmojë nëse kërcënohet, por paraprakisht ezaurohet periudha e negociatave për paqe. Ku është Këshilli i Sigurisë dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të sjellë palët në negociata?

Gjithçka duket që është një strategji e orkestruar për të patur përplasje, që ka filluar që prej vitit 2014. Të dyja palët, edhe Amerika, edhe Rusia lanë në heshtje gjithçka, Europa peng i palëve ishte në tjetër orbitë, koha kaloi, limitet e saj mesa duket përfunduan dhe sot jemi në operacione ushtarake mes palëve, në Ukrainë.

Në Janar të vitit 2015, OKB-ja kishte hartuar planin e marrëveshjes Minks për paqe. Kur u implementua ky plan? Kurrë! Ku u implementua? Akund! Kush e implementoi? Askush! Pse?!

Mendohet që në këtë luftë do të hapen dy fronte, pas Ukrainës.

Njëri front do të jetë në veri të Rusisë, në zonën e Finlandës. Rusia në Luftën e Dytë Botërore duhet të kujtojmë se ka hyrë në Finlandë për të goditur palën kundërshtare (dhjetor 1939, janar 1940, që u quajt dhe “Beteja e Dimrit”), ndaj dhe Finlanda në Kushtetutën e saj ka vendosur paanshmërinë, teksa u gjend viktimë e luftës mes dy palësh potente. Por sot shikojmë një Finlandë së cilës i bëhet ftesë të hyjë në NATO dhe padyshim që Rusia nuk mund të pranojë të ketë NATOn në kufijtë e shtetit të tij. Ky vendim i Perëndimit për ta futur Finlandën në NATO, do të hapë detyrimisht atje front lufte.

Ndërsa fronti i dytë që mendohet të ndizet është Ballkani. Kur Amerika sjell 14 mijë trupa në Ballkan, kryesisht në Bosnjë, e ka një arsye. Çfarë bëjnë këto forca ushtarake amerikane në Ballkan?

Por në Ballkan shikojnë edhe të tilla fenomene, tejet të fshehura për njerëzit që përpiqen të nxjerrin të përditshmen e familjes së tyre, për shembull, në Bosnjë ka forca politike që shprehin dëshirën për ribashkim, si dikur me Jugosllavinë, edhe pse asnjë informacion nuk jepet për këtë. Nga ana tjetër Kisha e Serbisë gjen gjuhën e përbashkët për herë të parë dhe njeh Kishën e Maqedonisë së Veriut, që është ndarë nga Kisha Serbë në vitin 1967. I heq emërtimin si Kisha e Maqedonisë dhe e quan Kryepishkopata e Ohrit dhe kështu vendoset paqja dhe marrëdhënia e ngushtë mes Kishave. Theksoj këtu se Kisha në këto dy vende ka ndikim maksimal në popull.

Ndërkohë baza ushtarake amerikane ndodhet në Kosovë, në zemër të problemit në Ballkan.

Po e them sërish se janë thuajse të gjitha vendet e ish Jugosllavisë që diskutojnë sot një ribashkim në underground-in e kontakteve mes tyre, me një Serbi që padyshim e dëshiron këtë si asgjë tjetër (kujto “Open Balkan”).

Amerikanët vendosën të përforëcojnë forcat e tyre dhe të NATOs në Ballkan, por brigadë ushtarake në Serbi ka edhe Rusia, në kufij me Kosovën. Të gjitha këto që përmend, janë material, ‘lëndë e parë’ lufte.

Dhe të mos harrojmë se jo më larg se nëntori i vitit 2019 NATO-ja, drejtuesit e saj kanë folur për përdorim armësh bërthamore dhe se përdorimi i tyre mund të asgjësojë 1 miliardë njerëz. Nuk e kam kuptuar kurrë qëllimin e bërjes publike të këtyre fakteve, nga goja e drejtuesve të NATOs.

Diplomacia është lënë mënjanë, pa asnjë rol dhe gjithçka është përplasje interesash.

Por që në kohën e Iraklitit, ai vetë do të citonte: “Ati i të gjithave, Lufta”. Ja ky është karakteri i luftës, kundërshti dhe mosmarrëveshje që popujt nuk i zgjidhin dot me paqe dhe negociata, detyrimisht i zgjidhin me armë.

Një front tjetër mund të jetë edhe Egjeu, përplasja mes Turqisë dhe Greqisë, por këtu ka një tjetër format interesash gjeopolitike dhe kemi një Turqi që vërtet është asnjanëse, por askush nuk ka dëshirë ta bëjë palë reale, që automatikisht të quhet kundërshtar i palës tjetër. Ndërsa Greqia ka sërish komoditetin gjeografik, i përket Perëndimit, është e krishterë, por ka disavantazhin ekonomik, megjithëse ushtarakisht i ka aftësitë dhe përkrah saj mund të shfaqen si aleate edhe forca kundërshtare mes tyre, kjo edhe për shkaqe historike. Por asnjëherë nuk përjashtohet që Erdogani i nxitur nga njëra prej palëve të bëjë incident në Egje, që do të mund të përdoret edhe si shkak i hapjes së fronteve të tjera.

A është Putin duke bërë një luftë të drejtë? Këtë do ta gjykojë historia.

Fakti që nuk u ezaurua diplomacia, nuk u bënë përpjekje për negociata paqvënëse, do të thotë që palët kryesore, Amerika dhe Rusia e donin Luftën, kurse Europa gjendet në lojë, apo në “valle” për inerci të vasalitetit të saj tek Amerika dhe politikave të saj globaliste.

Mbetet të inkurajojmë veten mes shprehjes “pas Luftës ka gjithmonë Paqe”!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Ish-Kancelari Gjerman Gerhard Schröder: "Krimea është Ruse – Pikë!"

Next Story

BE - Ministrat e Energjisë Tërhiqen - Nuk Vendosën Dot Çmimin Tavan për Gazin Rus

Latest from Opinione