Nuk u bë takimi mes Papës dhe Patriarkut të Moskës Kiril.
Papa Françesku paralajmëroi sot nga Kazakistani kundër “instrumentalizimit të fesë”, duke kritikuar indirekt Patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse Kiril, mes tensioneve diplomatiko-fetare që lidhen me luftën në Ukrainë.
Duke hapur një forum ndërfetar në kryeqytetin Nur-Sulltan, ku morën pjesë udhëheqës fetarë nga e gjithë bota, Françesku bëri thirrje që “dhuna të mos justifikohet kurrë”, një tjetër kritikë ndaj Patriarkut Rus, i cili i ka quajtur “forca të së keqes” ata që kundërshtojnë ndërhyrjen ruse.
“Feja nuk duhet të jetë një aksesor i pushtetit dhe pushteti nuk duhet të jetë një aksesor i fesë” tha Françesku duke u duartrokitur nga anëtarët e 100 delegacioneve, nga 50 vende.
Në verë, Papa kishte thënë për Kirilin se ai nuk duhet të shndërrohej në “djaloshin e korit të Putinit”, një deklaratë që zemëroi Patriarkun Rus. Megjithatë, sot, Papa pati një bisedë 15-minutëshe me Mitropolitin Antony të Volokolamsk, “Ministri i Punëve të Jashtme” të Patriarkut Kiril, i cili e përshkroi bisedën si “të përzemërt” dhe tha se një takim midis dy liderëve fetarë është i mundur nëse “përgatitet siç duhet”.
“Duhet të shohim se kur, ku dhe mbi të gjitha, nëse do të kemi diçka në fund, një apel, si ai që bëmë në Havana” u tha ai gazetarëve, duke iu referuar takimit historik të Françeskut me Kirilin në vitin 2016, në Kubë. Ai shprehu gjithashtu keqardhjen që Vatikani “anuloi” takimin e planifikuar për në qershor në Jerusalem.
Mitropoliti Antonios nënvizoi nevojën për të ecur përpara, duke kritikuar deklaratat e Papës për Kirilin.
Vetë Kirili, në një mesazh drejtuar konferencës dhe të publikuar në faqen e Kishës Ortodokse Ruse, shkruan se “kemi qenë dëshmitarë të shtrembërimit të ngjarjeve historike dhe manipulimit të paparë të ndërgjegjes kolektive”.