Morali & Politika

Morali është dhe duhet të jetë fondamenti i politikës.

E nënvizoj me emfazë këtë, sepse në shumicën e njerëzve Morali dhe Politika janë apo gjenden diametralisht në kahe të kundërt. Nuk është aspak e vërtetë! Thjesht, në këtë vend të pabegatë dhe të pabekuar, normalja na tingëllon anormale, për shkak të përbindëshave me tabela “politike” dhe me moral “numerik” që janë “zgjedhur” me dhunë dhe monedha.

Pyetja “nëse bashkëekzistenca e moralit dhe politikës është e mundshme apo jo” është diakronike dhe thellësisht e rëndësishme për jetën njerëzore. Ekzistuan shoqëri, si ajo antike greke, që brumosën dhe zhvilluan marrëdhënie të ngushtë mes moralit dhe politikës. Atje ku kjo bashkëekzistencë bëhet realitet, rezultati lidhur me cilësinë e jetës së qytetarëve ishte i suksesshëm. Ndërkaq, në botën moderne, bashkëekzistenca e politikës me moralin është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet, prej më të shumtëve, si utopi.

Çfarë është “morali”?

“Morali” është tërësia e parimeve, rregullave dhe vlerave që orientojnë veprimin. Një veprim është i moralshëm, kur subjekti e kryen pa paragjykim, pa prapamendim dhe pa marrë parasysh rrezikun e sanksioneve apo pa pritur shpërblim. Vlera e moralit gjendet kryesisht në përzgjedhjen e ndërgjegjshme të një veprimi me pikëreferimi të duhurën, të përshtatshmen, të vetëkuptueshmen, të drejtën embrionale. Për shpërblim të vetëm ka kënaqësinë e brendshme që mes këtij veprimi ngre shtat e mira.

Morali është marrëdhënie me tjetrin, respekt për të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tij, që sjell për rrjedhojë besimin reciprok. Kjo do të thotë se morali nuk mjaftohet vetëm në definicionin e asaj se çfarë është e mirë dhe e drejtë, por kërkon dhe parashtron implementimin e së mirës dhe së drejtës. Pa zbatimin praktik, vlera e së mirës mbetet, thjesht, në hapësirën e predispozicionit.

“Politika”, nga ana tjetër, është një prej fjalëve të njohura që së bashku me filozofinë dhe demokracinë na la trashëgim bota antike greke në historinë e ideve. Fjala gjen rrënjën e saj tek “politi” (qytetari) dhe politi gjen rrënjën e tij tek “poli-s” (qyteti). Qytetin në antikitet nuk e bënin godinat dhe rrugët, por jeta e organizuar shoqërore e banorëve, mes bashkëpunimit politik, ekonomik dhe fetar të anëtarëve të saj.

Politika është arti/mjeshtëria e autoritetit, por edhe e udhëheqjes nga autoriteti, arti/mjeshtëria e mënyrës/formës mes së cilës rezultativisht mund të marrë pjesë dikush në jetën e bashkësisë, në jetën publike të vendit të tij, qoftë si drejtues apo si vartës, teksa në fund të fundit përgjegjësitë, si edhe veprimet, ndahen mes drejtuesve dhe vartësve.

Për të trajtuar teorinë politike duhet të ketë veprim politik, interesim të theksuar dhe pjesëmarrje aktive të anëtarëve të shoqërisë në jetën kolektive. Baza e artë në të gjitha momentet e mëdha të teorisë dhe veprimit politik të antikiteit ishte se, politi (qytetari) dhe poli (qyteti) do të progresonin së bashku duke mbërritur në “begati” dhe “virtyt”, dhe se njëri mes tjetrit do të bëhej “i drejtë”, i përsosur (Platoni).

Politikani, fillimisht formon personalitetin e tij dhe në vazhdim i drejtohet një grupimi, me qëllim që të ushtrojë atje aftësitë dhe karizmën e tij, duke ofruar mbështetjen e tij për të ngritur në nivel më lart bashkëhumanët e tij. Për rrjedhojë, politikani është diçka midis një shkencëtari dhe një artisti, i cili ndan me të tjerë veprimtarinë e tij kreative, duke patur parasysh sigurisht prezencën “e tjetrit” që përbën parakusht në konceptimin dhe zbatimin e veprimit të tij politik, pasi është e pamundur për dikë që të ushtrojë virtyrin i vetëm.

Aristoteli në veprën e tij “Politike”, mbështet idenë se ekziston afinitet absolut mes moralit dhe politikës, pasi “poli-s” është parakusht dhe kusht i krijimit të njerëzve të moralshëm. Poli-s nuk ka për qëllim vetëm mbijetesën e njerëzve, por bashkëjetesën e organizuar dhe përsosmërisht të orientuar, që siguron jetesën. Përsomëria morale e njeriut realizohet mes një shoqërie politike, ndërsa përsosmëria e organizimit politik ka lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë morale të politëve (qytetarëve).

Parimet e bashkëekzistencës politike i nënshtrohen atyre morale, ndërsa arsimimi përcaktohet në thelb si edukim moral, që përgatit dhe brumos njerëz të moralshëm, politë të drejtë dhe të mirë.

***

Nëse gjeni ndonjë shenjë nga sa më sipër në politikën shqiptare, vazhdoni t’i besoni dhe ta mbështesni, nëse jo, rebelohuni dhe dilni në rrugë, por jo për protesta, por për përmbysje, TË TË GJITHËVE!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Ja Pse Amerika Zhduku nga Politika Shqiptare Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati - Video

Next Story

Sucharit Bhakdi: "Vaksinat mRNA të Covid-19 Shkaktojnë Korrozion të Trurit, Paranojë dhe Humbje të Inteligjencës"

Latest from Opinione