Letra e Parë e Apostull Joanit

/

1 Shihni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë; prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë.

2 Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë; por ende s’është shfaqur se ç’do të jemi; por e dimë se, kur të shfaqet, do të jemi si ai; sepse do ta shohim atë siç është.

3 Edhe kushdo që ka këtë shpresë në atë, pastron veten e tij, siç është ai i pastër.

4 Kushdo që bën mëkatin, bën edhe paudhësinë; sepse mëkati është paudhësia.

5 Edhe e dini se ai u shfaq që të ngrejë mëkatet tona; edhe mëkat nuk ka tek ai.

6 Kushdo që mbetet tek ai, nuk mëkaton; kushdo që mëkaton nuk e ka parë atë, as nuk e ka njohur atë.

7 Djemthit e mi, le të mos ju mashtrojë askush; ai që bën drejtësinë, është i drejtë, sikundër është ai i drejtë.

8 Ai që bën mëkatin, është nga djalli; sepse që në fillim djalli është duke mëkatuar. Prandaj u shfaq i Biri i Perëndisë, që të prishë punët e djallit.

9 Ai që ka lindur prej Perëndisë, mëkat nuk bën, sepse fara e tij mbetet në atë; edhe s’mund të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë.

10 Nga kjo dallohen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit. Kushdo që nuk bën drejtësi, nuk është nga Perëndia, si edhe ai që nuk do të vëllanë.

11 Sepse kjo është porosia që dëgjuat që në fillim: të duam njëri-tjetrin.

12 Jo si Kaini i cili ishte prej të ligut, edhe theri të vëllanë. Edhe përse e theri? Sepse punët e tij ishin të liga, edhe ato të vëllait të tij të drejta.

13 Mos u çuditni, o vëllezër të mi, nëse bota ju urren juve.

14 Ne e dimë se kemi shkuar prej vdekjes në jetë, sepse duam vëllezërit. Ai që nuk do vëllanë, mbetet në vdekje.

15 Kushdo që urren të vëllanë, është njerivrasës; edhe e dini se çdo njerivrasës s’ka jetë të përjetshme që mbetet në atë.

16 Nga kjo e njohëm dashurinë, se ai vuri jetën e tij për ne; edhe ne kemi detyrë të vëmë jetët tona për vëllezërit.

17 Po ai që ka të mirat e botës, edhe sheh vëllanë që ka nevojë, edhe i mbyll atij zemrën e tij, si mund të mbetet dashuria e Perëndisë tek ai?

18 Djemthit e mi, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra e me të vërtetë.

19 Edhe nga kjo e dimë se jemi prej së vërtetës, edhe do të sigurojmë zemrat tona përpara atij,

20 se nëse na dënon zemra, Perëndia është më i madh se zemra jonë, edhe i njeh të gjitha.

21 Të dashur, nëse nuk na dënon zemra jonë, kemi guxim tek Perëndia.

22 Edhe çfarëdo që të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse ruajmë urdhërimet e tij, edhe bëjmë ato që i pëlqejnë atij.

23 Edhe ky është urdhërimi i atij: Të besojmë në emrin e Birit të tij Jisu Krisht, edhe të duam njeri-tjetrin, siç na la urdhërim.

24 Edhe ai që ruan urdhërimet e tij, mbetet në atë, edhe ai në këtë, edhe nga kjo e dimë se mbetet ndër ne, nga Fryma që na dha.

Previous Story

Kush Është Mëshqerra e Kuqe?

Next Story

Alert: Bankat Qëndrore Globale Heqin Dorë nga Dollari Amerikan për Arin

Latest from Info