Ish kryeministri Boris Johnson ka njoftuar se nuk do të kandidojë më për lidershipin konservator, duke lënë si favorit ish ministrin e financave Rishi Sunak dhe “outsider”-en Penny Mordaunt.
Sipas ‘Skynews’, vetëm 59 deputetë mbështetën kandidaturën e Johnson, i cili u detyrua të tërhiqej.
Sipas rregullave të shpallura nga Graham Brady, kreu i “Komitetit 1922” që mbikëqyr proçesin e zgjedhjeve, nominimet duhet të dorëzohen deri në orën 14:00 me orën lokale të ditës së hënë (sot).
Nëse vetëm njëri merr numrin e kërkuar të deputetëve, atëherë do të shpallet fitues të hënën. Nëse ka dy kandidatë për kryeministra, anëtarët e partisë do të zgjedhin fituesin në një votim online.
Në rastin e një kandidati të tretë, do të ketë votim të deputetëve në të cilin dy të parët do të kalojnë në raundin tjetër (në votimin online të anëtarëve të partisë).
Emri i drejtuesit të ri do të bëhet i ditur të premten, më 28 tetor 2022.
Boris Johnson ka qenë më parë në kontakt të vazhdueshëm për të siguruar mbështetjen e 100 deputetëve për të kandiduar për udhëheqjen e konservatorëve, duke shpresuar të kthehet në kryeministër, por mesa duket nuk e ka gjetur më këtë mbështetje tek deputetët, të cilët nuk kanë pranuar riciklimin e tij politik në postin e kryeministrit.