Norvegji: Vendim i Papritur Ushtarak

Vendim surprizë, Norvegjia ngre nivelin e gatishmërisë ushtarake. Është situata më e rëndë në 10 vjet, kështu është cilësuar nga autoritetet norvegjeze.

Norvegjia po përmirëson gatishmërinë ushtarake duke filluar nga sot (1/11/2022), siç njoftoi kryeministri i vendit, Jonas Gahr Stoere, duke sqaruar megjithatë se nuk është zbuluar asnjë kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj vendit të tij.

“Është situata më serioze e sigurisë me të cilën jemi përballur në dekada”, tha kryeministri norvegjez gjatë një konference për shtyp.

“Ne nuk kemi asnjë arsye sot të besojmë se Rusia dëshiron të tërheqë drejtpërdrejt Norvegjinë ose një vend tjetër në luftë, por lufta në Ukrainë e bën të nevojshme që të gjitha vendet e NATOs të rrisin vigjilencën e tyre”, shpjegoi kryeministri norvegjez.

“Forcat e armatosura do të reduktojnë kohën e stërvitjes dhe do të rrisin kohën në detyrat operacionale, ndërsa Garda e Brendshme, një forcë e ndërhyrjes së shpejtë, do të luajë një rol më aktiv”, shpjegoi ministri i Mbrojtjes Bjoern Arild Gram.

“Forcat ajrore kanë pezulluar stërvitjen me F-35 në Shtetet e Bashkuara, duke preferuar t’i mbajnë ato në Norvegji”, njoftoi kreu i forcave të armatosura, gjenerali Eirik Kristoffersen.

“Ne presim që situata të zgjasë të paktën një vit”, tha ai.

Norvegjia është tani eksportuesi më i madh i gazit natyror në Bashkimin Europian, duke zënë një të katërtën e importeve europiane pas ndërprerjes së rrjedhës së gazit rus.

Norvegjia vendosi forcat e saj ushtarake në shtator për të ruajtur objektet e saj në det të hapur dhe infrastrukturën tokësore pas sabotimit të tubacioneve Nord Stream 1 dhe 2. Ajo ka marrë gjithashtu ndihmë nga marina e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

Incidentet e vazhdueshme me dron në Norvegji pranë impianteve të LNG, është një arsye më shumë për gadishmëri. Prej ditësh Norvegjia ka raportuar incidente të vazhdueshme të rusëve ose shtetasve të dyfishtë që tentonin ose kryenin lëshime me dron. Disa prej tyre janë arrestuar.

Pak ditë më parë u arrestua një tjetër. Ai është një shtetas rus dhe sipas raportimeve të mediave norvegjeze, ai është djali i një personi të afërt me Vladimir Putin.

Zëdhënësi i policisë norvegjeze tha gjithashtu se i arrestuari ka nënshtetësi ruse dhe britanike, është 47 vjeç dhe jeton në Itali.

Babai i të arrestuarit është në listat e sanksioneve amerikane, shkruan Barents Observer, si një anëtar i rrethit të brendshëm të Putin.

Siç theksoi kanali Telegram Agentstvo, Andrei Yakunin, djali i Vladimir Yakunin, ish kreu i Hekurudhave Ruse në pronësi shtetërore dhe anëtar i kooperativës ‘Ozero’ (një kooperim familjesh ruse të lidhura me rrethin e brendshëm të Putinit).

Andrei Yakunin në fakt ka nënshtetësi britanike dhe ruse dhe ka një biznes në Itali.

Këtë verë, Yakunin dha një intervistë në të cilën ai pretendoi se ishte kundër luftës në Ukrainë, duke shtuar se ai kurrë nuk votoi për Putinin.

Ky fakt përkon edhe me raportet norvegjeze: sipas ‘The Barents Observer’, rusi i arrestuar në Norvegji “u bë kryefjalë në mediat ruse në fillim të këtij viti kur deklaroi kundërshtimin e tij të fortë ndaj pushtimit ushtarak të Ukrainës”.

Rusi u arrestua për lëshimin e një droni pranë arkipelagut verior të Norvegjisë Svalbard në Oqeanin Arktik, në zonën ku ndodhet një fabrikë e përpunimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG). Ai u ndalua për dy javë, ndërsa iu konfiskuan dronët dhe pajisjet e tjera elektronike.

Droni u lëshua nga një anije lundrimi me flamur britanik të quajtur ‘Firebird’. Hetuesit policorë gjetën në bord pasaportën ruse të të dyshuarit.

Ligji norvegjez i ndalon rusët të lëshojnë dronë në hapësirën ajrore norvegjeze.

Sipas ‘The Barents Observer’, avokati i tij këmbëngul që shtetësia e tij duhet të konsiderohet britanike, kjo është arsyeja pse ai lëshoi ​​dronin. “Ai pranoi se kishte fluturuar me dron, por nuk kishte arsye të besonte se ishte i paligjshëm. Ai është shtetas britanik”, tha avokati.

Ky është rasti i katërt i lëshimeve të paligjshme të dronëve ose marrjes së paligjshme të fotografive të vendeve sekrete në Norvegjinë veriore të raportuara këtë javë.

Gjashtë rusë u arrestuan më herët për shkak të incidenteve të ngjashme. Dy aeroporte në Norvegji janë mbyllur për shkak të lëshimit të dronëve.

Ashtu si vendet e tjera perëndimore, Norvegjia ka vendosur të ndalojë fluturimet ruse në hapësirën e saj ajrore në shenjë hakmarrjeje për luftën në Ukrainë, ku shkelësit përballen me deri tre vite burg.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

80% e Kievit Pa Ujë të Pijshëm

Next Story

SHBA Sjell Kapsulat Bërthamore në Europë

Latest from Opinione