Nuk kam arritur të gjej se kur u përdor për herë të parë termi “diktaturë” në kohët moderne për regjimin që zakonisht rezulton nga kapje e dhunshme e pushtetit dhe ushtrohet nga dikush që përqendron të gjitha pushtetet në duart e tij, duke gjynjëzuar shtetin e së drejtës.
Kur diktatura është fakt, Kryengritja bëhet e drejtë!
Regjimi pasi i prishi pishinat altoparlantit të tij NEWs24 dhe thamë sesa poshtë paska rënë pushteti, teksa zhytej në llumin e pishinave ku ishte dergjur në të shkuarën, i thamë edhe News24-ës se nuk kishte hapësitë për lot dhe vuajtje, por për të kuptuar që llumi i pishinave ishte pasoja e veprimeve të tyre si vasalë të qeverisë, teksa i jepte fjalën tiranit 24/24 dhe 7/7. Sot, ndodh ajo që rëndom ndodh në regjime, në tirani më mirë të themi, ku nuk ka më hapësirë të merremi me viktimën, por me viktimizuesin tiran, regjimin.
Qeveria vendos sot të mbështjellë me tritol një Resort turistik, pronë e një shkollëpaku sipërmarrës, shërbëtori të saj.
Ky nuk është thjesht inat personal i tiranit dhe hajvanit, i kapistallit dhe gardhit, i patkoit dhe shuallit, asfare. Këto janë shfaqe të pastra tiranie dhe regjimi të rrezikshëm.
Qeveria hedh në erë me tritol një hotel të cilin e ka ndërtuar me viston e saj, e ka reklamuar madhërishëm me prezencën e saj, e ka trumpetuar si simbolim e turizmit elitar të saj, e ka përdorur si njësi mikëpritjeje të aktiviteteve globaliste migratore të saj, derisa erdhi e sotmja e hirit dhe zhkrumbit, e tronditjes dhe bujës së tritolit.
Këto janë veprime që regjimi i bën që t’i shikojmë ne, sepse Irfani dhe Basha i marrin më pas paratë shumëfish nga paratë tona, mes një vendim Gjykate përtej kufirit.
Këto janë akte terroriste qeveritare. Nuk mund t’i vësh tritol një hoteli, kur janë me dhjetra mijëra ndërtimet pa leje në të gjithë Shqiërinë, kur në qendër të metropolit informaliteti po rrëmben qiejt.
Ka shumë njerëz sot që do të tkurren, do të frigohen, do të mpihen, do të ndrydhen, do të zbrapsen, përpara një akti tiranik terrorist që mbjell kratofobi. Dhe këtë ka për qëllim tirani!
Por do të ketë si ne, njerëz me kurajo civile që do e neverisim aktin, pa asnjë dozë frike dhe tani do të flasim për përshpejtimin e largimit të tiranit. Sepse tiranit nuk i intereson nëse e respektojmë, por i intereson të dijë sa frikë e ka populli.
Nuk ka më kohë për mendim. Ose ikni, ose çohuni! Rrugë të mesme, të ndërmjetme nuk ka!