Shën Andoni i Madh

/

Asketi i krishterë i Egjiptit dhe themeluesi i jetës murgërore / asketike në Lindje. Kujtohet dhe festohet më 17 janar.

Shën Andoni lindi rreth vitit 250 në qytetin Koma të Egjiptit të Sipërm, nga prindër fisnikë dhe të mirëqënë. Jetoi në vite Perandorësh Romakë, si Dioklitiani (284-305), Maksimiani (285-305) dhe Konstandini i Madh. Që në moshën e fëmijërisë ishte i rregullt dhe i disiplinuar, si dhe tregonte interes për jetën adhuruese brenda kishës.

Në moshën 20-vjeçare humbi që të dy prindërit. Pas gjashtë muajve ua ndau pasurinë e trashëguar të varfërve, duke iu bindur idesë ungjillore të ndarjes së pasurisë dhe u tërhoq në një shpellë të shkretëtirës, ku bëri një jetë asketike për 25 vite. Fama e tij u përhap shumë shpejt në kishat lokale, shumë të krishterë iu drejtuan të njëjtit vend për të bërë jetë asketi dhe për të dëgjuar mësimet e tij.

Në vitin 311, gjatë përndjekjes së Perandorit Maksimin (307-313), mbërriti në qytetin e Aleksandrisë për t’u dhënë kurajo besimtarëve në kishat lokale. Pasi përndjekja përfundoi, Shën Andoni u tërhoq sërish në shkretëtirë. Ndjehej disi i bezdisur nga fakti i prezencës së shumë besimtarëve që e vizitonin, duke e detyruar të largohet drejt një strehe tjetër në malet Kolksim në Detin e Kuq. Por edhe atje, e vizitonin shumë të krishterë që kërkonin të merrnin bekimin prej tij, si dhe për t’u shëruar. Fama e tij arriti deri në nivelet më të larta të Perandorisë. Konstandini i Madh dhe i biri i tij, mbanin korrespondencë të rregullt me të dhe këshilloheshin për tema dhe çështje të ndryshme.

Gjatë jetës së tij asketike nuk i ndërroi kurrë veshjet, as nuk lau trupin apo këmbët me ujë. I mësoi nxënësit e tij të mos konsiderojnë asgjë më të epërme, më të lartë dhe të rëndësishme sesa Krishtin, si dhe të mos mendojnë se meqë janë distancuar nga të mirat materiale të botës, privohen nga diçka e vlefshme. Që dikush t’i braktisë të mirat e tokës, thoshte, është sikur të përbuzë një dhrahmi prej bronxi, për të fituar njëqind të florinjta. Ai theksoi se nuk duhet harruar që jeta e njeriut është e përkohshme në krahasim me jetën e përjetshme dhe se nuk duhet të përpiqemi për fitimin e të mirave të përkohshme, të cilat nuk mund t’i marrim me vete, por për marrjen e të mirave të përjetshme, si urtësia, drejtësia, guximi, maturia dhe dashuria.

Shën Antoni, i quajtur sipas kishës Megas / i Madh, fjeti në vitin 356 në moshën 105-vjeçare, me një shëndet të plotë fizik dhe shpirtëror. Pak para largimit, ai u dha dy dishepujve të tij më të shquar, Serapionit dhe Athanasit të Madh, pasurinë e tij të vetme, një tunikë dhe dy guna (deleje). Në përputhje me dëshirat e tij, vendi i varrimit të tij mbeti sekret. Më vonë, eshtrat e tij u transferuan në Kishën e Shën Joan Kokëprerit në Aleksandri, në kohën e Justinianit (561) dhe prej andej në vitin 635 në Konstandinopojë. Në shekullin e 11-të i mori në dorëzim një aristokrat francez, që quhej Zoslen, i cili i vendosi në Kishën me të njëjtin emër Saint-Antoine-l’Abbaye në Francën Jug-Lindore, ku gjenden edhe sot.

Etnografi

Në traditën popullore ekziston lavdërimi që thotë se Shën Andoni ndëshkon këdo që punon në ditën e tij të përkujtimit.

Në disa zona të Greqisë shenjtin e nderojnë për aftësitë e tij për të shëruar të sëmurët psiqikë, të demonizuarit, të cilët për t’u shëruar teksa hyjnë në Kishën e tij, do të duhet të mbajnë kreshmë (të agjërojnë) për 40 ditë.

Festa e Shën Andonit konsiderohet zemra e dimrit.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Shpërthen Linja e Gazsjellësit që Lidh Lituaninë me Letoninë

Next Story

Përgjigja e Rusisë: Nëse Negociatat Dështojnë, Putin do të Japë Afat 72-Orësh Përpara Përdorimit të Armëve Bërthamore

Latest from Info

“Turbo” Medvedev!

Askush nuk dyshoi se ligjvënësit amerikanë do të miratonin “ndihmën” për bandën e neo-nazistëve. Ishte një