Ja Pse Nuk Mund & Nuk Duhet të Votojë Diaspora

/

E drejta e votës është e drejtë kushtetuese, por jo detyruese, që do të thotë se çdo nënshtetas shqiptar është i lirë të vendosë nëse do të votojë ose jo.

Nëse votimi do të ishte i detyrueshëm, sërish do të ishte i detyrueshëm vetëm për ata nënshtetas shqiptarë që janë rezidentë të Republikës së Shqipërisë.

Një nga çështjet që po “shqetëson” aktualitetin politik të ditëve është vota e shqiptarëve jashtë vendit. A duhet të votojnë? Dhe nëse po, kush dhe si? Pyetje me përgjigje të ndryshme, mendime divergjente dhe një debat publik që zhytet edhe një herë në interesa të vogla partiake.

Në përgjithësi, palët propozojnë:

Rama në parim thotë duhet të votojnë edhe shqiptarët jashtë vendit, por dua t’ju nënvizoj këtu, që ka një parti armatë nënpunësish civilë, që bëhen “martirë” për fitoren e tij.

Berisha gjithashtu e pranon në parim idenë e votës së diasporës, ka një parti jo të vogël, edhe në orët më të vështira ka 500 mijë votues dhe i intereson më shumë vota e rezidentëve dhe motivimi i tyre.

Basha, që ka një parti sa një mëhallë në Gjirokastër, ka marrë gramafonin e protagonistit të votës së diasporës, sepse duhet të thotë diçka për t’u klasifikuar si “politikan” dhe si për të ndjekur rrymën e kësaj ideje që po mbyt edhe Europën.

Parti të tjera në Shqipëri nuk ka, ka vetëm kryetarë siglash.

***

Të kaloj në thelb të diskutimit dhe të analizoj minuset e votës së diasporës dhe të përpiqem t’u bind pse nuk duhet të votojë diaspora.

a. Mund të votojë çdo shtetës që është rezident i një vendi, pasi vetëm këta shtetas mund të kenë gjykim politik, ekonomik, social dhe shumësferësh të realitetit, nëse e zhveshim individin nga partishmëria (edhe pse e vështirë kjo).

b. Një shqiptar emigrant i larguar 3 dhe më shumë vite nga Shqipëria, e ka humbur tërësisht kontaktin me realitetin dhe nuk mund të ketë gjykim të kthjellët mbi atë që ndodh në një vend ku nuk jeton më, ku nuk e prek e përditshmja, me gjithë morinë e problematikave, apo ku nuk jeton me ecurisë dhe zhvillimin e sektorëve jetikë në vend. Akoma më e rëndë situata, për shqiptarë që kanë 2 apo 3 dekada larg Shqipërisë, këta janë automatikisht të skartuar për të qenë në gjendje që të gjykojnë drejt për qeverisjen, mes votës.

c. Emigranti është viktima më e thjeshtë e propagandës mediatike për vendin e tij dhe avantazhin e kësaj propagande e ka partia në pushtet. Dhe kujdes, në Shqipëri kryeministër është akrobati i madh i propagandës verbuese, që i ka bërë emigrantët të adhurojnë kullat kur vijnë për pak ditë në atdhe, që u ka injektuar “vaksinën” nacionalizmë dhe idenë e një Shqipërie të madhe pro amerikane, faktor në rajon, që shqiptarin e bëri mes ndeshjeve të futbollit të valëvitë pëllëmbët me dhe pa arsye, anë e mbanë botës, simbol që në subkoshincë shqiptari e ka lidhur me Rilindjen dhe Ramën. Një emigrant që teksa nuk e prek direkt situata ekonomike dhe politike, e afekton tmerrsisht bukur look-u i akrobatit, që nuk u duket si shqiptar, por si personazh skenik, i shndërruar në një tip “droge” humane, me të cilin shesin pak “glamour” atje ku jetojnë dhe ku imazhi i “albanian” amballazhohet me pak xixa, qoftë edhe tallava. E rëndësishme është zhurma.

d. Shqiptarët e diasporës janë larguar si të indoktrinuar politikisht nga Shqipëria, një pjesë e madhe e tyre dhe këta nuk votojnë mbi situatën akltuale, por për inerci të akrepit të orës që ka ngelur në ditën e largimit nga atdheu që i dëboi. Kurse pjesa tjetër as nuk preokupohet fare se cila parti do të fitojë në Shqipëri dhe si, këta janë ata pragmatistët me këmbë në tokë, që teksa jetën e kanë ndërtuar gjetiu, e kuptojnë vetiu që kordoni i kërthizës është prerë nga mëma.

e. Dhe ç’është më kryesorja, në Shqipëri ka 32 vite që njëra palë politike akuzon palën që është në pushtet, se vjedh dhe ble vota. Dhe vjedhja e votës në Shqipëri është fakt i pamohueshëm, kokëfortë dhe i ditur nga të gjithë, pasi më shumë se gjysma e shqiptarëve që votojnë e kanë marrë ose një shumë monetare, ose ndonjë thes mallrash, ose një vend pune, qoftë edhe sezonale. Këta janë votuesit e blerë. Por kemi edhe votuesit e vjedhur, që janë viktima e asaj që thuhet nga koha e sovjetit që, “populli voton, partia numëron”. Ku do të votojnë këta shqiptarët e diasporës? Nëpër konsullata dhe ambasada? Kush do i numërojë atje votat? Nënpunësit e partisë në pushtet? Si do të transportohen votat për të mbërritur në atdhe?

Sa më sipër, për shqiptarë dhe parti politike që e kanë bindje se vota në Shqipëri vidhet, tjetërsohet mes formash të mundshme dhe të pamundshme, më rezulton se duhet të jenë kategorikë kundër votës së diasporës, si vota e parë më e brishtë, më vulnerabël, për të qenë hambari i votës së tjetërsuar. Vota e diasporës favorizon vetëm partinë në pushtet.

Kush dëshiron nga diaspora të votojë, duhet të vijë në Shqipëri dhe të ushtrojë të drejtën e votës. Ky është gjithashtu akt i dikujt, që është koshient dhe i përgjegjshëm se edhe vota e tij i duhet forcës politike që mbështet, që është votë direkt për Shqipërinë.

***

Basha që këmbëngul për votën e diasporës, ky hazard politik, është në funksion të dikujt dhe jo të opozitës dhe shqiptarëve. Basha duhet të ishte i pari që të kundërshtonte me forcë idenë e votës së diasporës, në një vend ku vota nuk është ndërgjegje, por mall në treg.

Opozita shqiptare duhet ta kundërshtojë me forcë votën e diasporës dhe të përqëndrohet në organizimin e përpjekjeve për të minimizuar mundësinë e tjetërsimit të votës, si dhe të përpiqet të nxjerrë shqiptarët indiferentë, zonën gri në votim, pasi shqiptari është pacient politik me diagnozën “holoid politik” (të gjithë njëlloj).


Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Mashtrim i Hollywood me Fituesin e Oscar

Next Story

Sulm me Drone Ukrainas Ndaj Civilëve Rusë në Autostradën Belgorod

Latest from Info