Ungjilli Sipas Mateut 6:1-34

/

1 Kini kujdes të mos bëni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, që të shiheni nga ata; në mos, nuk keni pagë pranë Atit tuaj që është në qiejt.

2 Kur të bësh pra lëmoshën, mos i bjer trumbetës përpara teje, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër udhë, që të lavdërohen nga njerëzit; me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.

3 Por ti, kur të bësh lëmoshën, le të mos e marrë vesh e majta jote se ç’bën e djathta jote;

4 që të jetë lëmosha jote fshehurazi; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, ai do të ta shpërblejë ty haptas.

5 Edhe kur të lutesh, mos ji si hipokritët; sepse ata duan të luten duke qëndruar nëpër sinagogat e nëpër qoshet e rrugëve, që t’u duken njerëzve; me të vërtetë po ju them juve se ata e kanë marrë pagën e tyre.

6 Po ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, edhe mbyll derën tënde, e lutiu Atit tënd që është në të fshehtë; edhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.

7 Edhe kur të luteni, mos thoni fjalë të tepërta, si kombet; sepse pandehin se me fjalët e shumta të tyre do të dëgjohen.

8 Mos u ngjani pra atyre; sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, para se të lypni ju prej tij.

9 Po ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt,

10 ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.

11 Bukën tonë të përditshme jepna neve sot,

12 edhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë;

13 edhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu; se jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia në jetë të jetëve. Amin.

14 Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor.

15 Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja.

16 Edhe kur të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur si hipokritët; sepse ata prishin fytyrat e tyre, që të duken ndër njerëzit se agjërojnë. Me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.

17 Por ti, kur të agjërosh, lyej kryet tënd, dhe laj fytyrën tënde;

18 që të mos dukesh tek njerëzit se agjëron, por tek Ati yt, që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.

19 Mos mblidhni thesarë për veten tuaj mbi dhe, ku krimbi dhe ndryshku i prish, edhe ku vjedhësit rrëmojnë dhe vjedhin.

20 Po mblidhni thesarë për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb as ndryshk, edhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë as vjedhin.

21 Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.

22 Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm.

23 Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?

24 Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërin do ta urrejë, edhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, edhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait.

25 Prandaj po ju them juve: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, ç’të hani edhe ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, edhe trupi se të veshurit?

26 Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, edhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk ndryshoni ju më tepër se ata?

27 Po cili nga ju duke u shqetësuar mund të shtojë një kut në shtatin e tij?

28 Edhe pse shqetësoheni për veshjen? Vështroni zambakët e arës, si rriten; as mundohen, as endin.

29 Po ju them juve, se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto.

30 Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë?

31 Po mos u shqetësoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim?

32 Sepse gjithë këto i kërkojnë me ngulm kombet; sepse Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për gjithë këto.

33 Po kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.

34 Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet për punët e saj; mjaft është në çdo ditë e keqja e saj.

Previous Story

"Fola" e AstraZeneca Është Përfundimisht e Papërshtatshme…

Next Story

Suedia: Forcon Strehimoret Bërthamore - "Qytetarët Duhet të Përgatiten Mendërisht për Luftë"

Latest from Info