Zbulimi “Bombë” nga Politico

/

Skandali 2.5 miliardë euro me fondet e Fondit të Rimëkëmbjes ekspozon qeverinë Mitsotakis!

Hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik Europian.

Politico bëri një zbulim “bombë” që ekspozon edhe një herë qeverinë Mitsotakis në lidhje me fondet e Fondit të Rimëkëmbjes, teksa shprehet se ka një mashtrim vigan prej 2.5 miliardë euro.

Sipas publikimit të Politico, krahas bastisjes së Komisionit Grek të Konkurrencës në tre grupet kryesore të telekomunikacionit dhe kompanitë e IT-së, një hetim është duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Publike Europiane (EPPO)!

Tashmë është e kuptueshme pse prokurorja europiane Laura Kovesi dje ka sulmuar ashpër qeverinë greke, duke e akuzuar atë për korrupsion.

Shumat janë të mëdha dhe tregojnë një ngatërresë në një shkallë të paimagjinueshme, duke krijuar imazhin e një shteti shumë të korruptuar.

Prokurori europian tha dje se “po krijohet një kulturë mosndëshkimi”!

Kontrollet nga Autoriteti Grek, sipas publikimit, janë kryer në Cosmote, Vodafone dhe Nova, në kompanitë e IT-së Byte, Uni Systems, Netcompany-Intrasoft, Space Hellas, Cosmos Business Systems dhe në kompanitë konsulente Toolbox dhe Active.

“Hetimi”, shkruan Politico, “është goditja e fundit ndaj besueshmërisë së Fondit të Rimëkëmbjes pas pandemisë së BE-së, fillimisht me vlerë 723 miliardë euro, i cili ofron kredi dhe grante për 27 vendet e bllokut.

Javën e kaluar, policia arrestoi më shumë se 20 të dyshuar në Itali, Austri, Rumani dhe Sllovaki të lidhur me një skemë të dyshuar prej 600 milionë eurosh për të mashtruar Fondin në Itali”.

Hetimi grek fokusohet në proçeset e tenderëve publikë, ku kompanitë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të shmangur konkurrencën për të njëjtën kontratë.

Gjithashtu thuhet se deri më sot janë nxjerrë në ankand dhe kontraktuar rreth 600 projekte dixhitale me vlerë më shumë se 2.5 miliardë euro, sipas të dhënave nga Regjistri Qendror Elektronik i Kontratave Publike. Zyra e Prokurorit Publik Europian dhe Komisioni Grek i Konkurrencës po hetojnë sesi janë dhënë këto projekte.

Në një deklaratë, Komisioni i Konkurrencës i Greqisë tha se po heton nëse ka pasur shkelje të traktatit të BE-së që “ndalon marrëveshjet dhe vendimet antikonkurruese nga shoqatat e ndërmarrjeve që parandalojnë, kufizojnë ose shtrembërojnë konkurrencën, praktikat e njëanshme që përbëjnë një ftesë për bashkëpunim”.

Hetimi filloi kur European Dynamics, një kompani greke e software-ve dhe shërbimeve të TI-së, paraqiti një ankesë në nëntor 2023 në Komisionin Europian, i cili mbikqyr menaxhimin e RRF, duke pretenduar se një tender publik ishte i njëanshëm në favor të disa kompanive.

SYRIZA nga ana tjetër deklaroi se: “Qeveria greke është plotësisht e ekspozuar tashmë në lidhje me çështjen e financimit të projekteve nga Fondi i Rimëkëmbjes”.

Në veçanti, thuhet se “zbulimet e sotme në temën e faqes së parë të portalit europian të lajmeve Politico, për hetimet në lidhje me mashtrimin e mundshëm në ndarjen e 2.5 miliardë eurove të Fondit të Rimëkëmbjes, vetëm për 10 kompani në Greqi, konfirmojnë të gjitha kundërshtimet që ajo dhe SYRIZA ka depozituar për ndarjen selektive të burimeve europiane”.

SYRIZA shton më konkretisht: “Sipas publikimit, hetimi për mashtrim të mundshëm është konfirmuar nga Prokuroria Europiane, ndërkohë që Komisioni Grek i Konkurrencës ka kryer tashmë kontrolle në zyrat e tre kompanive kryesore të telefonisë celulare, pesë kompanive të IT-së dhe dy kompanive konsulente.

Hetimi në vendin tonë ka në fokus proçedurat e tenderëve publikë, pasi kompanitë e përfshira akuzohen se kanë bashkëpunuar për të mos konkurruar për të njëjtën kontratë, duke kufizuar kështu numrin e kompanive që kanë përfituar.”

Në vijim SYRIZA thekson se “është e dukshme që pas zbulimeve të Politico-s, si Kryeministria ashtu edhe Ministria e Zhvillimit duhet të japin menjëherë përgjigje, si dhe listën e të gjitha kompanive që janë financuar deri më tani me fonde nga Fondi i Rimëkëmbjes”.

Previous Story

Alarm Bërthamor në Poloni nga Sulmi me Raketa Hipersonike Ruse Kh-47 Kinzhal (video)

Next Story

"Fola" e AstraZeneca Është Përfundimisht e Papërshtatshme…

Latest from Info