Mbi 200 mijë banesa, në zona të ndryshme të Bosnjë-Hercegovinës kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak të stuhisë dhe dëborës së dendur që po bie gjatë 24 orëve të fundit.
Në mjaft qytete dhe fshatra kryesisht në veri-perëndim dhe në zonën qendrore të vendit regjistohen ndërprerje të energjisë elektrike, sipas dy njoftimeve të kompanive kryesore të furnizimit me energji elektrike.
Stuhia dhe dëbora e rënë dje dhe sot kanë bërë që shumë rrugë të mbyllen dhe shumë zona të izolohen.
“Grupet tona ndodhen në terren pa ndërprerje dhe po bëjnë gjithçka”, siguron banorët Gelena Markoviç, përfaqësuese e kompanisë së furnizimit me energji elektrike Elektroprenos BiH. Shumica e linjave që kanë probleme, gjenden kryesisht në zona të thella malore, vështirësisht të arritshme.
Ndërkohë, në Kroacinë fqinje, shërbimet përballen me situata emergjente, ku ndër të tjera përmendet shpëtimi i 48 njerëzve që ishin thuajse “varrosur” nën dëborë, në rajonin qendror Lika.
Në Slloveni, instancat njoftuan se erëra të fuqishme dhe dëborë nuk lejuan helikopterët për të shpëtuar një nënshtetas hungarez, alpinist, që u izolua në Alpet që prej ditës së diel.
Kurse në Serbinë perëndimore, afro 10 mijë shtëpi nuk kishin energji elektrike gjatë ditës së djeshme, sipas agjensisë së lajmeve Tanjug.