“Lehtësim” për republikanët. Do të mbetet kandidat deri në fund?
Presidenti amerikan Joe Biden ka sqaruar mëngjesin e sotëm në intervistën që ka dhënë për ABC, se nuk do të tërhiqet nga kandidatura për presidencën e Shteteve të Bashkuara, nëse nuk ia kërkon Zoti!
Intervista është dhënë te gazetari George Stephanopoulos, një mbështetës i njohur i demokratëve.
Konkretisht, ai tha: “Nëse Zoti i Madhëruar do të vinte dhe do të më thoshte “Xho, largohu nga gara”, do ta bëja. Por Zoti i Madhërishëm nuk do të vijë, ndaj unë nuk po e lë garën”.
Edhe pse dukej më rehat në krahasim me telefjalën e 27 qershorit, Joe Biden nuk u shmang nga disa fjali të paplota ose të shkëputura.
Për 22 minuta ai mbrojti me kokëfortësi kandidaturën e tij për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në pikëpyetje sondazhet që i japin Donald Trump epërsinë, duke shprehur sigurinë se është një garë e ngushtë, “gjoks me gjoks”!
Në intervistën me G. Stefanopoulos, presidenti amerikan pranoi edhe një herë se paraqitja e tij në debatin me Donald Trump, pak ditë më parë, nuk i përmbushi pritshmëritë, por theksoi se ishte një “natë e keqe, një ngjarje e izoluar dhe një kllapa e keqe”, për shkak të të ftohtit që e goditi.
“Ndihesha keq… kisha një të ftohtë të rëndë”.
G. Stefanopulos e pyeti drejtpërdrejt nëse e pa më vonë debatin për të krijuar një opinion më të mirë për performancën e tij.
“Nuk mendoj se e pashë, jo”, u përgjigj Biden.
“Askush nuk është më i kualifikuar (se unë) për të qenë president apo për të fituar këto zgjedhje”, tha më pas Joe Biden.
Performanca zhgënjyese e 81-vjeçarit Biden në debatin e 27 qershorit me kundërshtarin e tij republikan 78-vjeçar, rezultoi që pothuajse të gjithë demokratët të bënin thirrje për tërheqjen e tij.
Tashmë katër kongresmenë demokratë i kanë kërkuar Joe Biden që të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë.
Gazetari me origjinë greke Stefanopoulos ngriti edhe çështjen e testit konjitiv që Donald Trump i ka kërkuar vazhdimisht, duke e pyetur nëse do të ishte gati t’i nënshtrohej një vlerësimi të tillë.
Presidenti amerikan u përgjigj se ushtrimi i detyrave të tij është i barabartë me një test konjitiv, të cilit ai i nënshtrohet çdo ditë.
Kjo përgjigje ndoshta nuk duhet t’i qetësojë amerikanët!
Kështu, Biden e ka pranuar publikisht se ka kohë që nuk është testuar mendërisht!
***
Këto u thanë në një intervistë që ka ndezur edhe më shumë gjakrat brenda të majtëve në Amerikë, shumica e të cilëve janë të bindur se Biden nuk e përballon dot fushatën elektorale dhe se duhet të tërhiqet urgjentisht.
Kush është prapa Biden që e shtyn të mos tërhiqet? Janë politikanë, apo biznesmenë? Janë interesa të ngushta të një grup njerëzish, apo ka përçarje të theksuara brenda demokratëve?
Këto pyetje po i bën tani më çdo amerikan, që teksa shikon paaftësinë e Biden për të drejtuar, përballet me këmbënguljen e tij për të mos u larguar.
Por, në radhët e demokratëve do të prevalojë logjika dhe vullneti për të mbajtur pushtetin, ndaj dhe Biden pa më të voglin dyshim, edhe pse kundërshton, do të largohet nga gara dhe nga politika, përgjithmonë dhe nuk do të jetë kandidat i këtyre zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, republikanët, teksa kanë kuptuar gabimin fatal të pranimit të debatit, luten tani më që Biden të mos largohet nga gara.