Kriza e Re Financiare po Troket – Sa “Imunë” Jemi?

/

Si është përgatitur ekonomia jonë e brishtë, e cila është e zhytur në borxh, në paraekonomi dhe në shifra të rreme, përballë një krize të ardhshme globale financiare?

Dëgjoj dhe kam dëgjuar edhe në periudha krizash të thella globale qeveritë shqiptare të thonë: “Ekonomia shqiptare është plotësisht e mbrojtur, po ashtu edhe bankat”.

Gjithmonë më bënte përshtypje tmerrësisht negative se qeveria shqiptare nuk ishte dhe nuk është në dijeni (me dashje apo jo) të pasojave masive katastrofike në formën e një orteku, që vërshon me shpejtësi drejt ekonomisë të vendit tonë, pashmangshmërisht, nga një krizë globale.

Ajo që të gjithë nëse nuk e dinë, e nuhasin, është se ekonomia shqiptare është zhytur në reçesion.

Kushtet ndërkombëtare parashikojnë një fatkeqësi të madhe financiare, teksa po bëhet fjalë për një përshkallëzim të luftës në Ukrainë dhe paralelisht të një përfshirjeje masive të shteteve islamike si Irani, organizatave terrosiste aleate të tij, në luftë me Izraelin, që pa më të voglin dyshim do të sjellin një çekuilibër të papritur global në naftë dhe lëndë të para, por jo vetëm.

Si është përgatitur ekonomia absolutisht e brishtë shqiptare, për të tilla ngjarje? Sa “imunë” apo “të blinduar” jemi ne për ngjarje reçesionare kataklizmike financiare?

Jam shumë e sigurtë se qeveria mendon se Europa me institucionet e saj “do të na shpëtojnë sërish”. Them sërish, sepse e kanë bërë disa herë, pa u bërë zhurmë mediatike dhe pa e marrë vesh populli, ashtu siç do të duhej të ndodhte.

Por të paktën të mos dëgjojmë më nga goja e qeverisë se jemi imunë dhe të blinduar ndaj krizave, që ekonomia jonë “lulëzon” dhe se ekonomia jonë është në rritje. Sepse sot e gjitha kjo tingëllon dhe është një komedi, por fundi do të jetë dramatik, tragjik, mos e dhëntë Zoti, ndoshta edhe situatë fatale.

Cili është ai shqiptar që njeh me saktësi shifrat reale ekonomike dhe financiare të Shqipërisë?

Cili është ai që di apo njeh ekzaktësisht sa është borxhi publik?

Cili është ai që di apo njeh realisht borxhin e fshehur publik, që është akoma edhe më i rrezikshëm se ai që në ekonomi emërtohet si “i dukshëm”?

Sa është realisht Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri?

Sa është realisht vlera e korrupsionit në Shqipëri, në vlerë monetare? Domethënë sa lekë rrëmbehen nga arkat e shtetit dhe shkojnë në xhepat e pushtetarëve?

Sa është realisht vlera e paraekonomisë në Shqipëri e pëkthyer në vlerë monetare, që hyn në tregun shqiptar nga trafiqet, prostitucioni, kontrabanda dhe korrupsioni eksta-institucional?

Nëse pyetjeve të mësipërme nuk u japim dot përgjigje, nga padija apo nga indiferenca, atëherë, me bindje them se kriza ekonomike, që e ka hapur portën, do të hyjë brenda shumë shpejt, me viktima vetë shqiptarët dhe qeveritarët e dinë shumë, shumë mirë këtë.

Si shpërtojmë nga kriza?

Zbusim padyshim krizën, nëse ndërrojnë duart që kemi vendosur të na menaxhojnë paratë, nëse ndërrojmë mendjet që kemi zgjedhur dhe emëruar për të na hartuar politika dhe strategji ekonomike / financiare, nëse shporrim me forcën e ZGJEDHËSIT dhe kamxhikun e POPULLIT, hajdutët e pasurisë publike.

Previous Story

Gjermani: Rritje e Sulmeve Seksuale, Krimeve & Vrasjeve nga të Rinj “Refugjatë”!

Next Story

“Bëhuni Gati”: Kush Është “Katërshja Vrastare” që Tremb NATO-n?

Latest from Info