Policia: I dyshuari u qëllua dhe u vra nga një roje sigurie pas një të shtëne në një kishë në Michigan.
WAYNE, Mich.: Një person i armatosur hapi zjarr gjatë një shërbese në një kishë periferike të Detroit, të dielën, duke plagosur një person përpara se të qëllohej dhe të vritej nga një roje sigurie.
Të shtënat ndodhën rreth orës 11:00 të mëngjesit në Kishën Komunitare CrossPointe në Wayne, një qytet me rreth 17,000 banorë rreth 25 milje (40 kilometra) në lindje të Detroitit, tha pastori i kishës, Bobby Kelly Jr., për Detroit News.
Policia tha se një person u qëllua në këmbë.
Kelly tha se një anëtar i kishës e shtypi të dyshuarin me kamionin e tij, duke i dhënë kohë rojes së sigurisë ta qëllonte. Policia e përshkroi të dyshuarin si një mashkull të bardhë 31-vjeçar.
Personi që u qëllua në këmbë ishte roja e sigurisë, tha pastori për gazetën. Askush tjetër nuk u lëndua, tha ai.
Rreth 150 njerëz po merrnin pjesë në shërbesë, tha Kelly.
Besimtarja Wendy Bodin tha se dëgjoi një “bum” të fortë dhe kur po shikonte jashtë, pa një burrë të shtrirë në bar përpara kishës. “Mendova se u godit, u përplas me makinën ose u lëndua”, tha Bodin për WXYZ-TV. “Dhe një zonjë tjetër pa dhe tregoi me gisht nga unë dhe tha ‘oh Zot, telefononi 911!'”
Zëvendësshefi i Policisë së Wayne, Finley Carter III, tha se ishte shumë herët për të ditur pse u sulmua kisha. Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, shkroi në Twitter se “udhëheqja dhe ekipet mbështetëse” të byrosë janë në vendngjarje dhe po ndihmojnë me hetimin e aktit të terrorit.