Një plan i ri shpaloest nga POLITICO, që tregon planin e Gjermanisë për t’u bërë shtylla kurrizore e ringjalljes së mbrojtjes së kontinentit.
BERLIN – Friedrich Merz tha në maj: Gjermania synon ta ndërtojë Bundeswehr-in në “ushtrinë më të fortë konvencionale në Europë”, duke u zotuar t’i japë asaj “të gjitha burimet financiare që i nevojiten”.
Pesë muaj më vonë, kancelari gjerman synon t’i shtojë pajisje kësaj ambicieje, sipas dokumenteve të reja të brendshme qeveritare të publikuara nga POLITICO.
Lista e gjatë prej 39 faqesh përcakton 377 miliardë euro në blerje të planifikuara për tokën, ajrin, detin, hapësirën dhe kibernetikën. Dokumenti është një përmbledhje planifikimi i blerjeve të armëve që do të përcaktohen në buxhetin e ushtrisë gjermane për vitin 2026, por shumë prej tyre janë blerje afatgjata për të cilat nuk ka një afat kohor të qartë, apo të mirëpërcaktuar.
Të marra së bashku zërat, ky është një plan gjithëpërfshirës për rregullimin e mbrojtjes së vonuar të Gjermanisë, plan i ankoruar tërësisht në industrinë militare vendase.
Politikisht, koha përputhet me kalimin e Merz në një model të ri financimi. Që nga pranvera, Berlini ka ndërmarrë hapa për të nxjerrë mbrojtjen nga freni kushtetues i borxhit të Gjermanisë, duke lejuar shpenzime të qëndrueshme shumëvjeçare përtej fondit special prej 100 miliardë euro, fond pothuajse i shteruar, të krijuar nën mandatin e ish kancelarit Olaf Scholz.
Zërat në listë për ushtrinë, përfundimisht do të shfaqen, në pjesë më të vogla, kur të jenë mjaftueshëm të pjekura kushtet për votim në komisionin parlamentar të buxhetit. Të gjitha prokurimet me vlerë mbi 25 milionë euro kanë nevojë për miratimin e komisionit.
Qindra miliardë
Dokumentet tregojnë se Bundeswehr dëshiron të nisë rreth 320 projekte të reja armësh dhe pajisjesh gjatë ciklit buxhetor të vitit 2026. Nga këto, 178 kanë një kontraktor të listuar. Pjesa tjetër mbetet “ende e hapur”, duke treguar se pjesa më e madhe e planit të modernizimit të Bundeswehr është ende në plan.
Kompanitë gjermane dominojnë tenderat e identifikueshëm me rreth 160 projekte, me vlerë rreth 182 miliardë euro, të lidhura me firmat vendase.
Rheinmetall është padyshim fituesi më i madh. Grupi me seli në Dyseldorf dhe sipërmarrjet e lidhura me të, shfaqen në 53 linja të veçanta planifikimi, me vlerë më shumë se 88 miliardë euro. Rreth 32 miliardë euro do të rrjedhin direkt në Rheinmetall, ndërsa 56 miliardë euro të tjera lidhen me degët dhe sipërmarrjet e përbashkëta, të tilla si programet e automjeteve luftarake Puma dhe Boxer të drejtuara me KNDS.
Dokumenti parashikon që një total prej 687 Puma, duke përfshirë 662 versione luftarake dhe 25 automjete trajnimi për shoferët, të dorëzohen deri në vitin 2035.

Në mbrojtjen ajrore, Bundeswehr synon të blejë 561 sisteme kullash me rreze të shkurtër veprimi Skyranger 30 për mbrojtje nga dronë dhe rreze të shkurtër veprimi – një program plotësisht nën udhëheqjen e Rheinmetall. Së bashku me këtë vijnë edhe granata dhe fishekë pushkësh, me vlerë në miliona.
Diehl Defence del si spiranca e dytë kryesore industriale e Bundeswehr pas Rheinmetall. Prodhuesi bavarez i raketave shfaqet në 21 linja prokurimi me vlerë 17.3 miliardë euro.
Pjesa më e madhe vjen nga familja IRIS-T, e cila do të formojë shtyllën kurrizore të arkitekturës së ardhshme të mbrojtjes ajrore të Gjermanisë. Sipas dokumentit, Bundeswehr synon të blejë 14 sisteme të plota IRIS-T SLM me vlerë 3.18 miliardë euro, 396 raketa IRIS-T SLM për rreth 694 milionë euro dhe 300 raketa të tjera IRIS-T LFK me rreze të shkurtër veprimi me vlerë 300 milionë euro. Së bashku, vetëm këto linja arrijnë në rreth 4.2 miliardë euro, duke e bërë IRIS-T një nga programet më të rëndësishme të mbrojtjes ajrore në planifikimin e Bundeswehr-it.
Dronët gjithashtu po fitojnë terren në listën e planeve ushtarake.
Në skajin më të lartë, Bundeswehr dëshiron të zgjerojë flotën e saj të armatosur Heron TP që operohet me IAI të Izraelit, duke synuar të blejë municione të reja për rreth 100 milionë euro. Një duzinë dronësh të rinj taktikë LUNA NG pasojnë me rreth 1.6 miliardë euro. Për marinën, katër dronë detarë uMAWS shfaqen në plan për një vlerë rreth 675 milionë euro, të cilat do të përfshijnë pjesë zëvendësimi, trajnim dhe mirëmbajtje.
Disa nga projektet e reja më të shtrenjta të Bundeswehr-it nuk janë në tokë, det ose në ajër, por në orbitë. Lista përfshin më shumë se 14 miliardë euro në programe satelitore, duke kërkuar satelitë të rinj komunikimi gjeostacionar, stacione kontrolli tokësore të përmirësuara dhe, me më shumë ambicie, një konstilacion satelitësh në orbitën e ulët të Tokës me vlerë 9.5 miliardë euro, për të siguruar lidhje të vazhdueshme dhe rezistente ndaj bllokimeve, për trupat dhe postet e komandës.
Kjo shtytje përputhet me planin prej 35 miliardë eurosh të Ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius për të rritur “sigurinë hapësinore” të Gjermanisë.
Mbajtja e parave në shtëpi
Një nga planet më të ngarkuara politikisht në listën e Bundeswehr-it është shtimi i mundshëm i 15 avionëve F-35 nga Lockheed Martin, me vlerë rreth 2.5 miliardë euro sipas sistemit të Shitjeve Ushtarake të Jashtme të SHBA-së.
Këto do ta mbanin të paprekur rolin e Gjermanisë në ndarjen e armëve bërthamore, por gjithashtu do të ruanin varësinë e saj nga mirëmbajtja, software dhe qasja në të dhënat e misionit amerikan. Kjo gjithashtu mund të sinjalizojë një konvergjencë të mëtejshme gjermane mbi armët amerikane, që nuk mund t’i zëvendësojë, avioni luftarak i gjeneratës së gjashtë franko-gjermano-spanjoll, i Sistemit të Ajrit të Luftimit të Ardhshëm.
E njëjta kornizë amerikane shfaqet në projekte të tjera të profilit të lartë.
Bundeswehr planifikon të blejë 400 raketa lundruese Tomahawk Block Vb për afërsisht 1.15 miliardë euro, së bashku me tre raketa lëshuese Lockheed Martin Typhon me vlerë 220 milionë euro, një kombinim që do t’i jepte Gjermanisë një rreze sulmi prej 2,000 kilometrash.
Plani i përkohshëm i avionëve të patrullimit detar të marinës, me vlerë 1.8 miliardë euro për katër Boeing P-8A Poseidon, është gjithashtu pjesë e tubacionit të shitjeve ushtarake të huaja.

Së bashku, rreth 25 projekte të lidhura me jashtë, me vlerë afërsisht 14 miliardë euro shfaqen qartë në planifikimin e brendshëm të Bundeswehr-it dhe janë më pak se 5% e totalit prej 377 miliardë eurosh në shpenzimet e kërkuara.
Megjithatë, ato përbëjnë pothuajse të gjitha aftësitë strategjike, bërthamore dhe me rreze të gjatë veprimi të Gjermanisë, nga avionët e çertifikuar për armë bërthamore deri te sistemet e sulmeve të thella dhe të mbikëqyrjes detare.
Në të kundërt, pothuajse gjysma e listës është e ankoruar në industrinë gjermane, duke përfshirë automjete të blinduara, sensorë dhe linja municionesh. Në terma financiarë, firmat vendase dominojnë; megjithatë, politikisht, disa sisteme të huaja përcaktojnë rolet më të ndjeshme ushtarake të vendit.
Po armatoset Gjermania! Pse vallë? Pse tani?
Nuk mund të blesh bukë, për ta mykur, si dhe nuk mund të blesh armë, për t’i ndryshkur.


