Oficerët e përfshirë janë lënë lejë të paguar dhe do të merren në pyetje.
Një oficer policie qëlloi dhe vrau një grua pasi ajo sulmoi një djalë dyvjeçar me thikë, në një dyqan në Omaha, Nebraska.
Departamenti i policisë njoftoi se do të hetojë oficerin që qëlloi 31-vjeçaren Noemi Guzman. Gruaja u vra menjëherë dhe një zëdhënës i dyqanit i tha Newsweek se po bashkëpunon me autoritetet për zgjidhjen e rastit.
Departamenti i policisë raporton se u bënë dy thirrje në shërbimet e emergjencës dhe në njërën prej tyre, qytetari tha se ishte një grua me një thikë të madhe kuzhine në dorë dhe një fëmijë të vogël.
Një makinë patrullimi me dy oficerë policie mbërriti në vendngjarje dhe e gjeti 31-vjeçaren në parkingun e dyqanit me një karrocë në dorë, në të cilën ndodhej edhe fëmija. 31-vjeçarja po e kërcënonte dy-vjeçarin me thikë. Oficerët i dhanë urdhra të përsëritur verbale Guzmanit që ta lëshonte thikën. Ajo refuzoi ta lëshonte dhe e goditi fëmijën me thikë. Të dy oficerët qëlluan me armët e tyre të shërbimit.
Kujdestari i fëmijës, së bashku me një kalimtar, e nxorën menjëherë fëmijën nga karroca dhe i dhanë ndihmë. Oficerët filluan t’i jepnin ndihmën e parë Guzmanit, megjithatë, ajo u shpall e vdekur në vendngjarje.
Fëmija u dërgua në spital me lëndime jo kërcënuese për jetën. Sipas deklaratës së policisë, hetimi i kamerave të sigurisë përcaktoi se 31-vjeçarja kishte vjedhur thikën nga brenda dyqanit dhe më pas kishte kërcënuar kujdestarin e fëmijës, duke e detyruar atë të ecte përpara karrocës me fëmijën brenda.
Guzman i udhëhoqi ata nëpër dyqan dhe në parking. Oficerët mbërritën menjëherë pasi Guzman, kujdestari dhe fëmija dolën nga dyqani dhe filluan të ecnin në lindje drejt hyrjes së parkingut.
“Oficerët që iu përgjigjën vendit të ngjarjes vepruan profesionalisht për të ndërhyrë dhe për të shpëtuar jetën e një fëmije”, tha Shefi i Policisë së Omaha, Todd Schmaederer. “Komuniteti mund të ndihet i sigurtë duke ditur se oficerët e policisë së Omaha janë gjithmonë të gatshëm të veprojnë me guxim dhe vendosmëri në situatat më serioze për të mbrojtur publikun”, shtoi ai.
Kryebashkiaku i Omaha, John G. Ewing Jr., falenderoi policinë për veprimin e tyre të shpejtë që parandaloi një tragjedi më të madhe: “Jam mirënjohës për profesionalizmin e departamentit.”
Policia publikoi dy foto nga kamera e trupit që mbante njëri prej oficerëve të përfshirë, që tregojnë gruam Guzman të armatosur me thikë.


