“Jo, maskave në shkollë, që dëmtojnë shëndetin!”
Mbi 220 shkolla janë marrë peng, apo janë okupuar nga nxënësit dhe studentët, që protestojnë kundër përdorimit të maskës, kundër ndarjes së klasave në shkolla dhe që po ngrehin zërin gjithashtu, për rritjen e masave të higjenës dhe pastërstisë në institucionet arsimore.
Në të njëjtën kohë qeveria greke ka mbyllur më shumë se 100 shkolla për shkak të Coronavirus-it.
Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit në Greqi, zonat që kanë më shumë shkolla të mbyllura, apo nën okupim, janë Athina, Ahaia, Selaniku dhe Kreta.
Nxënësit dhe studentët protestuan ditën e enjte në qendër të Athinës, por paralelisht edhe në qytetet të tjera të Greqisë, me kërkesë primare anullimin e vendimit të qeverisë për përdorimin e maskës në shkolla, si dhe shtimin e personelit sanitar në institucionet e arsimit.
Përkrah nxënësve dhe studentëve në protestë ishte edhe Konfederata më e Lartë e Prindërve (ΑΣΓΜΕ), e cila në një njoftim të saj thekson: “Kërkesat e nxënësve janë kërkesa për të cilat janë vënë në lëvizje prindërit dhe personeli pedagogjik që në fillimet e pandemisë, kërkesa që sot mbeten ende të paplotësuara. Jetojmë në një të përditshmen tragjike për shkollën greke, ku nuk sigurohet barazi në arsimim, në higjenë dhe në sigurinë e fëmijëve”.
Prindërit, sipas Konfederatës së Prindërve, mes Organizatave të Prindërve në shkolla, do të rezistojnë dhe do të protestojnë kundër çdo përpjekjeje të qeverisë për të dënuar, ndëshkuar, mes prokurorësh dhe urdhërash për arrestime, apo për të ndalur betejën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, që ka për qëllim fundor arsimimin e sigurtë të nxënësve.