Elektoratin e dënuan me ekzekutim partitë politike, hijenat që i drejtojnë ato dhe mekanizmat e tyre në hijet e errëta të një pushteti të korruptuar, por edhe të përgjakur. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një vend ku komunizmi u rrëzua pa kurban.
Ndërsa ekzekutimin e elektoratit e morën në dorë militantët e partive, idhtarët e hijenave, ushtarët e strukturave politike copëza të partisë mëmë, gjuetarët e pagës shtetërore, grabitqarës e kotheres, që nuk janë elektorati, ata janë konglomerati, ata janë ato përzierjet e parregullta të individëve sa të dobët, po aq edhe agresivë.
Votë e vjedhur! Elektorat i ekzekutuar!
Votë e rrëmbyer! Elektorat i ekzekutuar!
Votë e blerë! Elektorat i ekzekutuar!
Votë e tjetërsuar! Elektorat i ekzekutuar!
Kod Zgjedhor i Ndryshuar! Elektorat i ekzekutuar!
Kod Zgjedhor i Votuar! Elektorat i ekzekutuar!
Marrëveshje politike! Elektorat i ekzekutuar!
Vjedhja, rrëmbimi, blerja, tjetërsimi janë pjella të hijenës me militantin. 30 vite tashmë! Vjedhja, rrëmbimi, blerja, tjetërsimi janë rritur dhe janë bërë burra e gra të sofistikuar në profesion. Ja pra si popullohen demokraturat, jo me elektorate, por me mandate, që burojnë nga akte të pamoralshme dhe kriminale, që instalojnë pushtete të majme.
Dhe të mendosh që kurrë nuk e nderuan sipas riteve dhe traditës “të vdekurin”, elektoratin, por e lamë të pakallur, sërish në shërbim të hijenës dhe militantit.
Je suis électorat!