Mbërritja e Bashës në Shqipëri nuk ka qënë aspak rastësi, sepse nuk mund të jetë rastësi të shkojë dikush në një vend, të kandidojë deputet, të fitojë dhe të emërohet në moshë “qumështore”, ministër. Nuk ka qënë Basha as përzgjedhje e Argitës dhe as e Berishës. Faktet, rrethanat dhe rrethanorët na bindin tashmë se Basha ka mbërritur në Shqipëri i dërguar nga vatra, apo qarqe të huaja, pa më të voglin dyshim jo pro kosovare. Dhe këtë më mirë se të gjithë, e di vetë Berisha.
Nga ana tjetër, nuk mund të pranonte Berisha dikë, pa ia njohur mirë të shkuarën dhe në detaj, si dhe pa rënë dakord me këtë të shkuar. Sot, personi që di më mirë se çdokush të shkuarën e Bashës, është Sali Berisha, ish presidenti dhe ish kryeministri, që pa u ndjerë ka qënë edhe drejtues i Shërbimeve Informative në Shqipëri, prej viteve 1990, me një rrjet njerëzish, informatorësh të shtrirë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, në Maqedoni, Belgjikë, Hollandë, Zvicër, Kosovë padyshim në Sërbi, si dhe gjetiu.
Berisha pra, jo vetëm e ka ditur kush ka qënë Basha, ku ka punuar dhe për kë, por edhe është dakortësuar. Për ato momente i duhej!
***
Basha, sipas disa dëshmive tashmë, të pamohuara prej tij, duket edhe të pamohueshme, ka kryer aktivitet profesional anti-UÇK, aktivitet që konkludon se UÇK-ja është organizatë kriminale, apo terroriste, organizatë që ka bërë krime gjatë luftës dhe të tjera konkluzione që rëndojnë sot pozicionin e UÇK-së në historinë e Kosovës dhe të Ballkanit, por rëndon edhe pozicionin e udhëheqësve dhe pjesëmarrësve të UÇK-së në Hagë.
Ka të vërteta në sa më sipër? Padyshim! Nëse Basha do të kishte kryer aktivitet pro UÇK-së do të kishte mjaft prova dhe aktivitet profesional për të na e faktuar. Kjo nuk ka ndodhur, nuk po ndodh, për deduksion logjik, po, Basha ka punuar kundër UÇK-së, që përkthehet pro sërbëve, sepse qëndrim të mesëm nuk mund të kesh në situatë lufte. Dy janë opsionet: pro ose kundër!
***
Kjo çështje hapet sot, jo për shkak të zgjedhjeve në Shqipëri, por sepse tek arrestimet dhe gjykimet e Udhëheqësve të UÇK-së, kryer nga Haga, pikërisht këtu, u kapën Meta dhe Berisha, për të hequr qafe Bashën, që po pengon rrëzimin e Ramës nga pushteti.
Politikisht, jeta e Bashës është e marrë fund! Basha nuk pranohet më nga Meta, por padyshim nuk pranohet më as edhe nga Berisha, teksa të dy e kanë kuptuar dhe e dinë më së miri, se Basha ka që prej vitit 2014 që është aleati primar, suportuesi kryesor i Ramës, i vetmi person që i dha dhe e mbajti në pushtet Edi Ramën.
Sigurisht që këtë periudhë të pushtetit Rama, duke përdorur Bashën, e shfrytëzuan maksimaliaht edhe Berisha edhe Meta, teksa Rama nuk u dha drejtim, as nuk i çoi në fund gjyqësisht, çështje si: ÇEZ / DIA, filmimet e Metës në zyrën e Priftit, Gërdeci, 21 janari dhe 4 të vrarë, si dhjetra çështje voluminoze korrupsioni, por përkundrazi i mbylli këto çështje makabër.
Basha e mbante në pushtet Ramën, sigurisht me aprovimin dhe lejën e Berishës. Rama kërkonte pushtetin, kurse Berisha dhe Meta mbyllnin në marramendjen e këtij epshi për pushtet të Ramës, çështjet e tyre të errëta, sigurisht mes Bashës që i lejonin të bëhej aleat “i fshehtë” me Ramën.
***
Sot, historia u dha një shans të vyer Berishës dhe Metës, të cilëve u duhet patjetër pushteti, është pikërisht Haga dhe UÇK-ja, si dhe lidhjet e tmerrshme të Bashës me këtë histori të dhimshme. Berisha që di mirë se çfarë, ku, kur, si, me kë dhe për kë ka punuar Basha, e për inerci disa informacione i ka edhe Meta, sot, mes dorës së padukshme të informatorëve dhe agjentëve që veprojnë poshtë e lart në Shqipëri, Kosovë dhe Europë, i çon informacione Ramës dhe e nxit atë, për një sulm ndaj kryetarit të opozitës, duke shfrytëzuar sërish epshin e Ramës për pushtet.
Por, kësaj here, informatorët po e ushqejnë Ramën me një karrem, që e largon atë nga pushteti. Pse?
Logjika është e thjeshtë, aq sa aritmetika e njëshifrorëve. Nuk ka kundërshtar më të mposhtshëm, më të lehtë për t’u fituar, sesa Basha, që e ka humbur besimin e të gjithëve.
Largimi i Bashës, pas skandalit UÇK dhe Hagë dhe nëse ndodh përpara zgjedhjeve, nuk e dëmton aspak PD-në, përkundrazi, ato 230 mijë vota anti-Bashë do i kthehen armatës së djathtë dhe fitorja e PD, me aleancën e LSI-së, do të jetë e padiskutueshme.
Duket që kjo të jetë llogaria e Berishës dhe Metës. Nga ana tjetër nuk mund ta zgjasë më Basha karrierën e tij politike, përbri këtyre hijenave politike, sepse katandis më pas, i rrezikshëm për ta.
***
Këtë karrem nuk duhet ta kishte kapur Rama, kurrsesi! Ramës që të mbetet në pushtet i nevojitet në krye të opozitës flegmatiku, inaktivi, tradhëtari dhe atrofizuesi i së djathtës, Basha.
Pa Bashën në krye të opozitës, një gjë është e sigurtë, rrëzimi i Ramës. Kush e këshilloi vallë Ramën që të sulmojë, zbulojë dhe rizbulojë aktivitetin dhe fytyrën e vërtetë të Bashës kur punonte në UMNIK apo në Tribunal? Fatal do të rezultojë sulmi kundër Bashës, për pushtetin e të majtëve.
Berisha dhe Meta si hijena, karremin Basha, ia hodhën për ta gëlltitur Ramës dhe kështu, mendojnë që të heqin qafe edhe karremin edhe peshkun e madh.
***
Që Basha ka qënë kundër UÇK-së, kjo nuk do shumë intelekt dhe mprehtësi për ta kuptuar. Kjo duket dhe shquhet prej gjithkujt në sjelljet e tij politike dhe në farsitetin e tij me Kosovën, në këto 15 vite.
Por që Rama, do të sulmonte Bashën, me një çështje që i lëkund shumë pozitat e tij për të mbetur në krye të PD-së, këtë mungesë dinakërie politike nga ana e Ramës, nuk e priste dhe nuk e pandehte askush.
Duket që Rama është tërhequr nga kjo çështje, por është vonë, sepse Media nuk po pushon, ndërkohë që dinakërisht “Meta Ora TV” është e vetmja Media vizive më pak e angazhuar në këtë çështje, një Media që nuk e ka bërë këtë informacion, çështje dhe diskutim të ditës.
***
Gjithmonë dhe më e vlefshme, po bëhet vota e pavlefshme, pas çdo analize të lëvizjeve të djallëzuara politike të Ramës, Metës dhe Berishës.
Fundi politik i Bashës mbërriti!