17 Maj 2017 Basha nënshkruan një marrëveshje enigmatike, që ende nuk është zbardhur, nuk është bërë publike. Pse?
Marrëveshje që solli një disfatë rekord në shifra minimale për partinë “e djathtë”, por Basha nuk mbajti asnjë përgjegjësi. “Më thanë ndërkombëtarët” – tha dhe këtu e mbylli skenën e tragjedisë. Ndërkombëtarët i thanë të hynte në zgjedhje, kurse këtij të prikuarit me drejtimin e PD-së i kërkonte oreksi edhe poste politike, bashkëqeverisje me Ramën. Përfundimi, një DËSHTIM.
26 Maj 2017 Basha harton listën e asgjësimit të PD-së, ku të vjetrit e korruptuar, u hodhën në të njëjtin kosh me të rinjtë e zgjedhur prej tij personalisht, të rinj në shërbim të tij për 4 vite opozitë. Pse? Në koshin e plehrave të vjetër dhe të rinj, vendimi arbitrar i padishahut të PD, që e shkërmoqi partinë e djathtë.
Të panjohur dhe shumë “të njohur” u listuan në lista rajonale për kandidatë për deputetë. Këto lista i hartoi ky, i prikuari me karrigen e kreut të PD-së, trashëgimtari me testament i Saliut, që tashmë i është ngrënë dhe rronitur edhe hija.
Humbja e thellë, deputetët e PD-së në Kuvend vetëm 43 “copë”. Por si për çudi Basha i njohu dhe i çetifikoi në kohë rekord edhe zgjedhjet. Të mos kishin vjedhur ndonjë votë socialistët vallë? Ose për sy e faqe, nuk e vononte dot çertifikimin? Jo! Mesa duket marrëveshja ishte marrëveshje “burrash”.
Nga ana tjetër, Basha nuk mbajti asnjë përgjegjësi, fajin e patën ata të djathtë që nuk e votuan padishaun e bashallëkut dhe partinë demokratike që e cfiliti dhe e shkërmoqi. Përfundimi një DËSHTIM.
Korrik 2017 Basha ngriu, manipuloi zgjedhjet brenda PD-së, u rizgjodh mes tjetërsimesh dhe aferash neveritëse endopartiake, më pas shkriu, dhe për afro dy vjet na ngopi me batuta bajate në Parlament, rrëmbeu protagonizmin dhe nuk la asnjë deputet tjetër të evidentohej. As Kodin Zgjedhor nuk mbylli dot, sepse plani ishte ndryshe, siç e tregoi qershori 2020.
Shkurt 2019, mandate të dorëzuara me urdhër, deputetë të dorëhequr me urdhër dhe mandate të marra, deputetë të betuar. Disa dolën me urdhër nga dera dhe të tjerë, të përzgjedhur të Bashës edhe ata, hynë nga dera e të njëjtit parlament, disa ditë më pas. Një opozitë e re në Parlamentin e Shqiptarëve, përfaqësues të të djathtëve edhe këta, me votat e të djathtëve. A nuk ishte Basha ai që vendosi emrat e këtyre njerëzve në lista për kandidatë për deputetë? Po! Këta deputetë të betuar rishtazi në Parlament, a nuk janë të Partisë Demokratike? Po! A nuk është Basha kreu që nuk kontrollon dot të zgjedhurit dhe të përzgjedhurit e tij? Po! Si i dorëzon Basha mandatet teksa nuk ka siguruar që pjesën tjetër të listave emërore ta ketë kompakte, solide në vendimin politik të partisë? Këta hynë në Parlament në kundërshtim me vendimin e PD-së dhe Basha sërish nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë lojë politike të humbur sërish, me turp. Përfundimi një DËSHTIM.
Basha i la mandatet pikërish dhe vetëm për të mos hyrë në zgjedhje, teksa e dinte që sërish humbiste. Për pleshtin ky pizeveng djeg jorganin. Për karrigen e tij, Basha dogji PD-në.
Mund të rendisja bëma dhe dështime pafund të këtij lolos në duart e Ramës dhe karemit në çengelin e Berishës. Kush mban përgjegjësi për këto gafa, faje politike, historike, kombëtare? Kush e ndërshkon këtë lolo politik për agravimin e jetës politike, ekonomike, sociale dhe demografike në vend? A nuk duhet të mbajë një herë përgjegjësi ky palaço dhe të largohet?!
Miqtë e mi, nëse nuk largohet ky dhe ata që e mbajnë peng, nuk do të ketë kurrë të djathtë. Dhe një vend që vret, asgjëson të djathtët dhe të djathtën si formacion politik, i shtron udhën të majtës të bëjë sistemin e saj që e ka për natyrë, për ideologji, totalitarizmin, monopartizmin, duke vendosur kontrollin absolut mbi gjithçka, edhe pse në ekonomi tregu.
Iu dhurua një PD batalion dhe e katandisi në çetë të çarmatosur! Sa të jetë Basha, Ramën e kemi në krye!