Në antikitek, kundrejt një pagese mësoje mjeshtërinë e retorikës dhe anën e saj të errët sigurisht, mashtrimin, formën sesi të gënjeje, mashtroje dhe mes mashtrimit të bëheshe bindës. Ekzistonin disa shkolla që “prodhonin” të tillë mashtrues, politikanë dhe diplomatë me vulë! Një prej dhaskalëve më të djallëzuar ishte Korakas Syrakosios.
Tregohet edhe një histori për këtë, një lloj anekdode e lashtë: Një student i dhaskalit në fund të vitit nuk pranoi të paguante për disa mësime që i kishte të mbartura, duke i thënë: “Dhaskal, nuk do të të paguaj dhe do të të bind për këtë, por edhe nëse nuk të bind, sërish nuk do të të paguaj, sepse nuk më ke mësuar të të bind!”. Dhe Korakas i përgjigjet: “Nëse më bind për këto që thua, do të më paguash sepse të mësova të bindësh. Por edhe nëse sërish nuk më bind, do të më paguash sepse nuk do të më kesh bindur!”. Po si? Dhelpra 100-vjeçare dhe dhelpërushja 110-vjeçare?!
Deri më sot në vendin tonë, kryesisht në krerët e partive politike, njohëm dhe njohim të tillë retorë, mashtrues dhe gënjeshtarë të popullit të tyre. Por në rastin shqiptar, aktet e mashtrimit nuk ka fjalë në fjalor që t’i përshkruajë dhe perifrazojë ekzaktësisht, sepse u bën nder t’u thuash mashtrues, janë shumë më keq, sepse nuk janë aspak mashtrues të shkolluar. Sigurisht që një politikan t’i thotë popullit të vërtetën, kjo do të ishte revolucion, sepse e vërteta është interesi i popullit. Pse do të duhet ta zgjojnë popullin? Nuk është më e thjeshtë t’u thonë gënjeshtra të tmerrshme për tua patur frikën?
Në këtë frekuencë mendimi shtrihet dhe dergjet politikisht dhe partiakisht Hazardi Politik Lulzim Basha.
Një lëndë e shkencave politike, Metodologjia Politike, një lëndë e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme u mëson studentëve sesi hartohet afisha e një politikani, si duhet të jetë i stisur “udhëheqësi” për të qënë bindës, si duhet të të shikojë në sy dhe sesi do të duhet të lëvizë duart dhe të të tregojë edhe gishtin. Si të çon dhe të bën një xhiro tek e ardhmja e lumtur që do të krijojë ai. Dhe teksa i bën të gjitha këto, i bën nga lart, nga një podium dhe ty të ka vendosur atje poshtë, diku në një sërë, që ti ta dëgjosh atë që është lart.
Në shah nuk ka vend për bllof. Por në skakiqerën politike shumë mashtrues fitojnë, sepse mashtrimi ka shpejtësi, por mos harroni se e vërteta ka durim, këmbëngulje, rezistencë dhe është e patjetërsueshme. Ndaj dhe shahu do durim për të fituar. Nëse populli luan shah, bëhet pjesë e skakierës, nuk ka mashtrues që e fiton lojën politike. Nuk ka mundësinë e bllofit asnjë Bashë, kur përballë ka të vërtetën, popullin pra.
Asnjë votë Bashës!
Demokratë, luani shah me durim dhe pa ngut! Mashtruesi ngutet, nxiton, juve ndaljani vrullin, shahu është lojë e mendjes dhe intelektit, zgjat në kohë.