Kryepishkopi i Kishës Ortodokse Greke z.Christodoulos (Kristodhulos), që qëndroi 10 vite në krye të Kishës, ishte një ata klerikë dhe patriotë që me qëndrimet e Tij trembi dhe tronditi qeveritë greke të asaj kohe, por kryesisht prezenca e Tij shqetësonte globalistët perëndimorë, që në figurën e Kryepiskopit shikonin njeriun që do të bëhej pengesë e zbatimit të planeve të tyre ogurzeza për Greqinë.
Kryepishkopi gëzonte mbështetjen dhe admirimin e popullit grek dhe ishte ndoshta personaliteti më i pëlqyer dhe më i pranuar.
U fronëzua në vitin 1998. Në vitin 2000 filloi betejën e Tij të ashpër kundër Qeverisë Greke të kryeministrit Simiti, lidhur me çështjen e Kartave të Identiteti, që me vendim parlamenti dhe qeverie, hiqnin nga të dhënat e Kartës elementin fetar, domethënë nuk do të shkruhej më në Kartat e Indentitetit të shtetasve Grekë përkatësia fetare “ortodoks”, duke e konsideruar këtë si element të privatësisë së individit. Globalizmi po godiste kështu në vertebër simbiozën afro 2000-vjeçare Helenizëm – Ortodoksi. Kushdo e di dhe e kupton, që kur fillojnë përpjekjet për të zbehur përkatësinë fetare të dikujt, është hapi i parë për ta bërë atë një ditë, që të harrojë edhe etninë e tij.
Kryepishkopi Christodoulos organizoi në Qershor të vitit 2000 dy takime publike, në Selanik dhe në Athinë, ku si asnjëherë më parë dhe asnjëherë më pas, respektivisht sheshi Aristoteli në Platea Sintagma nuk kishin mbajtur aq shumë njerëz. Këto dy mbledhje publike, në shesh, tronditën nga themelet shtetin grek dhe aleatët e tyre globalisto-perëndimorë. Fjalët e Kryepishkopit ishin përveçse frymëzuese, profetike. Në fytyrën e Kryepishkopit disa shikonin edhe udhëheqësin e ardhshëm të shtetit grek, paçka se ai personalisht e kishte bërë të qartë qëndrimin e Tij, kjo u kallte edhe më shumë frikën dhe agoninë.
Më pas, në vitin 2004 Kryepishkopi u përplas me Patriarkanën Ikumenike të Kostansinopojës për çështje që lidheshin me menaxhimin e Kishës Greke dhe zgjedhjen e klerit të saj në rangje të larta. Një përplasje që sot pas afro 15 vitesh po duket dhe po faktohet që ka qënë e nxitur dhe e ushqyer për të goditur Kryepishkopin me çdo formë.
Më pas sistemi, shteti dhe Media i hapën Kryepishkopit një tjetër front lufte, filluan betejën mediatike të përbaltjes dhe propagandës kundër Tij, që prej vitit 2005 dhe deri në vitin 2007, me vallaha keqpërdorime fondesh nga ana e Kishës Ortodokse Greke, mes programesh humanitare brenda dhe jashtë Greqisë. Në këtë pikë, vlen të theksojmë dhe kujtojmë, për hir të së vërtetave historike, që në periudha të caktuara të historisë së Greqisë, nëse nuk do të ishte në krye të rrethanave Kisha dhe kleri, popullata mund të kishte vdekur nga uria, mund të ishte pushtuar dhe të mos ekzistonte më Greqia, teksa Kisha dhe kleri ishte në krye të luftërave për çlirim dhe pavarësi në çdo epokë, si dhe padiskutim Kisha ishte vatër e arsimit, dijes, përkujdesjes shpirtërore dhe sociale të të gjithëve. Kë do të vidhte Kisha dhe Kryepishkopi, veten e saj, apo popullin?
Janë të rrezikshme mjetet e globalistëve dhe të sistemit, nëse duan të të eliminojnë, ja arrijnë qëllimit, sepse janë bërë rrjet dhe kanë në dorë kupolat qeverisëse në shumicën e vendeve. Por nuk kanë popujt! Ndaj kur shfaqen “Kristodhulë” frika i kaplon dhe e bëjnë qëllim në vetvete eliminimin dhe asgjësimin e kujtdo që mund të zgjojë popullin.
Në kulmin e sulmeve mediatike kundër Kryepishkopit Chritodoulos (Kristodhulos), në vitin 2007, çuditërisht në qershor të po këtij viti Kryepishkopi konstatohet se vunate nga një sëmundje tumoriale. Shëndeti i tij u përkeqësua me ritme të shpejta, fizikisht ata që e kishin pranë shikonin sesi u tret një burrë kolos në pak muaj, derisa Kryepishkopi fjeti në Janar të vitit 2008.
Më poshtë mund të dëgjoni dhe lexoni fjalën e Kryepishkopit Christodoulos në sheshin qëndror të Athinës, (Syntagma), ku “deti” i njerëzve kalonte shifrën e 1 milionë pjesëmarrësve, lidhur me çështjen e heqjes së elementit “ortodoks” nga Kartat e Identitetit. Ai shesh nuk kishte parë kurrë më parë një grumbullim të tillë, një takim ku njerëzit shkuan sepse i thërriste besimi dhe patriotizmi.
Në këtë vend, dikur, në vitin 1843 u shpall Kushtetuta e Parë Demokratike e Greqisë dhe Gjeneral Makrigiannis, protagonisti i kësaj çështjeje, tregon: “Kap me duar flamurin dhe shkruaj, takim etnik, Kushtetutë. Them në emër të Perëndisë dhe të Mbretërisë së Tij, ngrihet flamuri i atdheut”.
(Populli brohoret: Greqi do të thotë Ortodoksi.)
Dhe ky shesh është vendi më i përshtatshëm për t’u dëgjuar edhe sot zëri i popullit besimtar, që të bien muret e paragjykimit, që të braktisen taktika të gabuara, që të vijë paqja dhe bekimi i Perëndisë në atdheun tonë të bekuar. Dhe populli besnik i Perëndisë dëgjoi zërin e nënës së tij, Kishës, dhe erdhi këtu dhe jep sot dhe dëshmi tronditëse. Por më shumë sesa masiviteti na rrëmben vrulli, kursa, shkëlqimi dhe gëzimi në sytë tuaj, na ndriçon drita e syve tuaj dhe teksa drita e ditës hedh mbi ju rrezet e saj, fytyrat tuaj marrin një nuancë të ëmbël butësie dhe mirësie.
Ju pyes: A ka ky grumbullim maziv popullor ndonjë lidhje me grumbullimet politike?
(Populli përgjigjet: Jo!)
Erdhi ndonjëri këtu duke fshehur urrejtje për kundërshtarin e tij?
(Populli përgjigjet: Jo!)
Të gjithë admiruan në takimin e Selanikut moralin tuaj, ëmbëlsinë tuaj, bukurinë tuaj edhe këtu në Athinë ndodh e njëjta gjë.
A nuk erdhët të shtyrë vetëm nga flaka e zemrës tuaj?
(Populli brohoret: Po!)
A nuk i përkisni ju të gjitha partive politike?
(Populli brohoret: Po!)
A nuk i latë në shtëpi divergjencat dhe mosdakortësitë partiake?
(Populli brohoret: Po!)
A nuk jemi tani të gjithë të bashkuar në Krisht?
(Populli përgjigjet: Po!)
Kisha hap krahët e saj dhe mban në gjirin e saj të gjithë njerëzit. Ku mund të shikojnë ngjashmëri mes këtij grumbullim emblematik të popullit dhe takimeve politike?
Popull i mbrojtur nga Perëndia mos u ndje i tradhëtuar në besimet e tua të shenjta. Hierarkia e Kishës është e gjitha këtu e bashkuar nën flamurin e Kryqit. Mos e theyni shpirtin tuaj kristian dhe luftarak, teksa shikoni që ju ironizojnë dhe përflasin disa profesionistë të disinformimit.
Janë këtu me ju dhe etërit e drejtpërdrejtë shpirtërorë, klerikët tanë, këta njerëz të ndershëm, këta luftëtarë që me kryqin dhe lutjen ju prijnë. E di që i respektoni dhe i doni, sepse në vendin dotë nuk ka distancë mes klerit dhe popullit. Mos e kini ndjesinë e të përbuzurit, të të lënit në mënjanë. Këtë përpiqen të na imponojnë shpëtimtarët e botës së mohimit. Përkundrazi, ju jeni ndërmjetësit e mëdhenj, modestë, seriozë, të bindur, të sjellshëm, të toneve të ulta të këtij populli, që u kall frikën atyre që e injoruan dhe marrin vendime në kundërshtim me vullnetin e tij.
Çdo ditë lumi fryhet, teksa mijëra, miliona përrenj e mbushin dhe janë të krishterët e këtij vendi, që tani po e vërtetojnë se kur e lyp nevoja, momenti, dinë të kërkojnë me zell të brendshëm të drejtën lidhur me elementë të identifikimit të tyre, ashtu siç vijnë nga historia jonë.
Ky popull nuk dëshiron që të tjetërsohet tradita e tij dhe të ndryshohet në altarin e çdo lloj synimi. Në mënyrë të përsëritur kemi shpallur se jemi në orientim të vazhdueshëm europian. Kisha ndihmoi me të gjithë fuqinë e saj të gjithë Kryeministrat e këtij vendi, nga Konstandin Karamanlisi, tek Georgio Rali, Andrea Papandreou, Konstandino Mitsotaki dhe deri në kryeministrin e nderuar të sotëm të Greqisë Kostas Simitis.
(Populli bërtet: Yyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyy!)
Jo! Jo! Nuk lejohen të tilla sprova. Kryeministri është kryeministër, është institucion në shtet dhe pozicionin e tij jemi të detyruar ta respektojmë të gjithë. Edhe z.Simiti ne e mbështetëm në orientimin europian të vendit.
Ndaj dhe Kisha bashkëdëshmon në dimensionet ekonomike dhe zhvillimore të globalizmit dhe kryesisht në ato ndërmarrje që lidhen me kujdesin për individin dhe drejtësinë sociale. Prandaj edhe Kisha përshëndeti me sinqeritet dhe përgëzoi Qeverinë dhe Kryeministrin për anëtarësimin në Bashkimin Monetar Europian të vendit.
Por Kisha jonë nuk pranon pjesën kulturore të globalizimit që synon homogjenizimin e popujve, rrënimin e traditave, zhdukjen e veçantive të çdo populli, për të mbizotëruar një model i vetëm jete dhe jetese, me njerëz të klonizuar dhe mohues të historisë së tyre.
Përgjigja e Kishës përballë globalizmit nuk është vetëm mbrojtja e identitetit tonë etnik, është kryesisht sugjerimi i ikumenikes dhe katolikes së Kishës në nivel shpirtëror. Kush mendon se bëhet europian mes homomorfizmit dhe rrënimit të gjithçkaje, duhet të dijë se është i dënuar të jetë europian i kategorisë së dytë, kushëri i varfër i Europës dhe një kopjim i shëmtuar i qytetarit të sotëm europian, sepse popujt europianë nuk kanë kompleksin e inferioritetit për identitetin e tyre kulturor, fetar dhe etnik, siç e kanë fatkeqësisht disa nga këta europianistët tanë. Nuk pranojmë të bëhemi thjesht konsumatorë produktesh dhe shoqëria jonë të shndërrohet një një markatë të pafund, apo në një bursë. Ndaj nuk ka për të ndodhur, për sa kohë në vendin tonë madhështor, Kisha do të jetë përkrah njerëzve potencialë, shpirtërisht të shëndetshëm, do të vazhdojnë të shtojnë infuencën e saj të dobishme në popull, për ta mbrojtur nga ligësi dhe rrëshqitje.
Në këtë vend Ortodoksia për 2000 vite tashmë është burimi më i thellë nga ku marrin formë dhe shfaqen vlerat e shtrenjta të jetës sonë. Por është gjithashtu pikënisja më e pasur, nga ku shpalosen anët më të mishëruara dhe afektive të jetës sonë.
Gjeneral Makrigianni e konsideron Ortodoksinë tonë gur themeli të ekzistencës etnike dhe shpirtërore. “Nëse ngrehin kokë – do shkruante – të huaj dhe tradhëtarë mes tanëve kundër besimit, kombi humbet. Popuj dhe kombe që lënë mënjanë fenë e tyre katandisin qesharakë ndërkombëtarisht… kur njerëzit braktisin Perëndinë atëherë bëhen bij të Satanait dhe i shkaktojnë vuajtje njerëzimit dhe humbasin drejtësinë, dashurinë e të Gjithfuqishmit dhe përkatësinë Mbretërisë së Tij, më pas ata dhe ndjekësit e tyre hanë njerëz të gjallë”.
Ne pra, ne, duam edhe progresin edhe traditën, sepse besojmë se progresi është i domosdoshëm për mirëqënien e popullit tonë, por edhe tradita jonë është po aq e çmuar. E pra, ne si Kishë pranojmë Europën e popujve dhe civilizimeve, por edhe Europën që respekton traditën dhe historinë e çdo populli dhe kombi.
Pyes veten dhe ju pyes edhe ju: Cilët janë ata që duan të ndajnë popullin dhe shoqërinë në dy grupime, në qytetarë të vallaha Shtetit progresist dhe në qytetarë të vallaha Kishës së prapambetur? Për çfarë shërben kjo përplasje artificiale, kjo tronditje e kohecionit social dhe kombit, përplasje për të cilën disa deklarojnë se janë të kënaqur, ndoshta edhe krenarë? Cilët janë ata që duan të numërojnë forcat e vërteta të progresit, për të cilët progres është ndarja nga tradita, historia dhe shumëformësia.
Kam frikë se disa që sot shfaqen si kundërshtarë të Kishës gjetën rastin të luajnë rol politik, megjithëse populli nuk i ngarkoi kurrë me një detyrë të tillë dhe përdorin për preteskt çështjen e Kartave të Identitetit. Por a është kjo demokratikisht deontologjike? Disa të tjerë synojnë përfitime individuale, promovimin e tyre për pozicione, karrige që presin të marrin si shpërblim, teksa kanë mohuar parimet e tyre.
Kam frikë se disa gjetën tani rastin të mbulojnë boshllëkun e tyre ideologjik dhe me shkak çështjen e Kartave të Identitetit, po strukturojnë një kundërshtar të Kishës.
Ju pyes vëllezër dhe motra: Çdo të thotë në ditët tona progresivitet? Do të thotë mohim i dialogut? Do të thotë vendimarrje autoritare pa asnjë diskutim? Do të thotë mohim i polifonisë? Do të thotë rrënim ndjesish, që prej dikujt gjykohen si të gabuara?
Sot që situatat na imponojnë për ringritje të ndërgjegjes së popullit, përballë rrënimit që vjen, populli po e percepton dhe po e kupton atë që ndodh dhe me një parandjenjë të admirueshme kthehet dhe bën betejën përkrah Kishës, për të shkuar drejt barkës së shpëtimit.
Ne sërish thërasim dhe buçasim për orientimin europian që ka Kisha jonë, por tregojmë përkushtimin tonë për gjenin, kombin. Kështu pra, pranojmë Europën, por adhurojmë Greqinë, prandaj themi, “Po, Europës”, por themi “Dy herë, Po, Greqisë”.
(Populli brohoret: Greqi do të thotë Ortodoksi)
Greqi do të thotë Ortodoksi dhe këtë e brohoret populli prej 2 mijë vjetësh tani më. Dhe cila është ajo fuqi që ka shtatin ta vërë në dyshim këtë, sot? Çdo banor i këtij vendi njeh se ka detyrim, së bashku me të gjithë, për të ruajtur paralelisht me Europën, karakterin tradicional të vendit tonë, për t’ju dorëzuar fëmijëve tanë një Greqi bashkëkohore, të respektuar, të denjë dhe të zhvilluar, por njëkohësisht edhe një Greqi shpirtërore, tradicionale dhe të krishterë.
Duhet të kuptojnë në një moment të gjithë se Kisha është komunitet shpirtrash dhe trupash dhe se vlerat morale të civilizimit tonë të sotëm vijnë nga takimi i bekuar i Frymës Helene me Krishtërimin. Ndaj dhe elementët e civilizimit tonë nuk janë të rishikueshme, të rishqyrtueshme dhe, edhe pse format e traditës dhe zakoneve ndryshojnë, thelbi mbetet i pandashëm dhe i patjetërsueshëm.
Me dhimbje dhe çudi po dëgjojmë këto ditë disa politikanë dhe gazetarë të ngatërrojnë, shpresoj nga padija, ortologjizmin me mendimin e tyre njëdimensional dhe të pahasur më parë. Ngatërrojnë shtetin civil, me mohimin e pluralizmit dhe me të drejtën për të patur mendim ndryshe. Ngatërrojnë predikimet e iluminizmit dhe nënvleftësimin dhe nëpërkëmbjen e traditës, si dhe të vetkoshincës së kombit.
Me trishtim shohim gjithashtu, se sa lehtësisht disa rrëshqasin në opinione thellësisht antidemokratike. Në agim të shekullit të 21-të ka ende në vendin tonë disa shkencëtarë politikanë dhe komentues, analistë që thonë se të drejtat kushtetuese nuk janë për ata që kundërshtojnë një iniciativë qeveritare. Janë këta që mbështesin idenë se Kisha nuk mund të ushtrojë të dretën kushtetuese të referendumit, që Kisha nuk gëzon të drejtën e mendimit dhe të fjalës. Disa arritën deri atje, sa të na kërcënonin, të kërcënonin udhëheqësit e klerit me sanksione penale për organizimin e këtyre takimeve madhështore.
Duket se po ndodh një paradoks, të gjithë këta desinformatorë konsiderojnë se shtetas me të drejtë fjale, me të drejtë grumbullimi, me të drejtë pjesmarrjeje për të përbashkëtën, është vetëm ai që ka mendime anti Kishë dhe anti Kler, gjithkush pra që nuk i beson shtetit të pabesë. As shumë, as pak, mendojnë se kush është besimtar, apo kush mendon se edhe Kisha mund të ketë opinionin e Saj, nuk është shtetas, ose është shtetas i dorës së dytë.
I ftojmë dhe iu lutemi të kuptojnë se ata që u mblodhën këtu sot dhe janë qindra mijëra, nuk janë shtetas, banorë të dorës së dytë, që i gjithë ky popull që ka mbushur plot e përplot qendrën e kryeqytetit dhe ai popull që mbushi qendrën e Selanikut, janë shtetas me të drejtën për besim, me të drejtën për dije, me të drejtën për opinion në të tashmen dhe në të ardhmen e këtij vendi.
Argumenti i tyre bazë është se nuk mund ta vendosim qeverisjen mes vetë Qeverisë dhe Kishës. Le të mos kenë frikë, sepse askush nuk vë në diskutim pushtetin dhe kompetencat e organeve shtetërore. Rreziqet kundër pushtetit politik nuk vijnë në asnjë rast nga Fjala shpirtërore dhe morale e Kishës.
Ne jemi pro dialogut, ne sillemi me forma demokratike dhe kristiane, duam dialog dhe ofrojmë dorën, që ky dialog të fillojë, por ka padyshim çështje pezull mes Kishës dhe Shtetit, për të cilat jemi të predispozuar të dialogojmë dhe do ta bëjmë dialogun, ndërsa ne sot kërkojmë dialog për Kartat e Identitetit, dialog për fenë të shkruar në to.
Në agim të shekullit të 21-të shikoj disa që po injorojnë historinë, kryesisht të shekujve të 18të dhe 19të, sepse nëse do të dinin histori do të njihnin se për hir të klerikëve u shënuan dhe morën formë parimet e para të zhvillimit, letrave dhe dijes.
Nuk ju mjafton vetëm kjo, tani po u vërsulen klerikëve dhe epishkopëve dhe mitropolitëve në të gjithë vendin.
Por të dini që kur rasa valëvitet, fitorja është e sigurtë, e vërteton historia jonë. E tregon ky grumbullim dhe pjesëmarrja juaj, ky masivitet, ky det njerëzish.
Më vjen keq që mes atyre që shajnë klerikët e Kishës sonë, gjenden edhe disa që nuk respektojnë pozicionet e tyre ndërmjetëse, që në vend të vedosin paqen, i hedhin vaj zjarrit. Le të jenë, Kisha të gjithë i fal, të gjithë i do dhe për të gjithë lutet.
Edhe ata që na shajnë, edhe ata që na përndjekin, edhe ata që na shqetësojnë janë fëmijë të Kishës, janë edhe ata fëmijë të Perëndisë, ndaj dhe lutemi për ta, t’i ndihmojë Perëndia të braktisin taktikën e tyre shterpë. Gjithë këto ditë janë hapur portat e Adhit dhe u thanë fjalë të papërshtashme dhe të rënda, mbushur me urrejtje dhe përçmim, mbushur me paragjykime dhe empati, mbushur me arrogancë dhe keqdashje. Renditën sharje pafund, deri në kërcënime, për mua personalisht kaluan në delirium, duke thënë se duhet të dëbohem nga atdheu, arritën në pikën e fundit duke shkruar në faqen e parë të një gazete, se “Kristodhulos është i rrezikshëm për kombin”.
I kundërshtoj me pastërti shpirtërore sharjet dhe kërcënimet dhe fal me mëshirë kristiane ata që i thanë, por edhe për juve thanë, ju karakterizuan si minorancë fanatikësh. Dhe e dini pse? Sepse keni guximin të ngrini zërin dhe të kërkoni të drejtën tuaj. Gjykuan këto takime masive si takime mafioze dhe ju thanë se jeni një turmë e paorganizuar. Neve na quajtën tregtarë të fesë, sepse konsideruam si detyrim tonin të qëndrojmë si kreu i popullit të Perëndisë dhe të ankohemi për ato që ndodhin rreth nesh.
Kisha është një fuqi shpirtërore, por njëkohësisht është edhe një fuqi e madhe popullore, që vjen nga populli i Saj besimtar. Jemi përpara dhe të gjithë ju pranë nesh, popull i bashkuar, kurrë i mposhtur. Kush mund të injorojë zërin tuaj? Kush mund të mbyllë sy dhe veshë nga kjo që shikojmë sot, këtu?
Shigjetat e tyre drejtohen kundër Kryepishkopit dhe një grupi kryeklerikësh për të cilët thonë, se kemi vallaha synime politike dhe se artikulojmë logo politike. Më vjen keq që disa politikanë dhe disa vasalë akademikë që nuk dinë se ç’do të thotë sistem sinodik në Kishë. Me këto që thonë nuk ofendojnë disa persona, por ofendojnë Kishën si Trupi i Krishtit dhe marrëdhënien e saj historike me helenizmin. Kushdo që të gjendej në pozicionin tonë, kushdo që të ishte drejtues i Kishës, kushdo që të ishte anëtar i hierarkisë, do të kishte të njëjtin mendim dhe qëndrim me ne, do të reagonte dhe do të vepronte si edhe ne.
A nuk u bë e njëjta gjë edhe në vitin 1987? Për t’ju sjellë vetëm një shembull. Përse kaq pasiguri? Përse kaq nervozitet? Përse kaq mungesë besimi në gjykimin e popullit?
Kur jeni pranë nesh ndjejmë fuqinë që na jep Perëndia dhe ju, populli.
A mund të quhen fjalë politike, fjalët për të varfërit, për ata që u është shkelur e drejta, për ata që kanë nevojë, për të përulurit dhe të përbuzurit e kësaj shoqërie? Fjala për memorje historike, për kohezion social dhe solidaritet, fjala për humanizëm dhe donacion, fjala për shpresë, mund të jetë fjalë politike, ashtu siç e nënkuptojnë ata? A është politike fjala për familjen, arsimin, rininë, për lëndët narkotike, për çështjet tona kombëtare? I informojmë se kjo fjalë është tejet eklisiastike, kishtare, atërore, njerëzore, fjalë dhe shprehje e thjeshtë.
Nëse Kisha nuk artikulon fjalë të tillë, atëherë çfarë duhet të thotë dhe çfarë duhet të bëjë Kisha? Do iu interesonte së tepërm që Kisha të ishte e izoluar brenda mureve të tempujve dhe faltoreve. Ne nuk nënvleftësojmë jetën tonë liturgjike dhe adhuruese, por nuk e kufizojmë interesimin tonë vetëm tek shpirti i njeriut, por interesohemi për trupin e tij, për nevojat e tij sociale, sepse Kisha është së bashku me popullin dhe njeh tek çdo individ jo vetëm shpirtin, por edhe materien, edhe sarkën për të cilën është në betejë të vazhdueshme.
Nuk dëshirojmë lavdi nga bota dhe nuk duam asnjë lloj bashkëqeverisje, as edhe ndonjë pjesë të pushtetit. Lavdinë dhe nderin më të madh ne klerikët e ndjejmë kur mbajmë në duart tona trupin dhe gjakun e Krishtit tonë. Por brenda nesh ndjejmë përgjegjësi të madhe për gjenin, për kombin dhe kjo nuk është ambicje për pushtet, por është përgjegjësi dhe peshë historike që shoqërohet nga sakrifica dhe martirizime. Le të mësojnë ata që nuk munden, ose që nuk duan të kuptojnë se, asgjë nuk është më bashkëkohore se dashuria, përplotësimi, falja, ngushëllimi, pritshmëria dhe shpresa e Ringjalljes.
Ne që u mblodhëm sot këtu, njohim dhe ndjejmë ç’do të thotë fraza e meshës “Paqe të Gjithëve”.
Çështjen e Kartave të Identiteti dhe e heqjen e fesë tonë prej tyre e konsiderojmë çështje të rëndësisë së veçantë, ndaj dhe protestojmë, nuk ushqejmë iluzione, as nuk i japim çështjes dimensione që vallaha nuk i ka, as nuk i bëjmë gjërat tragjike, por heqja e fesë nga Kartat e Identitetit, element që qëndron prej dekadash, na bind se është ndërmarrë një operacion që të eliminohen dalngadalë nga jeta publike, një për një të gjitha të dhënat e fesë sonë, që të arrijmë stad pas stadi në dekolorimin fetar të shoqërisë.
Sot heqin fenë nga Kartat e Identiteti, nesër do të heqin mësimin e fesë nga shkollat, më pas do të heqin kryqin nga flamuri, më pas do të heqin ikonat nga ndërtesat publike, do të bëhet e detyrueshme martesa civile, do të nënvleftësohet Kisha dhe do të shndërrohet në institucion privat besimi, si dhe do të çkrishtërohet jeta publike.
Nga sa më sipër u thashë, heqja e fesë nga Kartat e Identitetit cënon besimin tonë. Deri më sot kanë ndodhur edhe të tjera bëma, që edhe pse ngritëm zërin, nuk u dëgjuam. Tani duan të heqin edhe fenë, e jo, mjaft!
(Populli brohoret: Hiqni duart nga Kisha!)
Çdo njeri i thjeshtë, por i logjikshëm ngre pyetjen: Pse po e heqin fenë nga Kartat e Identitetit? Dhe merr për përgjigje, argumenta juridike. Por çështja nuk është vetëm juridike, ka edhe të tjera dimensione që nuk mund të anashkalohen. Jemi një minoritet fetar brenda Bashkimit Europian dhe duam që në Kartën tonë Kombëtare të tregojmë dhe dëshmojmë besimin tonë ortodoks.
Sepse nuk ka arsye që të na e mohojnë, por edhe argumentat juridikë nuk janë siç na i përshkruajnë.
…i sugjeruam qeverisë që ta lërë në vullnetin e çdokujt, që ta shënojë ose jo fenë në Kartën e tij/saj të Identiteti, por as këtë nuk e pranoi qeveria, sepse qëllimi ishte një dhe i vetëm, heqja e fesë, duke injoruar popullin.
…Greqia është sinonim edhe i ortodoksisë, edhe i lirisë, sepse këtu lindi nocioni liri dhe ky popull për lirinë ka bërë sakrifica sublime dhe është kryqëzuar në kryqin e obligimeve të tij kombëtare.
Një herë “Po, Europës”, Dy herë “Po, Greqisë”!