Nga 61 Bashkitë që përbëjnë territorin e Republikës së Shqipërisë, ndër të cilat 17 Bashki, konsiderohen Bashki të mëdha, Rama do të kandidojë personazhe të reja, persona të rinj, emra të pakonsumuar.
Për një seri arsyesh, Rama me inteligjencën dhe nuhatjen dianolike politike, e di shumë mirë që armata aktuale e “kujave gërdallë”, të zhytyr, ngjyer dhe lyer në korrupsion nuk mund të jenë më prijës fitoresh.
Gjithashtu, edhe nëse do të ishin figura të pastra politikisht, administrativisht, janë kaq gjatë në pushtetin lokal, sa kanë filluar të rroniten, veniten, zbehen, nuk kanë më çfarë të japin, sepse edhe uji në të njëjtin vend për shumë kohë, qelbet.
Rama gjithashtu njeh mirë faktin që të gjithë këta kryebashkiakë të sotëm, janë në këto poste për hir të tij dhe politikave të tij dinake, që mes blerjes së opozitës (Bashës) dhe tërheqjes së saj (PD-së) nga gara elektorale e vitit 2019, këta kryebashkiakë fituan me “Bindjen Demokratike” përballë, ku në shumicën e Bashkive, fituesi i dytë në zgjedhje ishte vota abstenuese. Me një fjali, këta kryebashkiakë nuk janë provuar herën e fundit si fitues mes një gare elektorale, por janë emëruar. Veç kësaj këta kryebashkiakë janë të ngarkuar edhe me konsumin e 4 viteve pushtet e për rrjedhojë vetëskualifikohen nga gara.
Rama do të dalë me figuara të reja dhe do të ndjekë modelin e Erdogan dhe pas afro 20 vitesh do të futë një brez të ri në politikë, që do i rrisë si fëmijët e tij politikë dhe këta të sotmit, të maturuar dhe të rënduar politikisht, do i kalojë në skalion të dytë, si dikur Namik Doklen, apo Arta Daden dhe të tjerë. Por do i largojë edhe për faktin që, nëse i lë më gjatë në skalionin e parë, katandisin të rrezikshëm për pushtetin e tij.
Edhe nëse disa të rinj nuk do të jenë të suksesshëm, fajin do e kenë të tanishmit në Bashki dhe strukturat e PS dhe të rinjtë do i promovojë politikisht dhe do u japë drejtimin e strukturave partiake politike, teksa ato do e kenë barrën e humbjes.
Duket që Rama, pas një qeverisjeje zullumqare në nivel lokal dhe qendror do e spastrojë bazën filimisht, në nivel lokal, padyshim opozitës do i lërë hapësirë për të marrë Bashki, në mënyrë që vala e zemërmit për ndaj pushtetit të tij absolut, të bjerë.
Një pjesë e ministrave dhe drejtuesve të lartë do të jenë padyshim në dyert e prokurorive, gjykatave dhe prapa kangjellave të burgjeve, duke shtuar kështu statistikat anti-korrupsion për ndërkombëtarët, si dhe duke spastruar konkurrentët në parti.
Erion Veliaj besoj se nuk do të jetë më kandidat në Tiranë, ndryshime do të ketë edhe në Vlorë, Fier, Korçë, Dibër, Durrës, Elbasan, Sarandë, ndoshta edhe në Pogradec, duke parë portretet dhe kohëzgjatjen në pushtet të kryebashkiakëve aktualë dhe duke bërë një analizë të lëvizjeve strategjike politike të Ramës.
Është kthyer nga Turqia më i armatosur se kurrë në ide, strategji dhe deviza autoritare për administrimin e të tijve në parti, në qeveri dhe në pushtet lokal.
E duam apo jo Erdoganin, duhet të pranojmë se është një hijenë politike, një kafshë politike dhe një autokrat i frikshëm dhe Rama, djali i tij arnaut, në brigjet e Adriatikut, po i ndjek si dishepull i bindur direktivat e tij që prej vitit 2011. Dhe të dy drejtojnë dy vende ku njerëzit dhe mentaliteti ngjasojnë. Shqipëria një lagje e Stambollit, ku 50% ngjasojnë tërësisht me “vëllezërit” turq, padyshim që do të drejtohet nga Rama, nëse ai ndjek me përpikmëri mësimet e Erdogan.
Autokratët nuk mbajnë gjatë njerëz pranë tyre. Në një moment ose i largojnë butë, teksa kanë mbetur të kënaqur nga shërbimi, ose i përdorin dhe flakin teksa i njohin për nga karakteri, ose kush ngre kokën, burgoset.
Armatë e re politikanësh në PS-në e Zgjedhjeve për Pushtetin Lokal më 14 Maj 2023.