Shqiptari në Ujnajë

Një “vaki” për llahtari. Na shquajnë sytë imagjinata katastrofash biblike. Moti (natyra) buçet, gjëmon, kërcet, kumbon, ushton, uturin, pëlcet, godet, shpërthen, vërshon, fryn, gufon, derdhet, përmbyt, bubullin, shkrepëtin, rrjedh, kullon, bërtet, thërret, angullin, ulërin, çirret, buçkarritet, gulçon, rrënkon, shfryn, VAJTON.

Shqiptarët janë pësonjësit që po kacafyten me natyrën. Disa thonë, si për të lehtësuar dhimbjen, se po luftojnë me “fatin”. GJEPURA! Po luftojnë me veten dhe të shkuarën e tyre. Kobshëm, NATYRA po u jep mësimin, BUJKROBËRVE që ende dajandisin.

Shteti vidhte shqiptarin. Shqiptari vidhte shtetin. Të dy “vidhnin” dhe cënonin natyrën. Sot, natyra i sjell të përballen! Të shikojmë çfarë do të mëtojë shqiptari nga shteti, por jo vetëm nga ky i sotmi, edhe nga ai i djeshmi, i pardjeshmi, i dikurshmi, në thellësinë e kohëve. Të kohëve që janë bërë të errëta, për shkak të mungesës së memorjes së shqiptarit.

Ah shqiptar, shqiptar! Fakir fukara, muhaxhir në vendin tënd. Kam frikë se edhe pas kësaj, do të ngelesh një “mlysh”. E kam thuajse bindje, o shqiptar.

Ku janë ata nacionalistët, që fjalëlehin kundër fqinjëve, ata që dronëzojnë dhe hartëzojnë, por që bashkëshqiptarin braktisin?! Ku janë këta pseudo-shqiptaro-etnikët, “fluska sode”, që po bëjnë sehir shqiptarin teksa hiqet zvarrë, teksa uji dhe dheu i godasin mishin dhe shpirtin, pronën dhe familjen, jetën dhe frymën?! Për këta “nacionalo-hibridë” po preferoj mos lëçit më, asnjë fjalë më shumë, asnjë epitet, që të mos më klasifikojnë tek gojështhururit (por që mund të kishte edhe kjo të sajën shije lektike).

Ku jeni ju të tjerët, hajdutë, kusarë, gënjeshtarë e tradhëtarë, që e rropët dhe e ndukët këtë vend dhe sot paturp “rrëmbeni” fokusin e kamerave dhe foninë e mikrofonave për propagandë?!

I ra qekthi shqiptarit dhe e njollosi sërish. I ra sëkëlldia shqiptarit dhe e bëri për t’u sëmbarur sërish. Vardoi shqiptari gjithë jetën, por prokopi nuk pa, paska qënë e shkruar.

Shqiptar, dërgoi në ujnajë të gjithë! Hiqua tujat ish-pashallarëve, edhe këtyre të tanishmëve, edhe tuhafëve që sot gamgamizin në opozitë. Shporri qatipët e shtetit të sotëm dhe të ish-qeverive që të kanë zënë parlamentin, dhe çoi pára gjykimit. Mos u kurse, për t’i kursyer! Sot, gjyko të shkuarën, që të shpëtosh të ardhmen! Janë në krye ata që kanë shkruar historinë për TY, pa TY!

Shqiptar, zhytthi për ku? Deri kur?

Shqiptar, buçit, gjëmo, kërcit, kumbo, ushto, uturi, pëlcit, godit, shpërthe, vërsho, fry, gufo, derdhu, përmbyti, bubulli, shkrepëti, rridh, kullo, bërtit, thërrit, angulli, ulërii, çirru, buçkarritu, gulço, rrënko, shfry, QË TË MOS VAJTOSH!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Next Story

Marine le Pen kërkon referendum për të dalë nga BE

Latest from Opinione