Bashki, vendos një rregull, bëj një strategji për prokopi, sepse po bëhemi më shumë hotele se shtëpi!
Janë hapur më shumë hotele seç mund t’i duhen tregut. Kjo është e faktike tashmë. Por Bashkia vazhdon dhe lejon të hapen edhe të tjera hotele, motele, bujtina, shtëpi pritje.
Pikë së pari, hotelet ekzistuese kanë hedhur një kapital sipërmarrës dhe sot nuk po vjelin dot kapitalin e investuar, e jo më t’i kthehen fitimit të pastër. Të gjithë janë në kredi (shumicën rastis t’i kem miq dhe të njohur). Nëse Bashkia lejon të hapen edhe hotele të tjera, do të thotë se Bashkia nuk ka strategji që kapitalet e privatit t’i orientojë drejt investimesh të tjera, nuk ka strategji për t’i mbrojtur privatit kapitalin financar dhe për t’i minimizuar atij, riskun sipërmarrës.
Mos hapni më hotele edhe nëse Bashkia dhe shteti u lejon, sepse do u shkojnë lekët kot, dëm! Nëse keni 5 kacidhe a mijëra, investojini gjetiu, pasi nuk besoj se, që të keni juve të gjithë punë, edhe ato ca vallaha hotele, sepse një çift që viziton Korçën, gruaja/e dashura nuk do të flejë në një hotel dhe burri/i dashuri do të shkojë të flejë në një bujtinë apo hotel tjetër. Do të flenë bashkë, bota të përmbyset.
Mjaft më Hoteleve në Korçë!
Bashki, mbro investimet e bëra, mbro kapitalin e destinuar për në treg, duke e orientuar atë!
Këtë shkruaja në edhe më 18 prill 2019, një vit më parë për Hotelet dhe Bujtinat pafund, që u hapën dhe po hapen në Korçë. Sot? Ja si vjen koha! Pandemi! Të gjithë, thuajse në krizë financiare, një pjesë e madhe e hoteleve në prag falimentimi. Disa pranojnë të kthehen në “senatoriume” karantinimi.
Nëse do të ishin linja prodhimi, të gjithë do të ishin në funksion, në punë.
Kur nuk mbrohet kapitali i investuar dhe kapitali i destinuar për në treg, duke ja mbivendosur këtë të dytin, të parit, dëmi financiar në kohë krizash është i parikuperueshëm, shpesh fatalist për sipërmarrjen e zhytur në kredi.
Në Ekonomi dhe Treg të Lirë jemi, por Strategji, duhet të kemi!
#HotelMania që brejti kursimet e korçarëve dhe i karantinoi në llaç e tulla, në hotele dhe bujtina.