Skualifikim me “Zgjedhje” në PD, por Askush i Zgjedhur – “Të Mbeturit” do të Emërohen Kandidatë!

Termi “gjuhë” përdoret kryesisht për të përmendur mënyrën e komunikimit. Gjuha është pjesë e maturimit fiziologjik të individit dhe bëhet instrument i domosdoshëm mes të cilit njeriu komunikon dhe njeh mjedisin përreth. Me një edukim afatgjatë dhe të kompletuar, folësi i çdo gjuhe është në gjendje të kombinojë njohurinë e sistemit të gjuhës, për prodhimin, përcjelljen dhe marrjen e mesazhit. Por mesa duket këtë nuk e bën dot Partia Demokratike.

Gjuha si fenomen social është një temë e njohur që shpesh na problematizon, kur keqpërdoret nga padija, apo kur qëllimtazi vritet, siç ka bërë Partia Demokratike me të, në pseudo-zgjedhjet e kandidatëve për deputetë, brenda rradhëve të saj, ku mes termit “zgjedhje”, anëtarëve të PD-së iu duhej të skualifikonin. Ata që mbeteshin, konsiderohen “të zgjedhur”. Absurd! “I mbetur” i barazvlefshëm me “i zgjedhur”!

Pozicioni i spikatur i gjuhës, mes së cilës shfaqet bota emocionale dhe mentale e njeriut, si dhe roli i saj deçiziv në formimin e strukturave sociale dhe marrëdhënieve shoqërore, e bëjnë atë që të stimulojë, nxisë apo ngacmojë intelektin e çdokujt.

Një rastin kur gjuha nuk vë dot në lëvizje intelektin, teksa shfaqet si e pakuptimtë, atëherë jemi në rastin e deformimit të strukturës sociale, në rastin konkret të anëtarësisë së Partisë Demokratike, me dashje.

Anëtarët e Partisë Demokratike u ftuan të zgjidhnin kandidatët për deputetë të sugjeruar nga seksionet apo grupseksionet, duke skualifikuar. Pse? Këtë do ua them pak më poshtë, pasi t’i bëjme me dije Bashës, çfarë do të thotë fjala/folja “zgjedh” sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe.

ZGJEDH

1. Marr a veçoj nga një grumbull, nga një grup qeniesh, sendesh etj. atë që më duket më i mirë ose më i përshtatshëm. Zgjedh atë që më pëlqen më shumë.

2. Caktoj e marr atë që më pëlqen a që më duket më e përshtatshme, më e mirë, më e rëndësishme etj.; vendos për njërën ndërmjet disa gjërash, zgjidhjesh, mundësish etj.

3. Caktoj dikë me anë të votimit për të kryer një detyrë shtetërore a shoqërore.

Me sa më sipër na sqaron gjuhëtari dhe akademiku për gjuhën dhe përdorimin e fjalës/foljes “zgjedh”, Basha është në kahun e kundërt, domethënë në kahun e pakuptimtë të fjalës dhe aktit. Ky është Basha, ZGJEDH PËR TË SKUALIFIKUAR.

Basha pra, të zgjedh, të piketon për të të skualifikuar. Kur nuk të zgjedh, kur nuk të piketon, sepse minimalisht nuk bie në sy, teksa je i parëndësishëm, i ke të gjitha shanset të kualifikohesh.

Në Partinë Demokratike, në fletën shumëemërore të votimit, votuesi shkonte për të zgjedhur më të keqin, më të papërshtatshmin, më të padobishmin, më të parëndësishmin.

Ndërkohë që anëtarët e PD-së duhet të shkonin dhe të zgjidhnin një kandidat nga lista, që në gjykimin e gjithsecilit ishte më i miri, më i përshtatshmi, më i dobishmi, më i rëndësishmi etj. Kjo është logjika e gjuhës dhe kjo është semantika e fjalës/foljes “zgjedh” në strukturën politike, në rastin në fjalë.

Vetëm një mendje e mbrapshtë, një mendje e errët dhe një kavje kulisash, mendon dhe vepron kështu, kurrsesi një kryetar partie politike. Dhe këtë e bëri, pikërisht, për t’i lënë të gjithë kandidatët e propozuar në listë, që më pas, selektimi i të gjithëve të bëhej sërish prej tij, sepse demokratët brenda llojit nuk mund të zgjedhin skualifikimin. Por brenda llojit, në kushte të tjera, demokratët mund të zgjidhnin më të mirët. Dhe në rastin kur më të mirët me më shumë vota, dalë nga zgjedhjet paraprake endopartiake, nuk do i vendoste në krye të listave të qarqeve ku do i kandidonte, atëherë Basha do të gjendej përpara një kakofonie dhe ngërçi. Njëkohësisht me më të mirët e zgjedhur me votë, nuk do të mund të bënte pazare.

Mes një votimi me skualifikim, mes një zgjedhjeje me skualifikim, si kjo që organizoi arpagoni Basha, as ai dhe askush nga ata qindra kandidatë që presin me merak, nëse do të mbeten në listën përfundimtare apo jo, nuk e dinë sesa të pëlqyeshëm dhe të zgjedhur janë nga anëtarësia e Partisë Demokratike.

Nuk i duhej vallë ky rankrim paraprak Bashës, për ta patur më të lehtë përzgjedhjen e të 140-ve? Sepse një kandidat që do të kishte vota me shumicë brenda partisë, padyshim që do të duhej të kryesonte listën e qarkut ku do të kandidojë, ose do të duhej të ishte ndër të parët në listën prioritare të kandidatëve. Por kjo nuk i interesonte Bashës. Bashës nuk i intereson të dijë se cilët nga ata që ka në PD marrin më shumë vota në anëtarësi. Nuk i duhet fare kjo statistikë. LuBa tani, sërish, vetë vulos dhe vetë vendos.

Nuk e di nëse merr ndonjë “llokmë”, apo nëse bën pazare me listat LuBa? Që nuk përjashtohet si mundësi! Teksa “të mbeturit” quhen të zgjedhur, pse të mos quhen edhe “blerës”!

Veçse diabolik veprimi dhe sa shumë i turpshëm. Por ja që të gjithë e pranuan. Ky fakt është tragjik dhe shpresëvrasës, si dhe ngjall neveri për të gjithë, pa përjashtim, për ata të ashtuquajturit kandidatë. Këta mjeranë që nuk u skualifikuan, por që në thelb nuk janë zgjedhur, sepse nuk janë votuar, tani do të duhet t’i bëjnë sërish temena kryetarit për t’i vendosur në listë, në zonën fituese mundësisht. Por vendet janë pak, të zgjedhurit e emëruar nga Basha do të jenë akoma edhe më pak.

Këtyre, që nuk ua hoqi vijën anëtarësia, por që po ia heqin vetes, u citoj një thënie të Sokratit: “Mëso sa të vlen lëkura dhe bëju zot i vetes, më pas politikan”.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Qindra Qipriotë Thyen Trarin e Kufirit Turko-Qipriot me Thirrjet "Qiproja Është Greke" - Marshe Otomane Dëgjoheshin në Sfond (video)!

Next Story

Turqia dhe Greqia Drejt Luftës - Gazetari i Famshëm Grek Giorgos Tragkas Shpërthen në Emisionin e tij Radiofonik!

Latest from Opinione

Perëndi, Biri!

Perëndia i Përjetshëm, Biri, u mishërua me emrin Jezu Krisht. Nëpërmjet Tij u krijuan të gjitha,