Hakerat Iranianë “Aleatë” të 12 Nëntorit

Misteret e hakerimeve që na shfaqeshin të hënave, për të na shenjëzuar javën, tani na shfaqen dhe në mesjavë, për të na shenjëzuar logjikën, si të duan të na imponohen për zgjim.

Krimi kibernetik ka goditur shtetin, në të gjitha institucionet e tij. Por dje, 3.11.2022 hakerimi na nxorri zbuluar sigurimin, shërbimet informative, sigurinë e informacionit, sigurinë e shtetit dhe ka lënë pa punë dhe në gojë të ujkut me qindra persona në shërbim të institucionit më të mistershëm, aspak të dashur për askënd, shpesh aprofesional, që veçse mister nuk ka më.

Nëse në 24 orët e fundit keni ndjekur 3 personazhet e politikës, keni vënë re:

Një Ramë të qetë në tone, të tërhequr disi, me ritëm piano-piano në fjalën hequr zvarrë, me vokal të mekur, me fytyrë të rreshkur, që pranon situatën, por dhe që u thotë aleatëve se duhet tani të mbajnë edhe ata ca përgjegjësi, që iu bastit “shtëpia” dhe që po i shiten orenditë në pazar, me çmim të lirë, disa gratis, por ndoshta prapa kuintave të blera shtrenjtë, prej dikujt që i intereson t’i ketë.

Një Metaj të çelefitur, të qeshur, aktiv, plot besim, diell në fytyrën e tij, shumë të sigurtë dhe plot zell për më shumë punë me njerëzit dhe mes njerëzish.

Një Berishë me fraza të prera, hijerëndë, i bindur në armët që ka në dorë dhe përdorim, haprëndë drejt së nesërmes, që të bind se di diçka që ti nuk e di, ne nuk e dimë, por ai e di dhe që di se kur ta mësojmë edhe ne, ai do të na fusë në botën e strategjive të tij dhe atje fillon beteja e fitores. Një Berishë që me qëndrimin e tij bind të tijtë dhe i frymëzon.

Sa më shumë i afrohemi 12 nëntorit aq më shumë do të dalin në treg “orendi” dhe “antikuare” që do të na jepen ‘gratis’ nga shtëpia e bastisur, nga hakerimi i shtetit, për ta bërë nëntorin edhe më të kuq, edhe më të flaktë, ashtu siç ekzaktësisht e do opozita.

Me miellin e Ramës, “hajdutët” iranianë që rrëmbyer mullixhiun, furnizuan Berishën dhe Metajn që gatuajnë bukën dhe ushqejnë popullin. Kanë lidhje hajdutët e mullirit me këta të magjes? Shumë mendojnë, si dhe unë, se kanë lidhje, sepse kjo është vjedhje “malli” ekskluziv dhe nuk ka pse bëhet bastisja nëse nuk ka kërkesë – ofertë për “mallin”, por edhe objektiv politik. Dhe hakerat iranianë objektivin politik e kanë të justifikuar dhe permanent, për shkak të strehimit të muxhahedinëve, që “justifikon”, le të themi sulmin afatgjatë të tyre në sistemin elektronik të të dhënave të shtetit shqiptar. Por mesa duket, pas një analize që mund t’i bëhet situatës, fakteve dhe ngjarjeve, rrethanave dhe rrethanorëve është burimor dyshimi se nëse jo paraprakisht, por sot, opozita politike shqiptare, duket si të jetë në dijeni të asaj që është hakeruar, që po i përdor maksimalisht ato që janë rrëmbyer nga shteti, që janë informacione që mund t’i bëjnë opozitë pozitës politike, më shumë sesa vetë opoizita politike, sepse po hapen dritare dhe dyer dhe shqiptarët po hyjnë në dhomat sekrete të shtetit dhe po mësojnë të fshehtat dhe bëmat e tij. Nga korriku dhe deri më sot, po rritet intesiteti dhe shpeshtësia e nxjerrjes, zbulimit të të dhënave të hakeruara dhe bërjes së tyre publike.

Sa më shumë i afrohemi 12 nëntorit aq më shumë skandale po dalin në pah, po bëhen publike, e hëna tjetër, e enjtja që vjen, por në kalendarin e bërjeve publike mund të shtohen edhe ditë të tjera të javës, teksa shkojmë drejt 12 nëntorit, duket se gjithçka është në funksion të rrëzimit të pushtetit aktual në Shqipëri dhe për të rrëzuar një pushtet, duhet një skandal i madh.

Edhe deri më sot, këto janë skandale, që në një vend tjetër qeveria do të ishte rrëzuar, por mesa duket skandali duhet të jetë megatonësh në Shqipëri për të tundur godinën e qeverisjes, që nuk u trondit shumë nga pagat, nga E-mail-et e policisë, por filloi ta tronditë pak avioni ‘charter’ i kryeministrit dhe dje padyshim zbulimi i sigurimit, nxjerrja e një institucioni strategjik në rrugë, e tronditi edhe më shumë dhe duket se ka kaluar në një paralizë parciale.

Pritet mesa duket të publikohen të dhëna edhe më shkundërse dhe për këtë na bind kryeministri.

Rama mendon tani çfarë tjetër do të nxjerrin. Kjo e tmerron dhe e ndrydh, por kurrësesi nuk e bën agresiv, përkundrazi po e bën edhe më të vobektë, teksa ka kaluar në pozicion e pritjes të asaj që do i vijë. Rama më shumë se kushdo e di mirë kush është Berisha dhe Metaj, ndaj dhe droja. Dhe sigurisht që di më mirë se të gjithë çfarë ka ndodhur në këtë qeverisje, në këto 10 vite.

Gjatë këtyre 30 viteve këta persona politikë, kanë mbajtur njëri-tjetrin dhe asnjëherë askush nuk ka ndëshkuar askënd. Deri dje që të tre e dinin shumë mirë, që kush shkrepte i pari këmbëzën do ishte dhe viktima e parë e fatalitetit. Mesa duket, këtë gabim fatal e bëri Rama, i frymëzuar apo i përdorur nga amerikanët, këtë do e tregojë historia, por edhe një vendim i nxituar, që vjen si patologji e pushtetit të gjatë, tek individë si Rama, që çdo natë, janë diku pranë yjeve dhe gjatë ditës përbri fronit të Zeusit.

Kësaj qeverie nuk i duhen më zbulime hakerimesh, publikime hakerimesh, por i duhet të kalojë në zgjedhje të parakohshme, për të shmangur jo vetëm 12 nëntorin “e kuq”, por edhe ditët në vazhdim. A do ta kenë vallë gjakftohtësinë dhe guximin ta bëjnë? Jo!

Hakerat po armatosin opozitën dhe kjo opozitë është kokëkrisur pa armë, e jo më e armatosur. Mendoj se kjo opozitë e rrëzon këtë qeverisje dhe amerikanët nuk kanë për të dërguar më negociatorë për marrëveshje dhe kështu hakerat ja kanë arritur qëllimit dhe Irani do të rihapë ambasadën në Shqipëri, si dikur.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Vuçiç Paralajmëron për Një Dimër "Ferr"

Next Story

Scholz: Është në Interesin e të Gjithëve që Ballkani Perëndimor të Anëtarësohen në BE

Latest from Opinione