Apokalipsi – Rënia e Babilonës

Rënia e Babilonës

1 Edhe pastaj pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, që kishte pushtet të madh; edhe dheu u ndriçua prej lavdisë së tij.

2 Edhe thirri me zë të fuqishëm, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhe, edhe u bë banesë demonësh dhe strofkë e çdo fryme të ndyrë, edhe strofkë e çdo lloj shpendi të ndyrë e të neveritshëm.

3 Sepse nga vera e zemërimit të kurvërimit të saj pinë gjithë kombet, edhe mbretërit e dheut kurvëruan me të, edhe tregtarët e dheut u bënë të pasur nga teprimi i shfrenimit të saj.”

4 Edhe dëgjova një tjetër zë nga qielli që thoshte: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos keni pjesë në mëkatet e saj, edhe të mos merrni nga plagët e saj.

5 Sepse mëkatet e saj arritën deri në qiell, edhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.

6 Shpërblejeni atë, siç jua shpërbleu edhe ajo, edhe ia shpërbleni dyfish sipas veprave të saj. Me kupën, me të cilën gostiti, dyfish gostiteni atë.

7 Sa lavdëroi vetveten dhe u kënaq në epshet, aq mundim e vajtim jepini asaj; sepse thotë me zemrën e saj se po rri si mbretëreshë, edhe nuk jam e ve, edhe s’kam për të parë vajtim.

8 Prandaj në një ditë do të vijnë plagët e saj, vdekje dhe vajtim dhe zi buke; edhe do të digjet në zjarr, sepse i fortë është Zoti Perëndi, që e gjykon atë.

9 “Edhe do të qajnë për atë edhe do të mbajnë zi për të mbretërit e dheut, ata që kurvëruan me të dhe jetuan në shfrenim me të, kur të shohin tymin e djegies së saj,

10 duke qëndruar larg nga frika e mundimit të saj, e duke thënë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, Babilona, qyteti i fortë, sepse për një orë erdhi gjyqi yt.’

11 “Edhe tregtarët e dheut qajnë e vajtojnë për atë, sepse asnjë nuk ble më barrët e tyre:

12 barrë ari e argjendi, edhe gurësh të çmuar, edhe margaritarësh, edhe pëlhure liri të mirë, edhe purpuri, edhe mëndafshi dhe të kuqe; edhe çdo dru me erë të mirë, e çdo enë prej fildishi, e çdo enë prej druje të çmueshme, e bakri, e hekuri, e mermeri;

13 edhe kanellë, e erëza, e temian, e miro, e livan, e verë, e vaj, e majë mielli, e grurë, e bagëti, e dhen, e kuaj, e qerre, e trupa e shpirtra njerëzish.

14 Edhe frytet e dëshirimit të shpirtit tënd ikën prej teje, edhe gjithë të kushtueshmet e të ndritshmet ikën prej teje, edhe më nuk do t’i gjesh.

15 “Tregtarët e këtyre, që u bënë të pasur nga ajo, do të rrinë nga larg për frikën e mundimit të saj, duke qarë e duke vajtuar,

16 e duke thënë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, që ishte veshur me vishnje e purpur e të kuqe, dhe praruar me ar e gurë të çmuar dhe margaritarë;

17 sepse për një orë u shkretua gjithë kjo pasuri.’
“Edhe çdo zot anijeje, dhe gjithë njerëzit që janë mbi to, edhe detarë, dhe gjithë sa punojnë detin, ndenjën nga larg,

18 edhe bërtisnin, kur shihnin tymin e djegies së saj, duke thënë: ‘Cili qytet ka qenë si ky qytet i madh?’

19 Edhe hodhën pluhur mbi kokat e tyre, edhe bërtisnin duke qarë e duke vajtuar, e thoshin: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, në të cilin u bënë të pasur nga pasuria e saj gjithë ata që kishin anije në det, sepse për një orë u shkretua.’

20 “Gëzohu për të, o qiell, dhe shenjtorë dhe apostuj dhe profetë, sepse Perëndia gjykoi gjyqin tuaj kundër saj.”

21 Edhe një engjëll i fortë ngriti një si gur mulliri të madh, edhe e hodhi në det, duke thënë: “Kështu do të rrokulliset me vrull Babilona, qyteti i madh, edhe nuk do të gjendet më.

22 Edhe zë harpistësh e muzikantësh e fyelltarësh e trumbetarësh nuk do të dëgjohet më tek ti; edhe çdo mjeshtër prej çdo lloj mjeshtërie nuk do të gjendet më tek ti; edhe zë mulliri nuk do të dëgjohet më tek ti;

23 edhe dritë kandili nuk do të ndriçojë më tek ti; edhe zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më tek ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse me magjinë tënde u mashtruan gjithë kombet.

24 Edhe në të u gjet gjak profetësh e shenjtorësh dhe i gjithë atyre që janë therur mbi dhe.”

***

1 Edhe pastaj dëgjova si zë të madh turme të shumtë në qiell që thoshte: “Aliluia, shpëtimi dhe lavdia dhe nderi e fuqia i përket Zotit dhe Perëndinë tonë.

2 Sepse gjykoi lavirën e madhe që prishi dhenë me kurvërinë e saj, edhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij që u derdh prej dorës së saj.”

3 Edhe thanë për së dyti: “Aliluia! Edhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.”

4 Edhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë dhe të katër krijesat e gjalla, e iu falën Perëndisë që rrinte mbi fron, duke thënë: “Amin! Aliluia!”

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Tronditje & Frikë nga Anëtarët e NATOs - Do të Përdorë Rusia Pulse Elektromagnetike?

Next Story

Në Amerikë Akoma Numërojnë Votat që Vjedhin - Demokracia Ka Rënë - Shteti Nudo - Të Vaksinuarit Ngrysen & Gdhihen

Latest from Info