Shteti-Pronë & Çifçinjtë në Mëditje

Fatkeqësisht, por është e dukshme, e shqueshme, fanero që populli shqiptar qeveriset me rrëfime, hartime, përralla nga e kaluara dhe e ardhmja imagjinare. Janë përralla që disa i besojnë për të vërteta absolute, teksa thuhen nga “udhëheqësi”, nën diktatin e neo-shtetit.

Që prej kohës kur “idiotë të dobishëm”, i bënë vallaha atentat diktaturës, sepse u bindën se Shqipëria duhet të jetojë në një sistem demokratik/pluralist, deri në epokën e të ashtuquajturve “oligarkë” të shtetit-pronë, na serviret neo-shteti, të cilit duhet t’i besojmë, por që askush në thelb nuk i beson.

Për ta shtrirë mendimin, nga periudha post-diktaturë, pranuam plot pëlqim dhe krenari proklamimet se: “i përkasim Perëndimit”, “do të shkojmë drejt Perëndimit” dhe e kthyem në një imagjinatë të shenjtë kolektive, domosdoshmërinë për të qënë në Perëndim.

“Kombasi” që e kishte lançuar fillimisht si teori për konsum publik-demokratik, me patjetër që injoronte historinë dhe të shkuarën, si dhe faktin që prona “truall” që zotëron sot ky vend, ishte dikur, përzgjedhje dhe vendim i të tjerëve, europianëve kryesisht, por edhe amerikanëve. Për rrjedhojë, historia që përsëritet, na i linte sërish fatet në duart e të tjerëve, për shkak të paaftësisë sonë për të udhëhequr veten dhe vendin. Sigurisht, që shumë prej nesh e kanë të zbehur memorjen për të shkuarën, nga një mori preokupimesh të së përditshmes, që i ushtrojnë individit kaq trysni, sa të mos ketë kohë as të mendohet, e jo më t’i kujtohet dhe të kujtojë, që zuri fill kështu: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, më pas “një armë më pak, një jetë më shumë”, më pas “hajduti i thesarit”, më pas “Nano ik”, më pas “Koha për Ndryshim”, më pas “Çohu/Zgjohu”, derisa dikush mendoi se kishte mbëritur koha (kohë e sjellë prej tij, në delir e sipër) për “Rilindje”.

Dikur, Parlamente me deputetë, me dhe pa profil, tërësisht partiakë, ruralë, por edhe qytetarë, deri në momentin e Parlamentit me deputetë me profil të qartë (të shkruar dhe të regjistruar brenda dhe jashtë vendit), aspak partiakë, ruralë, por edhe qytetarë dhe një pjesë e madhe ish emigrantë, por edhe sipërmarrës që për atdhedashuri, mëmëdhedashje i braktisën deri diku shifrat 0 (zero) të njëpasnjëshme të fitimeve të tyre dhe vendosën të merren me 1-shin.

Ministra me pushtet, ministra pa pushtet, marioneta në pushtet, marioneta për pushtet. Dyzina me ligje dhe karta dhe shkresa, për hir të paaftësisë, burokraci me mbi-dozë.

Financa që dikur kishin vetëm 8 ditë bukë për shqiptarët e rropatur, më pas para me thasë, që peshoheshin dhe nuk numëroheshin, më pas piramida dhe shuma që “avulluan”, më pas emigracion dhe remitanca, dhe më pas borxhe zyrtare për vallaha mirëqënie, edhe tani borxhe për urbanizim të qyteteve ish komuniste, për fasada që na kujtojnë sovjetin, por që të lyera na fshehin amanetin dhe për hir të shtetit-pronë, konçesione PPP, porte dhe aeroporte Lindjes së Mesme dhe të Largët.

Njëri pas tjetrit “kombasit” në krye të këndit “oval” investonin për regresin në thelb dhe progresin në dukje ekonomik, në një vend ku termi politikë, ekuivalentohet me PS ose PD, dhe jo me hartim strategjish dhe menaxhim qeverisës. Nuk po rreshtoj ish LSI-në, sepse atje nuk bëhet politikë, ajo është një koorporatë marrëveshjesh dhe aleancash, por e nevojshme.

Në vazhdim dëgjojmë dhe na bukosën me aderimin në Bashkimin Europian, refreni i ditës janë detyrat / obligimet, përmbushja e kritereve, progres-raportet, matricat dhe analizat e situatave, një rrodhan për “hajvan” me pak fjalë, me paradhomë një “Ballkan Perëndimor”.

Dhe flokët (asaj) ia merr era…!

Në mes të të gjitha këtyre, ja dhe Reforma në Drejtësi, SPAK për fare pak, pa aspak, për shumë pak. Nuk e kuptova asnjëherë sesi e konceptojnë këta njerëzit me “profil” të politikës, këtë Reformë të shumëdashur, të shumëkërkuar. Por kuptoj shumë mirë atë që kupton populli dhe që është logjika e përbashkët kolektive: njerëzit e duhur, drejtësi e pavarur nga politika partiake, parlamenti dhe qeveria, dhe kështu gjithçka merr fund, partitë dhe politika futen në burg.

Por, edhe një urdhër verifikim i pronave të të gjithëve që i kanë mëshuar një karrigeje pushteti në qeverisje, apo në gjyqësor, në këtë çerekshekull dhe filmi mbyllet për popullin dhe vendin me një “happy end”.

Çfarë thashë tani? Popullin? Kush pyet për popullin. E si do të pyesë shteti-pronë, për një popull dyfekshuar!

Pronarë, që “kombasit” u quajtën ish pronarë dhe vazhdojnë dhe u trajton si të tillë dhe ndajnë tapi mbi pronat tuaja, ku jeni?!

Bij të të përndjekurve politikë, që “kombasit” ju dergjën zyrave për vërtetime dhe pritja e këstit u bë moto për të jetuar, dhe që “rilindasi” as ju ka në refene, ku jeni?!

Intelektualë, me apo pa bindje të djathta apo të majta, ku jeni?!

Të rinj të këtij vendi, ku jeni?

Kujt t’i drejtohesh në këtë vend? Nuk ke kujt t’i drejtohesh!

KY POPULL DHE KY VEND ËSHTË MARRË PENG! Opozita, ku është OPOZITA? Gjysma, ajo e Alibeajt dhe bashallëkut peng edhe ajo, monedhofagë të mëdhenj këta birbo pizevengë!

Quo Vadis?

Ndaj populli duhet të jetë i armatosur, që të tkurret pak shteti kur e rrëmben marrëzia dhe babëzia. Sepse edhe pa mend, edhe pa armë, të merr lumi!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Mirionis - Shigjetari më i Mirë i Luftës së Trojës

Next Story

Bjellorusi: Vdes Ministri i Jashtëm - Shkarkohet Komandanti i Forcave Ajrore

Latest from Opinione