Kevin McCarthy Konfirmohet Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA

/

Plot 14 raunde votimi i janë dashur Kevin McCarthy për t’u konfirmuar si kreu i ri i Shtëpisë së Përfaqësueve në Kongresin Amerikan. Dështimet e njëpasnjëshme në konfirmimin e McCarthy, që në kushte normale do duhej të ishte veçse një formalitet, erdhën për shkak të qëndrimit stoik të grupit parlamentar “Freedom Caucus” që përfaqëson të djathtën populiste dhe libertariane brenda partisë Republikane, të cilët nuk e votëbesuan, pasi McCarthy nuk kishte pranuar kushtet e platformës së tyre të cilat u parashtruan para zgjedhjeve të Nëntorit.

Lideri i grupimit “Freedom Caucus” dhe njëkohësisht kongresmeni nga shteti i Florida, Matt Gaetz ka komunikuar në daljet e tij publike se McCarthy i kishte shpërfillur tentativat për negociata, duke menduar se do të kishte një mazhorancë plebishitare në Kongres që i lejonte lehtësisht konfirmimin. Pasi Republikanët arritën të marrin një mazhorancë thjesht nominale me 222 përfaqësues nga 218 që përbëjnë shumicën, McCarthy dhe fraksioni i djathtë i partisë së tij u ulën për të diskutuar, por sipas Lauren Boebert kongresmenes së grupimit, ai sërish nuk pranoi kushtet elementare që konkretisht kishin të bënin me emërimin e disa personave kyç në Komisionin e Armëve dhe atë të Ligjeve, në vendosjen e limiteve në mandatet e kryetarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryesisht në çështjen e balancimit të buxhetit. Përsa i përket pikës së fundit, kërkesa e “Freedom Caucus” ishte që çdo shpenzim përtej të ardhurave që rrit borxhin publik do të duhet që të kompensohet me reduktim buxheti në zëra të tjerë. Kjo kërkesë krijoi përplasje brenda republikanëve, teksa fraksioni i neo-konservatorëve advokon për financime marramendëse në fushën e mbrojtjes, që kërkon triliona dollarë në vit, një pjesë e mirë e tyre dërgohet në Ukrainë dhe në shtete të tjera ku DASH është investuar ushtarakisht.

Irritimi kulminoi pas dështimit për herë 11të për të konfirmuar McCarthy, teksa ky i fundit i është drejtuar brenda Dhomës së Kongresit Gaetz dhe kolegëve të tij me një ton tejet agresiv dhe në disa momente pati ngritje të zërit, tregim me gisht deri dhe në ndarjen fizike mes dy kongresmenëve që po debatonin ashpër në lidhje me qëndrimin e populistëve. Ajo që bëri përshtypje dhe dëshmon se grupimi i së djathtës po vepronte ideologjikisht dhe jo i nxitur nga individë është fakti që ish-presidenti Donald Trump i bëri thirrje hapur mbështetësve të tij për të votuar McCarthy, por megjithatë ndonëse shumica dërrmuese e 20 kongresmenëve “disidentë” janë hapur mbështetës të Trump, çka dëshmohet dhe nga fakti se ata e nominuan pikërisht ish-presidentin si kreun e ri të Dhomës së Përfaqësueve dhe megjithtë as edhe një nuk ndryshoi votën, kjo edhe pasi Trump komunikoi me ta personalisht.

“Presidenti im i preferuar më telefonoi për të më thënë se duhej të votoj McCarthy. Por, i dashur president, duhet të telefonosh McCarthy-n dhe ta informosh që thjesht nuk gëzon besimin e shumicës në këtë Kongres dhe të tërhiqet nga gara”, ka thënë Boebert nga foltorja e Kongresit, një deklaratë që u shoqërua me britma dhe irritim nga kolegë republikanë.

Trump tentoi të komunikonte edhe me përfaqësuin e Montana-s Matt Rosendale, në një moment që bëri xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale. Trump po bisedonte me kongresmenen Marjorie Taylor Greene, teksa i ka kërkuar t’i kalojë telefonin Rosenberg. Greene duket që zgjat iPhone-in e saj drejt Rosenberg, teksa ky i fundit i bën me shenjë se nuk do të komunikojë me ish-presidentin, ndërkohë që raportohet se tha “don’t you dare do me like that”, që e përkthyer kontekstualisht do të thotë “mos guxo të tentosh të më kapësh ngushtë në këtë mënyrë”. A është shenjë kjo që Trump po humbet mbështetjen e bazës së tij populiste me kompromiset e vazhdueshme që po bën me konstilacionin republikan? Kjo mbetet për t’u parë në primaret republikane, nëse guvernatori i Floridas Ron DeSantis vendos që të kandidojë.

Ngërçi institucional u tejkalua vetëm pasi kongresmenët në fjalë abstenuan në raundin e 14-të të votimit, që sipas rregullores së Kongresit Amerikan do të thotë që kreu i Dhomës së Përfaqësuesve mund të zgjidhet me shumicë edhe më të vogël se 50%. Sipas Gaetz kompromisi u arrit vetëm pasi kërkesat e grupimit u pranuan dhe megjithatë, kongresmenët populistë nuk mund të votonin McCarthy, ndaj u mjaftuan me abstenimin që i hapi rrugë zgjedhjes së tij. Në këto kushte do të ishte shumë e thjeshtë që me një mocion mosbesimi votat demokrate së bashku me ato të populistëve të sillnin shkarkimin e kreut të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.

E gjithë ngjarja tregon se përplasja ideologjike brenda republikanëve nuk ka përfunduar me epokën Trump dhe se pluraliteti ideologjik do e bëjë më të vështirë implementimin e axhendave shtetërore dhe do të zhdukë konsensusin në çështjet bazike që ishte imperativë e pashkuar e pas Luftës së Ftohtë në Kongresin Amerikan.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Sulmi i Përgjithshëm Rus në Soledar: Qyteti Bie – Forcat Ukrainase Hyjnë në Minierat e Kripës Nën Zjarr – Azovstal i Ri!

Next Story

Shën Joani

Latest from Info