Jo Vetëm Rritje Page për Deputetët, por edhe Makinë, Shofer & Zyrë Politike, Nëse Doni të Keni Politikanë – Kujdes Cilëve u Jepni Votën!

Dëgjova këtë diskutimin bajat dhe të pamend mbi rritjen e pagave të deputetëve. Njerëz pafund që dergjeshin ekraneve dhe Mediave Sociale ishin alarmuar për rritjen e pagës së deputetëve dhe përçarteshin në sulme dhe mospajtim me këtë vendim.

Çfarë thoni? A mendoni çfarë flisni, si arsyetoni, si logjikoni?

Pranoni të keni një deputet langaraq, me 1,5 milionë lekë të vjetra pagë? Dhe mendoni që një njeri i zgjedhur me këtë pagë qesharake, do të merret me problemet tuaja, apo me shqyrtimin e ligjeve, përmirësimin e tyre dhe me detyra të tjera që burojnë nga funksioni? Apo mendoni se me këtë pagë me makinën e tij dhe shpenzimet e tij deputeti do të jetë fshat më fshat, vazhdimisht në terren dhe pranë votuesit? Kurrë! Nuk mund të ndodhë edhe sikur të ekzistojë dëshira!

Dhe për rritjen e pagave dalin dhe flasin gazetarë dhe gazetare që nuk dihet sesa miliona marrin çdo muaj, apo sa të tjera marrin nga “x” apo “y” i interesuar, që i blejnë këta gazetarë për të gam-gamizuar për ta, apo çështjet që ata duan të diskutohen dhe promovohen në Media. Gazetarë që paguhen për çdo fjali që artikulojnë, tërësisht të blerë dhe të anshëm, po na bëjnë moral. Gazetarë të firmatos dhe botoksit. Uf!

Deputeti është përfaqësuesi më i lartë i popullit. Kur e zgjidhni mendohuni mirë dhe gjatë. Nëse nuk ju pëlqejnë këta që janë dhe i shikoni si të padenjë për të marrë 3,3 milionë lekë, juve i keni zgjedhur, mos i zgjidhni më.

“Angazhohuni në politikë, që të mos udhëhiqeni nga idiotë”, tha Platoni. Por përsa kohë të gjithë jeni apo merrni rolin e idiotit dhe militantit të një partie dhe nuk reagoni në përzgjedhjen e deputetëve, heshtni dhe mos flisni.

Unë tek figura e deputetit shikoj personin e zgjedhur që ka një ngarkesë të shumëfishtë detyrimesh dhe angazhimesh politike dhe sociale. Është personi që nuk e shikon familja, është individi që gjendet vazhdimisht në terren, personi që telefoni nuk resht nga komunikimet me elektoratin, është personi që duhet të jetë në Media dhe të elaborojë logon dhe pozicionet e tij politike, ekonomike, sociale, është personi që duhet të bëjë opozitë dhe oponencë, është personi që duhet të lexojë me qindra e qindra dokumenta, sepse është ligjvënës, është anëtar i disa komisioneve parlamentare, që për çështje, projektligje e të tjera, do të duhet të lexojë, studiojë, referojë, sugjerojë, ndryshojë, shfletojë, shkruajë dhe një seri veprimesh të tjera në shërbim të ligjit dhe qeverisjes.

Minimumi i një konsulence një apo dy orë, që mund të marrë deputeti nga një ekspet i një fushe të caktuar, kushton disa mijëra lekë të vjetër, sepse një politikan i përgjegjshëm paguan edhe konsulenca. Mendoni dhe arsyetoni si të jeni vetë deputetë dhe jo nga pozicioni i arnautit, që merr saçma pa barut dhe gjuan nga sofati i sokakut, gallofin tek kumbulla e komshiut, për të shtyrë pasditen deri në aksham.

Nëse deputetët tanë nuk i bëjnë të gjitha këto, fajin e ke ti, që voton verbërisht çdo guaf që të sjell partia.

Por jam e sigurtë që ka shumë deputetë në Parlament që sa më sipër përmenda i kanë punë të së përditshmes.

Jo vetëm kaq, por deputeti duhet të ketë edhe makinë, edhe shofer, sepse është person i zgjedhur dhe duhet të jetë në terren vazhdimisht, apo kudo që i lypet të jetë.

Deputeti jo dhe vetëm kaq, por si në të gjithë botën duhet të ketë edhe Zyrë Politike, ku zgjedhësi të mund të drejtohet, ta takojë atë personalisht, apo të komunikojë me stafin e deputetit. Një Zyrë Politike që është domosdoshmëri të jetë e hapur dhe funksionale në zonën ku është zgjedhur, që do të shërbejë si akumulator problematikash, idesh dhe realiteti socio-ekonomik që vjen nga njerëzit që e prekin në të përditshme, por edhe një zyrë politike që orienton dhe u jep zgjedhje në një formë, apo në një tjetër problematikave të zgjedhësve.

Padyshim, jo vetëm kaq, mendoj se është e tepërt të ketë Seanca Plenare të Përjavshme! Dhe për këtë vlen një tjetër shkrim për të mos i devijuar temës.

Jo vetëm rritje page, pasi deputeti duhet të jetojë denjësisht, por edhe makinë, shofer dhe zyrë politike.

Shteti dhe ne duhet ta veshim deputetin me dinjitet dhe fasilitete, sepse nuk dëmtohet ekonomia e vendit nga paga e 140 personave. Kurrësesi!

Mjaft më me kaq armiqësi me persona që vetë i keni votuar dhe nëse nuk keni votuar, ju privohet e drejta të shpreheni, të jepni mendim, të reagoni, ata që nuk kanë votuar duhet të heshtin. Deputeti është përfaqësuesi im, yti! Nuk mund të pranoj të përfaqësohem nga një person që shteti nuk e trajton siç duhet, për të përmbushur detyrimet.

Dinjetet deputetit!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Kissinger Mbush 100 Vjeç - Hero Apo Djall?

Next Story

Ushtari Ukrainas Vret Komandantin e Batalionit që të Mos i Bindet Urdhërit për Betejë

Latest from Uncategorized