Fjalët e Urta 31:10-31
Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.
Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.
Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.
Ajo u përngjan anijeve të tregtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.
Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhrat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.
Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. E kupton që tregtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e natës nuk i shuhet.
Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbët e saj zënë boshtin.
I shtrin dorën të varfrit dhe i jep dorën nevojtarit.
Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.
Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.
Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.
Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.
Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.
Ajo mbikëqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.
Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: “Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato”.
Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.
I jepni frytin e duarve të saj dhe vet veprat e saj le t’i lëvdojnë te portat.