“Ka vullnet politik për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë!”
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të enjten (13 shkurt) se ishte i impresionuar nga qëndrimi i presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Peskov tha se ka vullnet politik si nga pala ruse, ashtu edhe nga ajo amerikane për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare.
I pyetur për komentin e Trump për një takim me Putinin ndoshta në Arabinë Saudite, Peskov tha se detajet e takimit nuk janë përcaktuar ende. Ai nuk pranoi të komentojë se cili nga dy liderët e nisi bisedën telefonike.
I pyetur për ftesën e Putinit drejtuar Trump për të vizituar Moskën, Peskov tha se kishte një shkëmbim ftesash të ndërsjella.
“Ekziston një vullnet politik, i cili u theksua në bisedën e djeshme, për të zhvilluar një dialog në përpjekje për të gjetur një zgjidhje”, tha Peskov.
“Ka marrëveshje që një zgjidhje paqësore përmes negociatave është e mundur.
Administrata e mëparshme amerikane ishte e mendimit se duhej bërë gjithçka për të vazhduar luftën. Qeveria aktuale, mesa kuptojmë, insiston në pikëpamjen se duhet bërë gjithçka për të ndaluar luftën dhe për të sjellë paqen”, tha ai.
“Jemi të impresionuar nga qëndrimi i qeverisë aktuale amerikane dhe jemi të hapur për dialog.”
I pyetur nëse vendet europiane do të përfaqësohen në bisedimet e paqes, Peskov tha se ishte e parakohshme të flitej për formën e tyre.