Fjetëm dhe kur u zgjuam, kishte ikur diktatori dhe kishte mbërritur kaosi. Heshtni na thanë, dinë të mëdhenjtë se çfarë bëjnë, ju thjesht përpiquni të mbijetoni.
Fjetëm dhe kur u zgjuam ishin shkulur pemët nga rrënjët dhe njerëzit nga shtëpitë e tyre. Heshtni na thanë, do të bëjnë prokopi andej nga shkojnë, edhe pse duke u hequr zvarrë, e në mos u kthefshin, bota një varr i madh për të tërë.
Fjetëm dhe na zgjuan krisma armësh të nxehta, që edhe pse plot ndryshk, në mish njeriu përbyllnin misionin. Heshtni na thanë, flini dhe mos u ndjeni, deri në agim, që të surgjynoseni dhe ju, heretikë të kaosit, që keni mbijetuar.
Fjetëm dhe na morën pronë e plaçkë, frymë e fjalë. Heshtni na thanë se do ju quajnë armiq të demokracisë, racistë, antiruralë, skamofobë dhe mund t’ju mbathim për patkonj, gjoba, dhe për kapistall, parti politike.
Flini na thanë dhe fjetëm, teksa digjej e përmbytej vendi e jetë njerëzish. Heshtni na thanë, mos guxoni të flisni, sepse fajin e ka era dhe qiejt, kurrësesi udhëheqja.
Fjetëm, u zgjuam dhe asgjë nuk ishte siç e kishim ëndërruar. Heshtni na thanë, mos flisni, nuk është koha për ëndërra.
Fjetëm, fjetëm dhe humbëm dinjitetin, integritetin, idealizmën, vlerat dhe parimet.
Fjetëm, fjetëm dhe u zgjuam dhe kur u zgjuam, linearen na e paraqitën si vicioze dhe viciozen si lineare. Dhe sërish, vetiu, për shkak të zakonit, që të bëhet natyrë e dytë, heshtëm.
Fjetëm sërish, por kujdes kur të zgjohemi, shumë kujdes, pasi do të tronditemi dhe do të mallkojmë veten për integritetin, dinjitetin, idealizmën, vlerat dhe parimet e humbura dhe do na gjejnë tek koshi i mbetjeve, atje ku do gërmojmë, për të gjetur kafshatën tonë dhe të fëmijëve tanë, sepse kohë pandemie, lufte.
E në u zgjofshim ndonjë ditë, kryengritur, shpirtçliruar, fjalëlëshuar dhe niqiforë, orë/ditë Apokalipsi do të jenë, nga Perëndia orë e ditë, dhe jo për shkakun tonë, robër të gjumit pa ëndërra dhe viktima të heshtjes.
Mallkim duhet të jetë, nuk shpjegohet ndryshe.
Kush zgjohet, kush do Perëndia të zgjohet, një orë e më parë të rebelohet!